Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu në një intervistë në televizionin publik foli për çështjen e Manastirit të Deçanit, për çfarë kishin ardhur përfaqësuesit Evropa Nostra, të cilët ishin takuar me ministrin Aliu dhe me ministrin e Kulturës Hajrullah Çeku, sipas të cilëve ky manastir cilësohej si i rrezikuar.
Ministri Aliu lidhur me këtë vizitë tha se takimi ishte i mirëseardhur për shkak se Manastiri i Deçanit ishte shpallur si një nga 7 monumente të rrezikuara, vendim që është publikuar asokohe në vitin që shkoi nga Evropa Nostra, sipas të cilit Manastiri rrezikohet nga elementët ekstremistë që lidhet me radikalizmin fetarë që përmendet organizata ISIS.
“Ky ka qenë dëmtim i jashtëzakonshëm i imazhit të Republikës së Kosovës, ndonëse nuk kishte asnjë bazë, asnjë fakt të vetëm, nuk di as prej nga e kanë marrë a si ka buruar kjo e dhënë, pa kontaktuar as organet e sigurisë në Kosovë, qoftë Policinë ë Kosovës, qoftë KFOR-in, qoftë institucionet që merren me trashëgiminë kulturore. Thjeshtë kanë publikuar një shpallje të tillë për Manastirin e Deçanit, që ka dëmtuar shumë imazhin e Republikës së Kosovës”, tha ministri Aliu në televizionin publik të Kosovës.
Lidhur me këtë çështje, ministri Aliu sqaroi se edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka reaguar përmes letrave dërguar atyre që nuk kanë kthyer asnjë përgjigje. Veç kësaj kanë insistuar të kenë takime, por deri më tani jo.
“Ne ua shprehëm shqetësimin tonë, faktin që është dëmtuar imazhi i Republikës së Kosovës, ndërkohë që ata thanë që ende nuk ka raport të plotë për këtë çështje”, shtoi ministri Aliu.
Tutje ai theksoi se nuk mund t’i lihet objekti i trashëgimisë kulturore në dorë të një kleri fetar, sikundër ka ndodhur në Patrikanën e Pejës, që kleri fetar ka dëmtuar objektin e trashëgimisë kulturore, sepse është objekt kulturor me vlerë botërore, që duhet trajtuar profesionalisht./Media Ndërtimi.