Connect with us

Ndërtim

Edi Rama përkrahë plotësisht ndërtimin e 6 kullave në Tiranë: ‘ky investim nxjerr Shqipërinë nga cepi i errët i përbuzjes botërore’

Published

on

Gati një vit më parë u organizua një konkurs ndërkombëtar, ku një juri ndërkombëtare që në shumicë kishte arkitektë dhe ekspertë të mirënjohur nga disa vende të Europës, gjykoi me një debat skrupuloz në çdo detaj dhe mes pesë studiove të huaja, zgjodhi projektin e studios daneze CEBRA, për kullën që sot, një vit më pas është vendosur si një hu i sapogjetur në rrugë për mullarin e ri të baltës politiko – mediatike.

Projekti fitues nuk pati asnjë kontestim për t’u mbajtur shënim dhe u pasqyrua pëlqyeshëm jo vetëm (shumë çuditërisht) në mediat tona, po edhe (aspak çuditërisht) në disa media të specializuara ndërkombëtare për zhvillimet më të reja arkitektonike nëpër botë. Në grupin danez bënte pjesë edhe një arkitekt i ri shqiptar, me banim në Danimarkë. Në momentet e fitores së konkursit ai tha shprehimisht: Do t’u telefonoj tani prindërve të mi në Elbasan dhe do t’u them, para se të thoni herë tjetër që në Shqipëri nuk ia del dot askush pa miq e pa rryshfet, mos e harroni rastin tim e të kolegëve të mi danezë, që erdhëm pa njohur askënd dhe pa pikën e besimit se konkursi ishte real, por do të kthehemi në Danimarkë të lumturuar nga eksperienca fantastike që patëm me organizimin e me seriozitetin mbresëlënës të këtij konkursi.

Pas përgatitjes thuajse njëvjeçare të projektit ekzekutiv, ku është përfshirë edhe njëra nga kompanitë më të mëdha inxhinierike të botës, Arup, me eksperiencë 75 vjeçare, 18.000 inxhinjerë, dizajner, ekspertë e këshilltarë me aktivitet në 140 vende të botës, si edhe pas pagesës së taksës rreth 4 milionë € në Bashkinë e Tiranës, kompania zhvilluese në marrëveshje me pronarët e tokës, që zakonisht në Tiranë përfitojnë deri gjysmën e investimit, rrethoi truallin për të ngritur kantierin e ndërtimit.

Fillimisht një grupth që endet nëpër Tiranë me misionin e shpëtimit të Shqipërisë nga murtaja kapitaliste, u mblodh tek rrethimi i kantierit për të vënë kujën e tij karakteristike të kundërshtisë qorre, duke hedhur pjesën e vet të baltës rreth hurit të mullarit të ri, ku shumë shpejt nxituan të turren plot nga të zakonshmit e këtyre rasteve; ca të pagjumë nga drejtësia e re që po u rrethon trojet e xanuna të jetës së tyre publike pa atdhe, din e iman; ca të vrerosur nga dështimet e njëpasnjëshme të revolucioneve të dhunshme, që i plakën kanal më kanal e portal më portal, po s’erdhën kurrë; ca me vulë, ca pa vulë e ca me vulëasvulë, mes të cilëve edhe ndonjë derdimen i sapozgjuar, me bluzën e jeshilosur nga djersa e gjumit të stërgjatë, ama me flokët pikë, njësoj si në çastin kur u zhduk nën jorgan në hyrje të verës së shkuar, plus ndonjë pinjoll i përcëlluar, si thëngjill ende i pazbuluar në nëntokat e xanuna, po edhe ndonjë tjetër akoma, pa lidhje fare me këta, që i’u turr projektit të kullës, si të ishte hartë e vjetër romake që të çon tek zbulimi i një thesari, krijuar këtë herë nga një konspiracion i madh financiar, me prapavijë konsensuale politike, i cili orkestrohet nga kush tjetër, përveçse nga unë dora vetë, që u hidhkërkam kocka kundërshtarëve nga frika se mos më kafshojnë me gojën e tyre të mosozotshme, ku thuajse s’ka mbetur asnjë dhëmb.

