Katër organizata ndërkombëtare mjedisore kanë ngritur alarmin mbi investimet në hidrocentrale në Ballkanin Perëndimor, përmes një raporti të publikuar të mërkurën.
Organizatat Bankwatch, EuroNatur, Riverwatch and WWF Adria, përmendin 9 raste nga rajoni të hidrocentraleve me rrezik më të lartë, ku për Shqipërinë veçojnë Skavicën.
Raporti thotë se qindra hidrocentralë të vegjël të dëmshëm për biodiversitetin janë ndërtuar në të gjithë rajoin, “përpjekjet për të ndërtuar diga më të mëdha të gjelbra kanë dështuar”, duke rezultuar të mundura vetëm në Shqipëri dhe Slloveni, shkruan Citizens-channel.
“Vendet, sistemet energjetike të të cilave varen nga hidrocentralet, do të paguajnë një çmim të lartë pasi ndikimet e ndryshimeve klimatike intensifikohen dhe thatësirat dhe përmbytjet bëhen më të shpeshta”, – tha Amelie Huber nga Fondacioni EuroNatur gjatë një konference ku u prezantua raporti.
Ulrich Eichelmann nga Riverwatch vendosi theksin tek rritja e rezistencës nga ana e komuniteteve në mbrojtje të natyrës.
“Për fat të mirë, njerëzit po e kuptojnë gjithnjë e më shumë vlerën e vërtetë të lumenjve të Ballkanit dhe po luftojnë gjithnjë e më shumë projektet e digave dhe po fitojnë”, – tha Eichelman.
“Varësia nga HEC-et”
Sipas raportit të 4 organizatave, Shqipëria është pothuajse 100 për qind e varur nga hidrocentralet për prodhimin vendas.
“Shqipëria ka instaluar më shumë se 600 MWh në hidrocentrale të mëdha që prej vitit 2010, megjithatë prodhimi mesatar nuk rezulton të jetë rritur së tepërmi gjatë periudhës 2010-2020”, ka gjetur raporti, duke e renditur vendin tonë ndër më të varurit nga hidrocentralet në rajon, bashkë me Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë dhe Malin e Zi.
“Hidrocentralet thajnë ujin për vaditje”
Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregoi se ndërtimi i hidrocentraleve po than ujin e lumenjve, duke i lënë tokat bujqësore pa vaditje dhe duke ndikuar në biodiversitet, shkruan Citizens-channel.
“Shqipëria duket se së fundmi ka kuptuar rrezikun e të qënit kaq të varur prej hidrocentraleve, duke u përpjekur gjatë viteve të fundit të zhvillojë burimet për energjinë e erës dhe atë diellore”, thuhet më tej në raportin e organziatave ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore nga viti 2005 deri në vitin 2022 (Mars), janë nënshkruar në total 282 kontrata për ndertimin e 621 Hec-eve, nga të cilat 25 kontrata për ndërtimin e 128 Hec-eve janë ndërprerë.
Pra, aktualisht janë 257 kontrata aktive, për ndërtimin e 493 Hec-eve, të nënshkruara në periudhën 2005-2022.
142 nga kontratat aktive të nënshkruara në periudhen 2005-2022 janë në fazën e prodhimit të energjisë.
Zbatimi i procesurave ligjore në ndërtimit e HEC-eve shpesh është shoqëruar me shkelje.
Auditimi i KLSH zbuloi shkelje për dy HEC-et “Madhesh” dhe “Traja 1”, në zbatimin e procedurave ligjore dhe ka rekomanduar që të rishikohen kushtet e lejes për kompanitë.
Po ashtu ky auditim zbuloi se si banorët u lanë pa ujë për vaditje në rastin e lumit të Lunresë në Mat. Gjithashtu raporti vlerëson se institucionet kanë shkelur ligjin duke mos rishikuar kushtet e lejeve./Media Ndërtimi.