Ministria shqiptare e Kulturës ka njoftuar ngritjen e muzeut ”Besa”, një hapësirë e re kulturore në zemër të Tiranës, që do të përkujtojë veprimet heroike të shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit, shkruan Zvika Klein për ”Jerusalem Post”.
”Muzeu do të vendoset në një ndërtesë historike (Shtëpia e Toptanëve) që mishëron arkitekturën më të mirë shqiptare të shekullit XIX dhe është cilësuar si Trashëgimi Kulturore dhe Monument Kulture.
Rezidenca ka një formë katërkëndëshe, me sallën e vendosur në qendër dhe dhoma të shpërndara rreth sallës. Brendësia është e dekoruar me piktura murale dhe gdhendje druri. Kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi ngritjen e muzeut të ri në një event gala që nderoi shqiptarët, gjatë vizitës së tij të fundit në Jeruzalem.
Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka shpallur një konkurs të hapur projektimi për propozimet e dizajnit të arkitekturës, financuar nga filantropisti izraelit Alexander Machkevitch, me qëllim gjetjen e zgjidhjes më të mirë të projektimit për ndërtimin e muzeut.
Në fazën e parë, kandidatët do të paraqesin përbërjen e ekipeve të tyre, kualifikimet, metodologjinë e punës dhe vizionin për sitin, duke përfshirë një koncept paraprak. Në përfundim të kësaj faze, juria do të përzgjedhë pesë skuadrat dhe konceptet më të mira, të cilat do të mund të vazhdojnë punën për fazën e dytë. Në fazën e dytë, juria do të shqyrtojë propozimet e pesë ekipeve të përzgjedhura dhe do të zgjedhë propozimin fitues.
”Jam i përulur që jam pjesë e këtij projekti të rëndësishëm që do të përkujtojë trimërinë e shqiptarëve që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit”, tha Machkevitch.
Ai shtoi se ”populli shqiptar dhe veçanërisht Rama, ka treguar përkushtim të madh për ruajtjen e kujtimit të këtyre akteve heroike dhe është nder të punosh përkrah tyre. Ky projekt është një dëshmi e fuqisë së solidaritetit dhe dhembshurisë përballë errësirës dhe shpresoj se do të frymëzojë brezat e ardhshëm për të vazhduar këtë trashëgimi të mirësisë”.
Muzeu “Besa”
Muzeu ”Besa” do të hapë rrugën për krijimin e një destinacioni të historisë së lavdishme të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe të historisë, traditës, kulturës dhe artit hebre, sipas qeverisë shqiptare. Muzeu do të vendosë një standard të ri për hapësirat e këtij lloji në Shqipëri për sa i përket misionit, konceptit, arkitekturës, menaxhimit, drejtimit, krijimit të ekspozitave, tregimit, edukimit dhe angazhimit të komunitetit.
Rama ka deklaruar se ”ky është një tjetër moment shumë i rëndësishëm në historinë, zhvillimin urban dhe arkitekturën e Tiranës dhe besoj se më në fund do të mund të marrim një psherëtimë të lehtësuar nga një barrë e kahershme detyrimi në lidhje me fëmijët tanë dhe vizitorët në vendin tonë, që lidhet ndoshta me faqen më të lavdishme të historisë shqiptare, shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shtoi se “shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është një nga faqet më të bukura në historinë e shqiptarëve. Të krishterët dhe myslimanët sakrifikuan gjithçka për t’i mbrojtur ata. Për shqiptarët kjo është BESA, është një vlerë që ne do t’ua përcjellim fëmijëve tanë duke u treguar atyre këtë histori të jashtëzakonshme”.
Muzeu ”Besa” do të jetë një urë komunikimi mes brezave, një hapësirë dialogu për ndarjen e vlerave më të mira të popujve tanë.
Muzeu ”Besa” do të shërbejë si pikë takimi, qendër dialogu për shkëmbimet kulturore e më gjerë.
Ai synon të jetë një atraksion i shtuar turistik në Tiranë, si dhe një qendër për edukimin dhe angazhimin e komunitetit.
Krijimi i muzeut ”Besa” njeh rëndësinë e ruajtjes dhe kremtimit të ndikimit të vlerave përfaqësuese në shoqërinë, kulturën dhe veprimtarinë shqiptare, veçanërisht në lidhje me shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit.
Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj sesa para luftës.
Populli shqiptar refuzoi të dorëzonte te nazistët qoftë një hebre të vetëm dhe shumë shqiptarë rrezikuan jetën e tyre për të mbrojtur hebrenjtë nga persekutimi./Media Ndërtimi