Connect with us

Ambienti

Fabrika e Bllokave në Skenderaj akuzohet nga banorët për ndotje të ambientit

Published

on

Dikur konsiderohej si arritja më e madhe ekonomike në Drenicë. Por tash, fabrika e bllokave që punëson afërsisht 50 punëtorë, po akuzohet nga banorët e Skënderajt për ndotjen e ambientit. Pronarët, që janë vëllezërit e njohur Geci nga Llausha, thonë se asnjëherë nuk kanë pranuar ankesa nga banorët.

Ndërsa, komuna e Skënderajt, deklaroi se për shkak të kompetencave të kufizuara, ankesat e banorëve i kanë adresuar në Ministrinë e Ambientit, e cila, përkundër interesimit të Nacionales, nuk ka kthyer përgjigje.

E funksionalizuar në vitet e 80-ta, fabrika e bllokave e ndërpreu punën gjatë kohës së luftës, për t’ia rifilluar në vitin 2005, kur Agjencia e Privatizimit ia shiti kompaninë vëllezërve Geci, shkruan Nacionale.com.

Tani kjo fabrikë ka afërsisht 50 punëtorë, varësisht nga kërkesa e tregut.

Pavarësisht përfitimeve ekonomike që i sjell komunës së Skënderajt, qytetarët ankohen se po ua pamundëson jetën banorëve që jetojnë në afërsi të kësaj fabrike.

“Si të çohem duhet me ndejtë me një leckë n’dorë me e fshi tavolinën e oborrit, tani me hi mrena me bo kafen, se s’ki çka sheh nga mbetjet që vijnë prej fabrikës”, fillon rrëfimin një banore e lagjes 2-3 në Skënderaj, e cila insistoi të mbetet anonime për arsye personale.

As bahçet e mbjella me perime nuk po i shpëtojnë pluhurit që vjen nga kjo fabrikë.

“Këtu kam mbjellë kepë, kastraveca, patlixhana… qysh po e sheh edhe ti vetë, krejt janë me hi që vjen prej fabrikës. Krejt gjethet e mbuluara, po edhe fryti, përveç kepëve që janë ndër dhe, se përndryshe asnja nuk hahet këtu”, tha banorja, që ankohet pa ndalur për problemin e ndotjes nga fabrika e vëllezërve Geci.

Por, e njëjta nuk qëndron për pronarët e kësaj fabrike. Vëllezërit Geci insistojnë se pluhuri që lëshon fabrika është një ndotje e vogël që nuk i bën dëm askujt.

“Më pasë kanë e damshme unë më së pari nuk i kisha lënë femijët e mi këtu me jetu, e as veten. Nëse del najkush prej komunës a prej qeverisë që na thotë se jemi tu shkaktu ndotje të ajrit, atëherë ne e ndalim prodhimin. Mund të ketë pak ndotje, ama nuk është e dëmshme”, tha njëri nga vëllezërit e shumtë Geci.

Ata pohojnë se asnjëherë nuk kanë marrë ankesa nga ndonjë banor, por disa individë po tentojnë t’ua prishin imazhin.

Një banor tjetër i rrethinës, rrëfeu për Nacionalen problemet që po ua shkakton ndotja e ajrit nga fabrika e bllokave.

“Ata atje as që dojnë me ni për këtë punë, e as që dojnë me ditë që na çdo ditë përballemi me problemet e njëjta. S’kem çka dalim në oborr, s’mundemi me i vendosë teshat në tel, as verë e as dimër. Fasadat e shpijave krejt janë nxi, këqyre anej bahçen që kemi mbjellë, krejt të hinta. Mos me mujtë njeri me dalë në oborr të vetin, se s’dojnë me harxhu për filtera”, i tha Nacionales D.H. në kushte anonimiteti.

Por, informacione të tjera ka nga Komuna e Skënderajt. Institucionet komunale, që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës, i treguan gazetës Nocionale se në adresë të tyre kanë pranuar ankesa nga banorët. Megjithatë, për shkak të kompetencave të kufizuara, nuk kanë arritur të bëjnë asgjë. Por, të njëjtat, thonë t’i kenë adresuar në nivelin qendror.