U hapën kështu thasët e baltës, marrë turravrap në krahë për të ngritur rreth hurit të gjetur mes vapës së gushtit mullarin e “grabitjes” së radhës, duke ushqyer dëgjues, lexues e thashethemues që kanë ende dëshirë e nge të përtypin baltë nga e thasëve të këtyre hamejve të së shkuarës dhe duke mbajtur kësisoj vetveten me gajretin e pavdekshëm të iluzionit të vjetër, se kështu do të rrëzojnë regjimin.

Dhe u nakatosën bashkë me baltën e gërrgërrditësve të zakonshëm edhe kunja të vjetra, gozhda inatesh të pandryshkura, vida gjelozirash të pashërueshme e jargë zilirash të pangushëllueshme dhe mullari u lartësua me shpejtësi, në pikën që u krahasua deri edhe me “djegësat” famëkëqinj apo u shikua si një i atillë katallan i zi, që mund edhe t’i linte vetë “djegësat” nën hijen e tij. U ngrit rrufe edhe padia e radhës për SPAK-un, e cila tanimë është bërë patatja dhe gjella e çdokujt që ka një gur për të hedhur, një dorë për të fshehur a një kunjë për të nxjerrë, duke e detyruar organin më të fuqishëm të akuzës në vend, që për shkak të një legjislacioni të mbingarkuar mbi shpinën e tij, të merret edhe me letrën e fundit anonime, ndërkohë që i ka duart e zëna seriozisht me patate gjithnjë e më të nxehta të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Arsyeja pse po i shkruaj këto radhë nuk është, largqoftë, të merrem me tërë ata e ato, të cilët gjetjen e hunjve dhe ngritjen e mullarëve të baltës e kanë si reaksion kimik të trurit ndaj absolutisht çdo vepre, që kjo qeveri e poshtër realizon në këtë vend. Fundja në 1 nga 100 hunj që ngulin arrin të qëllojnë në shenjë dhe nuk është pak, po të llogarisësh se kanë 100 vjet që gjejnë e ngulin mesatarisht 1 hu çdo 3 ditë. Po duke e ndjekur nga larg ngritjen e këtij mullari balte të radhës dhe duke qenë personalisht i përfshirë në këtë “aferë” për shkak të detyrës e të pasionit tim për transformimin e Shqipërisë, nuk rrija dot pa ndarë me ata që kanë pasur ngenë e nervat të arrinë deri tek ky rresht i këtij çarçafi të gjatë, hallin tim përballë kësaj gjykate laramane të mbledhur kundër kullës së re, ku halli i një gjykatësi nuk i ngjan hallit të gjykatësit tjetër, ndërkohë që i imi nuk ka lidhje fare, po fare, me asnjë nga hallet e tyre.

Halli im këtu është fatmirësisht më i rëndi dhe më i thjeshti! Si të nxjerrim maksimumin e fuqisë rrezatuese dhe tërheqëse për Tiranën, duke realizuar një tjetër kullë ikonike, të cilën nuk e financon e as e ndërton shteti, po e mundëson marrëveshja krejt private mes pronarëve, investitorëve, arkitektëve e inxhinierëve, po ku, ama, autoriteti përkatës shtetëror ka jo vetëm detyrën që t’i hapë rrugë zhvillimit legjitim të një prone private, konform vizionit të zhvillimit të kryeqytetit, po edhe të drejtën të kërkojë nga zhvilluesit cilësinë më të lartë të mundshme arkitektonike e inxhinierike.

Po pse e mbaj unë këtë hall, për çfarë qëllimi tjetër përveç atij që sapo thashë?! Eh, ja këtu, mu këtu, halli im bëhet, fatkeqësisht, shumë thjeshtësisht i rëndë, sepse s’ka Zot apo më saktë, sepse përveç Zotit dhe atyre që më njohin sadopak nga afër, më është e pamundur, absolutisht e pamundur, t’ia rrëfej gjykatës laramane, po edhe ndjekësve të saj të etur për baltë, gjak e teori konspiracioni, se halli im nis e mbaron me realizimin sa më bukur të një vepre si kjo apo si çdonjëra nga kullat, ndërtesat, shkollat, spitalet, rrugët, bulevardet, muzetë e me radhë, që po e ndryshojnë këtë vend dita – ditës, po që nuk mjaftojnë e duhen bërë më shumë, më shumë, më shumë…

E pamundur t’u shpjegosh atyre që kanë Zot paranë, që udhëhiqen në jetë nga urrejtja, që verbohen në gjykim nga xhelozia, që sundohen në veprim nga ndjenja të ulëta në emër të parimeve të larta apo që thjesht duan t’u dalë e tyrja edhe sikur të bëhet shkrumb e hi, lumturinë e krijimit, realizimit të një vepre që i shërben njerëzve, vendit, historisë së shkruar duke ndezur në çdo hap një dritë tjetër, për ta bërë ditë natën e vjetër qindra vjet mbi këtë tokë të vogël shqiptare, në vend se të mallkosh përditë errësirën, pa të cilën lakuriqët e turlillojshëm të këtij vendi nuk e luajnë dot rolin e shqiponjave!

