Ditë më parë në lagjen Arbëria të Prishtinës, filluan punimet për ndërtimin e parkut, të quajtur si “Xhepi i Urban”.
Në një përgjigje për Ndërtimi.info, Drejtoresha e Drejtorisë së Parqeve në Komunën e Prishtinës, Donika Çetta, thotë se ndërtimi i këtij parku ka qenë domosdoshmëri, shkaku i rrezikut nga rrëshqitja e dheut.
“Më datë 22.11.2022 kanë filluar punimet për revitalizimin e hapësirave publike/ndërtimin e “Xhepit Urban”, në lagjen Arbëria 3, në Prishtinë.
Lokacioni gjendet në lagjen Arbëria, qasja bëhet nga rruga Vicianum në rrugën “Ahmet Krasniqi” (përballë ambasadës së Austrisë) e cila është pronë komunale dhe do të ju ofrojë qytetarëve qasje në të dy anët e rrugëve. Ndërtimi i këtij parku ka qenë domosdoshmëri për sigurinë e banorëve pasi është zonë me potencial të rrëshqitjes së dheut dhe duhet trajtuar”.
Çetta shtoi se në këtë park përveq sipërfaqeve gjelbëruese do të ketë edhe shtigje për këmbësor dhe shkallë ndërlidhëse me rrugë, ndërsa kosto e përgjithshme e ndërtimit të këtij parku pritet të jetë mbi 250 mijë euro.
“Lokacioni ka një sipërfaqe prej 1,093 m² .Hapësirat që i përmban ky park janë:
– Sipërfaqe gjelbëruese
– Shtigjet – pushimoret për këmbësorë
– Shkallët – që ndërlidhin rrugët
Ndërtimi i “Xhepit Urban”, do të bëhet me qëllim të revitalizimit, krijimit të hapësirave të reja të gjelbëra, rritjes së funksionalitetit dhe përdorimit të hapësirave publike në atë lokacion, si projekt i iniciuar nga Drejtoria e Menaxhimit të Hapësirave Publike dhe Parqeve e Komunës së Prishtinës.
Kostoja totale e projektit është 277,327.55€ dhe sipas planit dinamik pritet të përfundojë në periudhën kohore prej 90 ditësh”.
Ajo foli edhe për vendimin e Qeverisë që paratë e pashfrytëzuara nga Kryeqyteti të shkojnë në fondin e Qeverisë, ku tha se një vendim ndër të tjera dëmton edhe projektet e planifikuara nga Drejtoria e Parqeve.
“ Ashtu siç edhe ka thënë Kryetari i Kryeqytetit Z. Përparim Rama, nëse ky Projektligj për Buxhetin e vitit 2023 miratohet në formën aktuale do të dëmtojë rëndë zhvillimin e projekteve të Kryeqytetit gjë e cila do të ndikojë edhe në projektet e Drejtorisë së Menaxhimit të Hapësirave Publike dhe Parqeve”
Projekti për ndërtimin e “Xhepit Urban” në lagjen Arbëria ka një afat prej 90 ditësh./Media Ndërtimi