Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tjera në Kosovë, i nisur dy dekada më parë, është afër përmbylljes.
Me planin qeverisës të ekzekutivit të tanishëm është vendosur që pasuria e Kosovës të mbrohet përmes Fondit Sovran, i cili do t’i marrë në pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për të mundësuar investime nga jashtë dhe qasje në tregje të huaja të kapitalit.
Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit konfirmojnë për REL-in se kanë nisur evidentimin e aseteve që do t’i barten Fondit Sovran.
Sipas AKP-së, deri më tani, janë evidentuar gjithsej 2.448 asete, përfshirë: miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, pika të karburanteve, qendra rehabilituese, zyra, toka bujqësore të të gjitha kategorive e të tjera.
Privatizimi nuk e ngjalli ekonominë e Kosovës
Në fillim, shpresat ishin që procesi i privatizimit të sillte zhvillim të hovshëm ekonomik dhe të gjeneronte vende të shumta pune. Por, ekspertë të ekonomisë thonë se kjo nuk është arritur gjatë 20 vjetëve të kaluar.
Berim Ramosaj, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se Kosova nuk mund të krenohet shumë me efektet e privatizimit.
“Duke marrë parasysh objektivin që e kemi pasur, që privatizimi të ketë ndikim të madh në rritje ekonomike… dhe kur e shohim sot që rritja ekonomike është në përqindje të ulët, vijmë në përfundim se privatizimi, në aspektin e përgjithshëm, nuk i ka dhënë rezultatet e parashikuara”, thotë Ramosaj për Radion Evropa e Lirë.
Kosova, sipas tij, vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike – me një rritje ekonomike mesatare vjetore prej 4 për qind, e cila nuk e adreson problemin e papunësisë që kalon 20 për qind.
“Defektet në procesin e privatizimit kanë ardhur si pasojë e një procesi jotransparent, ka pasur gabime dhe veprime korruptive”, thotë Ramosaj.
Ai, megjithatë, pranon se edhe teknologjia e atyre ndërmarrjeve ka qenë e trashëguar dhe e vjetruar.
Hetimet e procesit të privatizimit
Procesi i privatizimit ka përfunduar në vitin 2020 në një Komision hetimor parlamentar.
Komisioni ka nisur hetimin e tij nga fillimi i punës së ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, që u pasua nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Ky komision nuk i ka dhënë konstatimet përfundimtare lidhur me atë se çfarë shkeljesh të procedurave apo keqpërdorimesh eventuale mund të kenë ndodhur gjatë procesit të privatizimit, por është thënë se ka indikacione se ky proces është përcjellë me një numër të madh të parregullsive.
Puna e atij komisioni ka mbetur e papërfunduar pasi në atë kohë Kuvendi i Kosovës është shpërndarë./Media Ndërtimi.