E pamundur t’u tregosh se si nata bëhet më e shkurtër nga zgjatja e ëndrrave me sy hapur për veprat që i mbars pasioni, i ushqen dëshira për t’i lindur dhe i sjell në jetë e i zhvillon mundimi, shpeshherë i pashoq, në kapërcimin e dhjetë pengesave të parashikuara e nganjëherë, edhe e njëqind të tjerave të paparashikuara! E pamundur të ndash me ta dhimbjet torturuese të lindjes së një vepre mbi tokën e rrëshqitshme të “Shqipërisë që nuk bëhet” dhe çlirimin jetëzgjatës të kundrimit të saj, kur vepra ka hyrë në jetën e përditshme si një hallkë e re e zinxhirit të ëndrrës që vazhdon drejt dritës!…

Shqipëria sot është bërë lajmi i mirë, për shumëkënd befasues, i një destinacioni të ri në Mesdheun e peshqve më të mëdhenj të turizmit botëror, e kjo Shqipëri s’ka dalë nga deti, s’ka rënë as nga mali, se detet e malet aty ishin edhe kur këtu, turisti më europian vinte nga Gjakova a nga Tetova, po ka ardhur nga vite të tëra pune, Rilindjeje Urbane nga Vermoshi në Berat e Gjirokastër, në Lezhë, Durrës, Vlorë, Himarë e Sarandë, investimesh të mirëshënjestruara në infrastrukturë, aty ku janë çliruar potenciale të fjetura turistike, nga Thethi në Nivicë; agroturizmash që mbijnë përditë si këpurdhat në Shqipërinë rurale apo kantinash vere që tërheqin çdo vit e më shumë turistë deri në Mirditë e në Poliçan, falë mbështetjes me grante nga qeveria e Bashkimi Europian; parqesh arkeologjike e monumentesh kultura të rilindura në buzë të humnerës së zhdukjes përgjithmonë; investimesh gjithnjë e më cilësore private në industrinë e mikpritjes përgjatë bregdetit, nga Velipoja e deri në Ksamil, po edhe natyrisht, transformimit rrënjësor të zemrës së madhe të Shqipërisë, Tiranës, ku kullat e ngritura krahas mullarëve të baltës që shoqërojnë si hije vajtojcash të “këtij vendi që s’bëhet” ndërtimin e tyre, janë motorët e fuqishëm të ndryshimit, optimizmit, shpresës dhe ambicies për të ardhmen.

I gjithë ky zhvillim që po e nxjerr përgjithnjë Shqipërinë nga cepi i errët i përbuzjes botërore në detin e hapur të jetës europiane, ku era e ndryshimit po sjell nga të katër anët numra marramendës turistësh të magjepsur prej këtij vendi që më në fund ka filluar të bëhet, ka patjetër edhe gabimet, deformimet, ekseset e veta, por s’ka mullar balte dhe gjyq qëllimesh që ia zeron dot përmasën historike, e cila është krijesë e pasionit dhe këmbënguljes së paepur, në një mjedis politik e mediatik të pushtuar nga ligësia e gjallesave të destinuara të harrohen, njësoj si balta pas shiut apo si mullarët e baltës pas ndërtimit të kullës së radhës.

Prandaj, teksa gjyqi inkuizicional i kullës më të re do të përmbushë edhe ai misionin e vet të mallkimit të vjetër të çdo gjëje të mirë që mbin në këtë tokë, kulla tjetër e radhës do të shfaqet me patjetër, si një tjetër fryt i pasionit dhe këmbënguljes për Shqipërinë, e për pasojë edhe si ftesë për një tjetër gjyq me mullarin përkatës të baltës së dalë nga thasët e aradhesë së bartësve të mallkimit, sepse mbase ky vend s’do shpëtojë kurrë nga ata që baltën e kanë bukën e gojës, po pa asnjë diskutim, as Tirana e as Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur pas shekujsh zvarritjeje dhe as fëmijët e Shqipërisë nuk ia kanë borxh të nesërmen e tyre tufës laramane të atyre që vesi i vjetër i baltosjes me shkulm e zulm të çdo vepre a qoftë edhe vetëm qëllimi të mirë në këtë vend, do t’u dalë veç me shpirtin.

Ndërtim

Arabia Saudite ndërton një tjetër park të madh ujor në qytetin Qiddiya

Published

on

Fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite ka njoftuar ndërtimin e një parku të dytë të madh tematik ujor për qytetin Qiddiya në jugperëndim të Riadit.

Parku Aquarabia do të ketë 22 udhëtime dhe përvoja miqësore për familjen, me bazë uji. Ai mbështetet nga Kompania e Investimeve të Qytetit Qiddiya (QIC), e cila është në pronësi të Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF).

PIF tha se parku i ri ujor do të ishte më i madhi në rajon dhe do të plotësonte Qytetin Six Flags Qiddiya prej 1 miliard dollarësh, parkun kryesor të qytetit dhe parkun e parë Six Flags që do të projektohet dhe ndërtohet jashtë Amerikës së Veriut. Kontraktorët e Përgjithshëm Almabani të Arabisë Saudite dhe Bouygues i Francës nënshkruan një marrëveshje për të ndërtuar atë park tematik ujor, i cili mbulon një sipërfaqe prej 320,000 m2, në vitin 2021.

Uji i ricikluar do të përdoret në ujitjen dhe ftohjen e Aquarabia, ndërsa PIF premtoi se mbetjet e ujit do të “uleshin deri në 90%”.

Të dy parqet janë në ndërtim dhe janë caktuar për t’u përfunduar në vitin 2025, me një datë hapjeje ende për t’u komunikuar.

Qyteti Qiddiya do të shfaqë disa atraksione argëtuese, sportive dhe kulturore, duke përfshirë një zonë lojrash dhe e-sportesh, stadiumin Mohammed bin Salman me shumë sporte, një pistë sportive motorike dhe parkun tematik të shpallur së fundmi Dragon Ball.

Argëtimi, koha e lirë dhe sportet janë një nga 13 sektorët strategjikë të PIF për investime, në përputhje me Vizionin 2030 të Arabisë Saudite, i cili synon të diversifikojë ekonominë e Mbretërisë së pasur me naftë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ndërtim

Kompanitë e ndërtimit shohin përfitime në efikasitet për shkak të dimrave të butë?

Published

on

Në gjithë globin, ciklet rajonale të dimrit shihen si periudha në rënie për produktivitetin e ndërtimit, por një raport i ri nga institucioni financiar holandez ING sugjeroi se tregu evropian ka rritur efikasitetin mes stinëve të ftohtë.

“Moti më i ngrohtë i dimrit do të thotë që kontraktorët evropianë të ndërtimit po përjetojnë më pak ndërprerje të biznesit ndërsa klima jonë ngrohet,” tha ekonomisti i lartë i ING Maurice van Sante në raportin e titulluar Kompanitë e ndërtimit shohin përfitime në efikasitet për shkak të dimrave më të butë.

Duke ofruar të dhëna të përpiluara nga ING Research, NASA dhe Our World in Data, van Sante vuri në dukje se anomalitë e temperaturës në hemisferën veriore arritën lartësi rreth dy gradë (Celsius) më të larta, mesatarisht, se në 1985.

“Ne donim të shihnim nëse temperaturat në rritje kanë pasur tashmë një ndikim të matshëm në ciklet vjetore të prodhimit të kompanive evropiane të ndërtimit,” tha Van Sante, duke vënë në dukje se dy tregues janë përdorur në matje:

Pjesa e kompanive që përmendin nivelet e tyre të prodhimit ishte e kufizuar gjatë periudhave të dimrit (janar dhe shkurt) dhe verës (korrik dhe gusht) për shkak të kushteve të motit.

Ndryshimi i vëllimeve aktuale të ndërtimit në këto periudha

Ajo që gjeti studimi ishte një reduktim me më shumë se 30% i kontraktorëve të BE-së, gjatë tre dekadave të fundit, të cilët thanë se aktivitetet e tyre ishin të kufizuara për shkak të motit të keq nga janari në shkurt.

