Kanë kaluar dhjetë vjet nga koha kur Universiteti i Prishtinës ka nisur një betejë gjyqësore për të drejtën e shfrytëzimit të një parcele të tokës afër kampusit universitar, ku gjendet një kishë e papërfunduar ortodokse.
UP-ja dhe Kisha Ortodokse Serbe po përballen në një proces të stërzgjatur gjyqësor dhe të dyja palët thonë se ai nuk është as afër fundit.
Vendimi gjyqësor për tokën 4-hektarëshe do të mund të përcaktonte fatin e kishës së papërfunduar, të quajtur Kisha e Krishtit Shpëtimtar.
UP-ja pretendon se ky objekt është ndërtuar ilegalisht në tokën e universitetit në vitet ’90. Historianët e lidhin atë me represionin e regjimit të atëhershëm serb, me në krye Sllobodan Millosheviqin.
Kisha Ortodokse Serbe, në anën tjetër, mohon se objekti ka karakter politik dhe kërkon që të lejohet shfrytëzimi i tij për rite fetare.
Toka e kontestuar, ku gjendet kisha, është në pronësi të Komunës së Prishtinës.
Universiteti i Prishtinës, në padinë që ka ushtruar në gjykatë, pretendon se tokën e ka pasur në shfrytëzim të lirë e të papenguar nga viti 1975.
Sipas UP-së, kjo tokë i është dhënë kishës në shfrytëzim, në mënyrë të jashtëligjshme, në vitin 1990.
Nga Kisha Ortodokse Serbe këmbëngulin se “nuk kanë nevojë të fitojnë të drejtën mbi tokën”, pasi toka dhe objekti kishtar, sipas tyre, i takojnë Kishës Ortodokse Serbe.
“Është detyrë e palës tjetër ta provojë të kundërtën”, thotë për Radion Evropa e Lirë Aleksandar Radovanoviq, avokat përfaqësues i Kishës Ortodokse Serbe.
Çështja e të drejtës së shfrytëzimit të tokës në kampusin universitar është bërë lëndë gjyqësore nga viti 2012.
Universiteti i Prishtinës e ka humbur gjyqin fillestar lidhur me këtë çështje, pas mosparaqitjes së përfaqësuesve të tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në vitin 2015.
Më pas, edhe Gjykata e Apelit në vitin 2017 i ka dhënë të drejtë Kishës për pronësinë e tokës, duke e hedhur poshtë padinë e UP-së.
Në po atë vit, UP-ja ka iniciuar një padi të re, për të cilën nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore deri në fillim të vitit 2021./Media Ndërtimi.