Nga 2023 prodhimi dhe transaksionet e kriptovalutave tatohet me 15 per qind
Të gjitha bizneset që do të licencohen në aktivitetin e prodhimit të kriptomonedhave në Shqipëri, do të tatohen me 15% prej vitit të ardhshëm.
Propozimin e parashikuar në projektligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat, ekspertët e cilësojnë një hap të nxituar dhe pa efekt pozitiv në ekonomi. “Ndoshta në ligj le të theksohet por nuk ka efekte sepse në këto momente ne e dimë që 0% e ndërmarrjeve që potencialisht ushtrojnë aktivitet janë të licencuar.
Porsa kohë ne nuk kemi licenca, edhe efekti apo impakti që do të ketë do të jetë zero”, thotë eksperti i ekonomisë Genti Beqiri, raporton Shqiptarja.com
Eksperti Genti Beqiri thekson se përsa kohë nuk ka kompani të licencuara për këtë aktivitet, por nga ana tjetër ka subjekte që punojnë në mënyrë të paligjshme, vendosja e tatimit mund të nxisë më tej informalitetin.
“Ndoshta është e përshpejtuar 15%, sepse ne kërkonim që ky sektor të zhvillohej të kishim njerëz të interesuar, të regjistruar dhe të formalizoheshin. Vendosja e tatimit 15% vazhdon ti mbaj ato në informalitet dhe nuk do i stimulojë.
Ndoshta ato duhet të ishin pjesë e një ligji më të përgjithshëm por jemi duke i mbajtur në informalitet edhe ato që janë sektor aktualisht duke mos u formalizuar”, shprehet eksperti Beqiri.
Po ashtu do të tatohen të gjitha transaksionet që do të kryejnë bizneset me mjete virtuale.
Sipas projektligjit, kur të ardhurat klasifikohen nga investimet me përjashtim të dividendëve do të tatohen me 15%, ndërsa të ardhurat nga biznesi kanë shkallë të ndryshme tatimi, në varësi të të ardhurave që krijon gjatë një viti.
Prej vitit 2020 në Shqipëri ka hyrë në fuqi ligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, që i hap rrugën përdorimit të kriptovalutave në vend, por deri më tani nuk raportohet për asnjë subjekt të licencuar, pavarësisht se policia ka identifikuar raste të ushtrimit të aktivitetit në paligjshmëri./Media Ndërtimi.