Vera me vapë mbytëse nuk është problem për ndërtimin evropian!

Gjersa fitimet në produktivitet në dimër mund të shihen si pozitive, temperaturat në rritje globale – në përgjithësi – nuk janë.

Megjithatë, van Sante tha se një humbje reciproke e produktivitetit në verë (nga nxehtësia ose moti ekstrem) thjesht nuk po ndodh në një mënyrë të matshme.

Megjithatë, ai vuri në dukje se nivelet rekord në verë po rrisin shpeshtësinë e ditëve të punës të anuluara.

Përderisa mund të duket sikur se një planet në ngrohje ka krijuar një mjedis ideal për aktivitetet e ndërtimit në disa seksione të Hemisferës Veriore, van Sante paralajmëroi në raportin e tij se këto ndryshime janë ‘diamante’ në atë që është bërë një mjedis gjithnjë e më i ashpër./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ndërtim

Rritja e shitjeve në sektorin e ndërtimit u frenua në vitin 2023

Published

on

Pas rritjes dyshifrore në vitin 2022, ritmet e shitjeve në volum në sektorin e ndërtimit janë frenuar disi në vitin 2023, sipas të dhënave që INSTAT ka grumbulluar te kompanitë e ndërtimit.

Zakonisht në 3-mujorin e fundit të çdo viti ka një rritje të shitjeve në banesa, për shkak të blerjeve që bëjnë kryesisht emigrantët në këtë periudhë (shiko grafikun bashkëngjitur).

Në 3-mujorin e fundit të 2023, volumi i shitjeve në ndërtim u rrit me vetëm 1% nga 16.1% që ishte rritja në tremujorin e fundit 2022.

Gjatë gjithë tremujorëve të 2023, ritmet e rritjes së shitjeve në volum ishin më të ulëta se më 2022.

P.sh. në tremujorin e dytë 2023, volumi i shitjeve u rrit me vetëm 0.2%, në tremujorin e dytë rritja ishte me 5.2% nga 11.5% në të njëjtën periudhë të vitit 2022, shkruan Monitor.al

Me gjithë frenimin e ritmeve të rritjes, volumet e ndërtimit dhe shitjeve po rriten në sektorin e ndërtimit, edhe pse treguesit demografikë dhe inflacioni i lartë nuk po e frenojnë këtë trend si në Europë.

Tregu i pasurive të paluajtshme në Europë është në një fazë stanacioni nga rënia e kërkesës, teksa lufta në Ukrainë ka krijuar një efekt psikologjik negativ për investime në pasuri të paluajtshme.

Pavarësisht ngadalësimit, ndërtuesit vendas mbeten optimistë. Pas një rënie me 8 pikë në janar 2024, treguesi i besimit në ndërtim që matet nga Banka e Shqipërisë u rrit me 6.8 pikë përqindje në muajin shkurt. Ky tregues qëndron rreth 25 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë.

Rritja këtë muaj u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më të mira për aktivitetin aktual ndërtues. Paralelisht me të, pritjet për punësimin dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rritje. Nga ana tjetër indeksi i besimit konsumator u rrit në disvarfor të blerjeve të mëdha në dy muajt e parë të vitit 2024.

Sektori i ndërtimit pësoi një rritje të vrullshme pas vitit 2016, kryesisht në sektorin e banesave. Rritja e lejeve në rekorde historike dhe sipërfaqes në ndërtim në pesë vjeçarin e fundit erdhi në një kohë që popullsia po pakësohet dhe po plaket nga rënia e lindjeve dhe emigracioni lartë të rinjve. Në kontradite më këto zhvillime çmimi i banesave është rritur me shpejtësi.

Ndërtimi është kthyer në motorin e rritjes ekonomike vitet e fundit. Në vitin 2022, sektori kontribuoi me 11.1 pikë % të vlerës së shtuar nga 9.4 pikë % që kontribuoi në vitin 2019. Ky kontribut u rrit më tej në vitin 2023, referojnë të dhënat jo përfundimtare.

Aktualisht, Shqipëria është vendi më i varfër i Europës dhe ka ekspozimin më të lartë të sektorit të ndërtimit në kontinent. Sipas Eurostat, në vitin 2022, ndërtimi kontribuoi me 11.2% të vlerës së shtuar bruto, ndërsa në BE, ky sektor kontribuoi me 5.5%./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending