Ndërsa projekti i Marinës së Jahteve në Durrës, një investim i supozuar prej mbi 2 miliardë eurosh në zonën ku sot ndodhet Porti i Durrësit, nuk ka nisur ende ndërtimin, shitja e apartamenteve do të fillojë për pak ditë.
“Durrës Yachts & Marina”, një shoqëri e përbashkët mes qeverisë shqiptare (33% përmes Albanian Seaports Development Company) dhe dy shoqërive nga Emiratet e Bashkuara (Eagle Hills Real Estate Development, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C”, me 67% së bashku), që po zbaton projektin me status strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit” ka bërë të ditur zyrtarisht në faqen e saj në facebook se do të fillojë shitjen e apartamenteve në datën 8 dhjetor.
Apartamentet do të jenë me një deri në tre dhoma dhe do të fillojnë nga 110 mijë euro, bëhet e ditur në njoftim. Në pamjen e publikuar është e qartë që ndërtimet janë të ngjeshura, duke lënë pak hapësirë, një model që është ndjekur dhe në zhvillimin e bregdetit të Golemit.
Sipas planit të biznesit të projektit, të publikuar më herët, çmimet e shitjes do të variojnë midis 1500-2000 euro/m2.
Ndonëse ky është një investim që ka marrë statusin strategjik (duke përfituar përjashtime nga taksat, madje dhe atë të infrastrukturës dhe ndërtimit), të dhënat e planit të biznesit tregojnë se, të paktën në fazën e parë, kemi të bëjmë më shumë me një projekt të pasurive të paluajtshme, sidomos në fazën e parë të tij, sesa kthimin e hapësirave të portit në një destinacion të mirëfilltë turistik. 93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.
Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8600 në fazën e dytë), ndërsa do të këtë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma. Parashikohen vetëm 280 vende për jahte.
Edhe skema e financimit të apartamenteve është e ngjashme me atë që ndodh rëndom në vend, duke mundësuar parapagimet, d.m.th. shitjen e apartamenteve që në ajër. Investimi i parashikuar në fazën e parë është 595 milionë euro.
Kompanive investitore u kërkohet që të mbajnë në llogaritë e tyre një shumë që korrespondon me tridhjetë për qind (30%) të financimit të nevojshëm për zhvillimin e sheshit të fazës 1, pra rreth 180 milionë euro, ndërsa mund të grumbullojnë të ardhura nga shitjet, apo të fusin bashkë financues të tjerë.
Sipas planit, sipërfaqja dysheme bruto e ndërtimit (Gross floor area -GFA) do të jetë 1.36 milionë metra katror, që mund të arrijë deri në 2 milionë m2 në skenarin më të mirë, në një sipërfaqe neto prej rreth 440 mijë m2.
Nga sipërfaqja e ndërtimit në skenarin e parë (1.36 milionë m2), rreth 93% do të jetë sipërfaqe rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.
I gjithë projekti pritet të gjenerojë në 35 vjet rreth 3.2 miliardë euro të ardhura. Nga shuma totale e të ardhurave, 2.26 miliardë euro, ose 70% e totalit të të ardhurave do të gjenerohet nga shitja e apartamenteve.
Faza e parë e ndërtimit të apartamenteve pritet që të fillojë në tremujorin e parë 2023. Në fazën e parë sipërfaqja dysheme e ndërtimit (GFA_Gross Floor Area) pritet të jetë 400 mijë metra katror dhe faza e dytë 864 mijë metra katror.Revista Monitor/Media Ndërtimi