“Edhe në të kaluarën kemi pranuar ankesa nga banorët e zonës në afërsi me fabrikën. Në mungesë të inspektorit të mjedisit, ne ankesat e tyre i kemi adresuar në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, meqë është në kompetencën e kësaj ministrie që përmes aparaturës përkatëse të bëhet matja e nivelit të emetimit të gazrave nga tymtarët e objekteve industriale. Si Drejtori Komunale e Inspekcionit, nuk kemi ndonjë raport inspektimi”, tha Valon Halili nga Drejtoria e Inspektoriatit të komunës së Skënderajt.

Pronarët e fabrikës çuditen se pse banorët po i adresojnë ankesat e tyre përmes mediave, e jo direkt në adresë të tyre.

“Qëllimin s’e di ku e kanë, ata duhet me ardhë drejt e tek ne, jo me shku përmes mediave, pasi që mediat e drejtojnë ketë temë siç dojnë ato, dhe ne mundemi me u dëmtu”, shton njëri nga vëllezërit Geci.

Vëllezërit Geci, me gjithë këmbënguljen tonë për një sqarim më të gjerë se si kanë planifikuar vendosjen e filtrave, nuk kanë ofruar një përgjigje më të qartë.

As Inspektorati Komunal nuk tregoi nëse ata kanë inspektuar ndonjëherë fabrikën, pavarësisht ankesave të mëdha nga banorët.

Kosova kryeson vendet e Ballkanit Perëndimor për sa i përket vdekjeve nga ndotja e ajrit. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia Evropiane e Mjedisit, Kosova ka mbi 3000 vdekje në vit si pasojë e ajrit të ndotur.

Për çështjen e ndotjes së ajrit nga fabrika e bllokave në Skënderaj, Nacionale ka kërkuar sqarime nga Ministra e Ambientit e udhëhequr nga ministri Liburn Aliu. Ata, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë kthyer përgjigje.

Ambienti

Në mbrojtje të Parkut Kombëtar të Sharrit nga efektet e hidrocentraleve!

Published

on

Organizatë joqeveritare ‘EcoZ’ fton të bashkohenu në kampanjën për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Sharrit nga efektet e hidrocentraleve.

Hidrocentralet në Parkun Kombëtar të Sharrit kanë ndikuar në mirëqenien e banorëve dhe kanë ndryshuar tashmë në mënyrë kritike habitatet ujore.

“Bashkohuni me ne më 07 Maj në orën 10:00 për të shfaqur solidaritetin tuaj dhe për të kërkuar masat e nevojshme për të ruajtur pasuritë natyrore që këto hidrocentrale po i rrezikojnë.

Kjo kampanjë implementohet në bashkëpunim me Riverwatch dhe Save the Blue Heart of Europe.|, shkruan në njoftimin e EkoZ./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ambienti

Markat e njohura të modës “Zara” dhe “H&M” akuzohen për shpyllëzimin dhe grabitjen e tokava në Brazil

Published

on

Markat e njohura të industrisë së modës si “Zara” dhe “H&M” shesin veshje të prodhuara nga pambuku i punishteve të Brazilit. Ky prodhim lidhet me shpyllëzimin dhe grabitjen e tokave, sipas një hulumtimi të ri.

Përpara se të mbërrijnë në vitrinat e gjigantëve të modës si Zara dhe H&M, pantallonat e pambukta, këmishat dhe çorapet lënë pas në Brazil gjurmë shpyllëzimi, grabitje tokash dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Edhe pse shumë prej tyre mbajnë etiketën e një produkti të qëndrueshëm, një hetim njëvjeçar i shoqatës “Earthsight” në Mbretërinë e Bashkuar, ka hulumtuar në mënyrë të detajuar lidhjen ndërmjet të korrave në Brazil, prodhuesi i katërt më i madh në botë i pambukut, dhe markave europiane. “Earthsight” analizoi pamje satelitore, bilance transporti, arkiva publike dhe vizitoi rajonit e prodhimit, në mënyrë që të vërtetojë “zgrapjen” e 816 mijë tonëve pambuk.

Sipas raportit, lënda e parë prodhohej specifikisht për tetë kompani aziatike të cilat, në periudhën 2014-2023, prodhuan rreth 250 milionë artikuj pakice. Sipas hetimit, shumica e tyre furnizoi kryesisht kompanitë e veshjeve “Zara” dhe “H&M”.

“Është tronditëse të shohësh lidhjen mes këtyre markave të njohura botërore, që dukshëm nuk përpiqen të kontrollojnë zinxhirët furnizues, në mënyrë që të dinë se nga vjen ky pambuk dhe çfarë ndikimi shkakton” – thotë për DW drejtuesi i kërkimeve mbi shpyllëzimin në “Earthsight”, Rubens Carvalho.

Problemi qëndron që tek burimi: pambuku për eksport kultivohet kryesisht në pjesën perëndimore të shtetit Bahia, rajon i shtrirë në savanën tropikale dhe me një biodiversitet të jashtëzakonshëm, të quajtur Cerrado.

Bimësia në Cerrado shpesh shkatërrohet në mënyrë të paligjshme, për të krijuar hapësirë për të korrat dhe kultivimin. Sipas Institutit Kombëtar për Kërkime Hapësinore në Brazil, shpyllëzimi atje është dyfishuar në pesë vitet e fundit,

Shpyllëzim dhe grabitje tokash

Mes rasteve të hetuara në raport është dhe raporti mbi grupin “SLC Agricola”, i cili pretendohet të jetë përgjegjës për 11% të pambukut të eksportuar të Brazilit. “Earthsight” ka arritur në përfundimin se në 12 vitet e fundit, toka e Cerrados, sipërfaqja e së cilës është e barazvlefshme me 40 mijë fusha futbolli, është shkatërruar nga fabrikat e “SLC”.

Sipas qendrës kërkimore “Chain Reaction Research”, në vitin 2020, “SLC” e cila kultivon edhe sojë, u shpall shpyllëzuesi më i madh i këtij habitati.

Në vitin 2021, “SLC” u angazhua për të pasur një politikë kundër shpyllëzimit. Një vit më vonë, raporti i publikuar nga shoqata konsulente “Aidenvironment” zbuloi se 1365 hektarë të Cerrados ishin rrafshuar brenda tokave ku kultivohej pambuk. Dhe thuajse gjysma e kësaj sipërfaqeje ndodhej brenda një zone të ligjshme.

Të pyetur rreth këtyre pretendimeve, kompania i tha DW se “të gjitha konvertimet e bimësisë vendase të bëra nga SLC ishin kryer brenda kufijve ligjorë”.

H&M i tha DW-së se “gjetjet e raportit janë tepër shqetësuese”, duke shtuar se po e trajtojnë çështjen me shumë seriozitet. “Ne jemi në dialog të vazhdueshëm me Better Cotton për të ndjekur rezultatet e hetimit dhe hapat e tjerë që do të ndërmerren për të forcuar dhe rishikuar standardet” – tha kompania përmes një emaili.

Zara i tha DW se dhe ajo “i merr shumë seriozisht akuzat ndaj Better Cotton” dhe kërkon që certifikuesi të ndajë me kompaninë rezultatin e hetimit sa më parë që të jetë e mundur.

Continue Reading

Ambienti

Mobilet IKEA shkatërrojnë disa nga pyjet e fundit të lashtë të Evropës

Published

on

Prodhuesit e mobiljeve që prodhojnë për IKEA po sigurojnë dru nga disa nga pyjet e fundit të mbetura të vjetra të Evropës në Karpatet rumune, duke përfshirë zonat e mbrojtura të Natura 2000, zbulon raporti i ri.

Një hetim i Greenpeace zbulon se shtatë prodhues që prodhojnë produktet e preferuara të të gjitha kohërave të IKEA-s, si karriget INGOLF ose krevatet dhe shtretërit e foshnjave SNIGLAR për fëmijë, janë të lidhur me shkatërrimin e pyjeve me vlerë të lartë ruajtjeje.

Të paktën 30 produkte të ndryshme nga këta furnizues u gjetën në dyqanet IKEA në 13 vende: Austri, Belgjikë, Çeki, Finlandë, Francë, Gjermani, Hungari, Itali, Izrael, Poloni, Suedi, Zvicër dhe MB. Greenpeace i bën thirrje IKEA-s që të bëhet pjesë e zgjidhjes në vend që të kontribuojë në krizat e vazhdueshme të klimës dhe biodiversitetit.

Robert Cyglicki, Drejtor i Fushatës së Biodiversitetit në Greenpeace në Evropën Qendrore dhe Lindore, tha: “Trashëgimia jonë e natyrës nuk mund të shndërrohet në mobilje. Pyjet e vjetra janë jetike për shëndetin e planetit dhe duhet të mbrohen menjëherë. IKEA duhet të përmbushë premtimet e veta për qëndrueshmërinë dhe të pastrojë zinxhirin e saj të furnizimit nga shkatërrimi i pyjeve të vjetra.”

Raporti Mblidhni të vërtetën: Shkatërrimi i pyjeve të vjetra në Karpatet Rumune u hulumtua dhe u shkrua nga Greenpeace Evropa Qendrore dhe Lindore.

Ekipet e hetimit ndoqën zinxhirin e furnizimit nga analizimi i lejeve dhe imazheve satelitore të vendeve të prerjes së druve në pyjet në Rumani deri te depot e drurit dhe prodhuesit e mobiljeve, ku përfundojnë ato produkte: në raftet e dyqaneve IKEA.

U zbulua se disa prodhues sigurojnë dru nga pyjet me vlerë të lartë ruajtjeje. Bazuar në informacionin e disponueshëm publikisht, IKEA është klienti më i madh i produkteve të prodhuara nga shumica e këtyre kompanive, duke nënkuptuar një probabilitet të lartë që druri problematik të përfundojë në mobiljet IKEA. Sipas raportit, kjo duket e sigurt në rastin e një prodhuesi, Plimob, pasi Plimob prodhon praktikisht ekskluzivisht për IKEA.

Greenpeace CEE i dha IKEA-s mundësinë për të komentuar mbi gjetjet e këtij hetimi. IKEA nuk e kundërshtoi informacionin. Nga prodhuesit, njëri pranoi marrjen e lëndës drusore nga një zonë e Natura 2000, duke deklaruar se një shkatërrim i tillë nuk është i paligjshëm, ndërsa disa nuk u përgjigjën.

Greenpeace pranon se mobiljet në përgjithësi janë një mënyrë e mirë për të përdorur drurin, për të ruajtur karbonin dhe për t’i shtuar vlerë lëndëve të para, por kjo nuk duhet të ndodhë duke sakrifikuar pyjet biologjikisht më të larmishëm të planetit. Karpatet janë shtëpia e arinjve të murrmë, rrëqebullit dhe ujqërve dhe bizonit evropian dhe janë ndër refugjatët më të rëndësishëm të florës dhe faunës në kontinentin evropian.

Problemi është se kompanitë dhe autoritetet duan të shmangin identifikimin e zonave si pyje parësore ose të vjetra për të shmangur kufizimet, gjë që çon në faktin se vetëm 2.4% (1700 km²) e pyjeve të Karpateve Rumune janë aktualisht të mbrojtura kundër prerjeve.

Në të njëjtën kohë, të dhënat zyrtare sugjerojnë se rreth 7% e pyjeve rumune janë mbi 120 vjeç.[4] Sipas strategjisë së BE-së për Biodiversitetin, këto pyje duhet të mbrohen rreptësisht. “IKEA duhet të bëhet një korporatë e para për veprimet e nevojshme politike për të vendosur masa ligjore të detyrueshme dhe efektive për mbrojtjen e biodiversitetit për të përmbushur objektivat e biodiversitetit të Evropës,” përfundon Cyglicki./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending