Dy vite më pas që kur gërmuesit ilegalë zbuluan një sarkofag të lashtë në Kosovën jugore, autoritetet nuk kanë bërë asgjë për ta ruajtur arkivolin e gdhendur prej guri apo për ta hetuar vendin rreth tij.
Në maj të vitit 2020, një fermer shqiptar nga Kosova po i ruante lopët e tij në malet e Kosovës jugore kur hasi në një sarkofag të hapur.
Legjendat mbi betejat dhe gjakderdhjen janë të shumta në zonën përreth Krivenikut, ku fermeri jetonte afër kufirit me Maqedoninë e Veriut, dhe dukej se sarkofagu ishte gjetur gjatë një gërmimi të paligjshëm për një thesar të fshehur.
Arkivolë me zbukurim prej guri, sarkofagët janë tipikë për qytetërimet e lashta, të tilla si qytetërimet romake, egjiptiane dhe greke dhe zakonisht rezervohen për aristokratët që varroseshin së bashku me bizhuteri, ari, shpata dhe sende të tjera me vlerë.
“Ne e kemi njoftuar policinë dhe policia është marrë me të,” kujton banori i Krivenikut, Shyqeri Thaçi, i cili i referua gdhendjes së saj “interesante”, të ndërlikuar.
Policia e ka njoftuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, e cila në fund është përgjegjëse për objektet e trashëgimisë kulturore.
Dy vjet më vonë, megjithatë, kur reporterët e BIRN e vizituan vendin e sarkofagut, ata gjetën pak prova për ndonjë angazhim zyrtar për ta mbrojtur të njëtin; vendi aty ishte mbuluar me dhé dhe një grumbull pllakash guri të thyera ishin shtrirë në tokë, përfshirë edhe kapakun.
“Dikush e mbuloi atë, ilegalisht – edhe një herë ilegalisht”, tha Thaçi, duke e shfryrë dëshpërimin e madh mbi mënyrën se si Kosova e mbron trashëgiminë e saj kulturore.
Banor i Krivenikut, Shyqeri Thaçi, duke treguar sarkofagun antik dhe historitë e zonës përreth. Foto: BIRN
Legjenda, thesare dhe zbulime të rastësishme arkeologjike
Kosovës i mungon një kornizë solide ligjore për funksionimin e Institutit Arkeologjik të Kosovës, duke e penguar aftësinë e tij për t’i mbrojtur vendet dhe zbulimet e rëndësishme dhe madje edhe për të angazhuar punë me kohë të pjesshme për gërmime.
BIRN në mënyrë të përsëritur e ka mbuluar neglizhencën institucionale që e rrënon qasjen e Kosovës ndaj trashëgimisë kulturore. Në janar të vitit 2020, BIRN raportoi për mungesën e energjisë elektrike, ngrohjen me ndërprerje dhe pagat e papaguara në një park arkeologjik në vendin e një qyteti dikur të madh romak në Kosovë. Që atëherë nuk ka pasur asnjë përmirësim të dukshëm.
Në gusht të vitit të kaluar, BIRN raportoi për gjendjen e zymtë të 10 hamameve turke në Kosovë, të listuara si monumente të trashëgimisë kulturore, me vetëm disa individë që kërkuan restaurimin e tyre si qendra kulturore apo banja.
Rrëfimet e një vendbanimi të lashtë janë përcjellë brez pas brezi në rajonin e Krivenikut ku u gjet sarkofagu.
Pak më shumë se dy dekada më parë, ajo zonë e largët ishte një strehë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, gjatë fushatës së saj guerile për ta hequr qafe sundimin represiv të Serbisë.
Në retrospektivë, në fund të shekullit të 19-të kjo zonë besohet se ishte e populluar nga shqiptarë të dëbuar nga pjesë të tjera të Ballkanit dhe të cilët u bënë të njohur si ‘muhaxherë’, nga arabishtja muhajir që do të thotë ‘mërgimtarëë’ ose ‘migrantë’. Banorët e sotëm thonë se muhaxherët u vranë nga forcat serbe dhe u varros me pasuritë e tyre më të çmuara.
“Kjo është arsyeja pse njerëzit gërmojnë këtu ilegalisht”, tha Thaçi.
“Besoj se gërmimet ilegale u bënë për përfitime personale, duke menduar se këtu fshihej diçka e vlefshme,” tha ai për BIRN. “Siç na e thotë historia, ka flori në këto pjesë.”
Megjithatë, sarkofagu i paraprin muhaxherit dhe mbështet pretendimet e banorëve vendas se dikur rreth Krivenikut ndodhej një vendbanim i lashtë. Vendasit kënaqen me mistikën, por janë të shqetësuar nga neglizhenca e dukshme e shfaqur nga autoritetet.
Ata thonë se nuk janë kontaktuar asnjëherë nga ministria në lidhje me sarkofagun.
Ministria nuk pranoi të komentonte për këtë rrëfim dhe departamenti i saj medialt, sipas një e-maili të siguruar nga BIRN, iu dha instruksione drejtuesve të institucioneve kulturore dhe arkeologët e tyre që iu drejtuan për ndonjë koment që së pari të kërkonin leje nga ministria.
Ministria mohoi t’u mbyllur gojën ekspertëve të saj, por të gjithë ata që folën me BIRN thanë se nuk kishin leje të flisnin me mediat.
Duke folur në kushte anonimiteti, megjithatë, arkeologët thanë se nga kontrollet fillestare u konstatua se sarkofagu ishte rreth 1500 vjeçar dhe se kishin rekomanduar që ai të gërmohej dhe të transferohej në Shtëpinë e Kulturës të komunës së Hanit të Elezit, pjesë e të cilit është Kriveniku, për vlerësim të mëtejshëm.
Ekspertët në Institutin Arkeologjik të Kosovës kërkuan mbështetje nga ministria për hetime të mëtejshme të lokacionit, por kjo nuk ishte e mundur. Disa ekspertë besojnë se mund të ketë më shumë relikte që mund të gjinden në atë zonë./Media Ndërtimi.
Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight.