Legalizimi i objekteve pa leje, që do të rregullohet nëpërmjet një amendamentimi të ligjit, ka ngjallur reagime të deputetëve të LVV-së. Dimal Basha, Haki Abazi e Enver Haliti, të gjithë deputetë të LVV-së nga Ferizaj, kanë kritikuar Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës, që është sponsorizues i projektligjit.
I pari që e kritikoi z. Aliun, ishte Basha, i cili tha se me këtë ligj po legalizohen të gjitha ndërtimet pa leje.
“Tash ky ligj ndryshohet edhe i ndërrohet edhe hyrja në fuqi. Që ta zëmë, ky ligj hyn në fuqi në mars 2023, legalizohen të gjitha ndërtimet deri në mars 2023… Pra, e bëjmë legalizimin e të gjitha ndërtimeve pa leje, sidomos ndërtesat.” – u shpreh në fjalën e tij Basha.
Ai madje e ka quajtur jo parimore këtë nismë të Ministrisë së Infrastrukturës, që udhëhiqet nga Liburn Aliu, njëri nga njerëzit më të fuqishëm në LVV.
“Cili është interesi që një ndërtimtar ta legalizojë ndërtesën? Mendoj që qikjo s’është parimore, dhe kjo s’duhet me shku përpara. Puna kryesore e këtij ligji, mendoj unë është se e bën amnistimin e këtyre keqpërdoruesve që ndonjëherë janë quajtur edhe “mafi e betonit”. Këta jo që nuk dënohen por legalizohen,” – bërtiti në foltore Basha.
Njëjtë kritika për këtë çështje pati edhe një deputet tjetër i VV-së nga Ferizaj, Enver Haliti, që tha se me këtë ligj bëhet “aministimi i të gjitha ndërtimeve pa kriter nëpër komunat e Kosovës”.
“Nëse ky ligj sot kalon, do të bëhet amnistimi i të gjitha ndërtimeve pa kriter nëpër komunat e Kosovës. Të gjitha ato kallëzime penale, raste në Gjykata do të përfundojmë, nëse i legalizojmë ato ndërtime. Është e çuditshme si me kaq lehtësi flitet për ndërtimet e kategorisë 2 që janë ndërtime pa leje, kur një investitor ka potencial që të fillojë ndërtime të objekteve banesore miliona euro, e nuk e ka të qartë se duhet të pajisjet me një leje ndërtimore”, ka thënë Enver Haliti, transmeton Nacionale.
Tutje, ai tha se një nismë e tillë ligjore është shqetësuese.
“Nxirret një ligj për legalizim pa përfillur të gjitha kriteret. Është shqetësuese për institucionet tona që amnistojnë e lejojnë banorët të futen në ato objekte pa u pajisur me leje. Nesër ai objekt me ndonjë tërmet, të ndodhë me ndonjë fatkeqësi. Ministria ende nuk e ka finalizuar hartën zonale, dhe komunat janë prapa me këtë proces. Unë së bashku me kolegë jemi marrë shumë me këtë problematikë, por nuk kemi hasur në përkrahje nga ana e Ministrisë, dhe më vjen keq që ekziston një Institut i Planifikimit, dhe nuk bën asnjë gjë. Ky ligj duhet tërhiqet, të kthehet në qeveri, dhe të ndahet vetëm për ndërtimet e kategorisë së parë”, tha Haliti në Kuvendin e Kosovës.
Përgjigja e Aliut
Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës, ka reaguar ndaj akuzave e kritikave të Dimal Bashës dhe deputetëve të tjerë të LVV-së nga Ferizaj.
Ai tha se projektligji për lokalizimin e ndërtimeve pa leje është votuar në lexim të parë nga LVV në vitin 2018.
“E para po filloj nga çështja a ka ndryshuar Liburni. Ky ligj në leximin e parë është votu nga Lëvizja Vetëvendosje. Në leximin e dytë, as LVV e LDK nuk e ka votu, për shkak se e ka bojkotuar asokohe PAN-in.” – tha fillimisht ai.
“Prandaj kur të folni, thuajeni të vërtetën e saktë. Unë kërkoj prej deputetit Basha, po ta përmendi emrin që me mujtë me repliku. Pra ju sapo thatë që Liburni ka deklaruar ndryshe, e po deklaron sot ndryshe. Atë ditë kam deklaru njëjtë sikurse sot, pra viti 2018, njëjtë e deklaroj edhe sot. Projektligj i padrejtë, por i domosdoshëm.” – tha Aliu.
Ministri i Infrastrukturës pati edhe një replikë me Enver Halilin, tjetër deputet i VV-së kritik ndaj z. Aliut.
“Nëse thoni t’i rrënojmë. Po i rrënojmë ndërtimet pa leje që nuk i plotësojnë kriteret. Por jo me i rrënu krejt se s’ka buxhet për atë punë. Kur flasim për legalizimin, nuk e mendojmë legalizimin e përgjithshëm siç tha z.Haliti. Absolutisht nuk është e vërtetë. Unë jam kundër legalizimit të të gjithave. Gabim e keni. Unë nuk po them ashtu. Nuk po them që në Ferizaj është ndërtuar mbarë e mirë”, tha Aliu.