Connect with us

Infrastrukturë

Energjia e ripërtëritshme, bateritë dhe Kosova

Published

on

Shkruar nga Adhurim Haxhimusa (FHGR, Zvicër), Kristian Sevdari (DTU, Danimarkë)

Në natyrën njerëzore është që të korrurat (p.sh. drithërat) të vendosen nëpër depo (hambar) të mëdha dhe të ruhen për konsum të më vonshëm. Në të njëjtën kohë, pothuajse çdo plan shtëpie/banesë e ka një depo të vogël për të mbajtur/ruajtur miellin, vajin, orizin, pijet, e shumë gjëra të tjera ushqimore. Thjeshtë, familjet planifikojnë dhe duan të kenë të siguruar mirëqenien e tyre për një kohë të caktuar.

Mirëpo jo çdo produkt kemi mundësi ta ruajmë lehtë, lirë, dhe shpejtë. Energjia elektrike është një prej produkteve të tilla. Në dhjetë vitet e fundit kemi pasë furnizim shumë më të qëndrueshëm me energji elektrike si rezultat i eliminimit të problemeve teknike nga mirëmbajtja e rregullt dhe menaxhim i mirëfilltë i blloqeve të termocentraleve të thëngjillit të Kosovës A dhe B.

Problemi i prodhimit të energjisë elektrike me termocentrale të thëngjillit është se ato shkaktojnë ndotje të lartë të ambientit në nivelin lokal, por që në të njëjtën kohë po ndikon edhe në ndryshimet klimatike në nivel global.

Si rezultat, vendet anë e mbanë botës kanë vendosë të bëjnë një tranzicion energjetik duke kaluar nga përdorimi i burimeve të energjisë që ndotin ambientin (p.sh. thëngjilli, gazi, derivatet e naftës) në burime të ripërtëritshme të energjisë (BRE) (p.sh. erës, diellit, gjeotermale) në dy dekadat e ardhshme.

Një tranzicion të tillë energjetik e ka obligim edhe Kosova si nënshkruese e Traktatit të Energjisë. Kosova ka në plan por edhe ka filluar të investoj në diverzifikimin e burimeve të energjisë me anë të BRE-ve, ku edhe para pak ditësh u bë edhe futja në funksion e parkut tjetër të erës me 105 megavat (MW) kapacitet të energjisë elektrike në veri të Kosovës.

Mirëpo, BRE-të kanë një varësi të lartë nga kushtet atmosferike. Është e thjeshtë, mullinjtë e erës rrotullohen rreth boshtit të tyre dhe prodhojnë energji elektrike varësisht nga intenziteti i erës. Po ashtu panelet diellore prodhojnë energji elektrike vetëm gjatë ditës dhe varësisht nga intenziteti i rrezeve të diellit.

Pra, varësisht nga kapaciteti gjenerues, në disa orë të ditës prodhimi nga BRE-të mund të kaloj konsumin, ndërsa në orë të tjera konsumi mund të jetë më i lartë se prodhimi. Kjo bën që furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike i bazuar vetëm në BRE bëhet sfidues.

Prandaj është e nevojshme që gjatë kohës kur kemi teprica të energjisë elektrike të ruajmë atë, për ta përdorur gjatë orëve kur konsumi është më i lartë se prodhimi.

Ky është koncepti i fleksibilitetit (në konsum dhe prodhim). Pra, për furnizim të qëndrueshëm të energjisë është e domosdoshme që të bëjmë një kombinim të BRE-ve me teknologjitë më të besueshme dhe eficiente të ruajtjes së energjisë.

Adhurim Haxhimusa, profesor dhe hulumtues në Univerzitetin e Shkencave të Aplikuara të Grizonit në Zvicër.

Kristian Sevdari, doktorant për mirëpërdorimin e baterive (Li-ion) dhe energjive të rinovueshme pranë DTU: E-mobility and Prosumer Integration. Gjithashtu, ndihmës-lektor i kursit të masterit “Integration of Wind power in the power system” pranë DTU-Wind and Energy Systems.

Artikulli është publikuar në Kallxo.com.
Fotografia: Arben Llapashtica

 

 

Infrastrukturë

Këto janë dhjetë qytetet më të mira për këmbësorët

Published

on

Me 1,475 miliardë automjete në botë dhe rreth 8,1 miliardë njerëz, ka afërsisht 182 makina për çdo 1000 njerëz.

Kjo do të thotë, se ka një pjesë të konsiderueshme të njerëzve në botë, që nuk mund të ngasin ose nuk kanë makinë.

Nëse jeni një nga ata njerëz, ose thjesht preferoni të lëvizni në një qytet në këmbë, në vend që të qëndroni pas timonit, atëherë lexoni më tej.

Sigurisht, shumë qytete në mbarë botën, mburren me sisteme shumë eficiente të transportit publik, por nëse jeni në gjendje, mënyra më e mirë për të vizituar një vend, është duke ecur.

Europa mbizotëron të gjithë kontinentet e tjera në këtë listë. Tokio është i vetmja qytet jo-europiane, në vendin e gjashtë. Por, duke qenë se kryeqyteti japonez, ka 264 rrugë për të ecur, sigurisht që ka fituar vendin e tij.

  1. Mynih
    2. Milano
    3. Varshavë
    4. Helsinki
    5. Parisi
    6. Tokio
    7. Madrid
    8. Oslo
    9. Kopenhagen
    10. Amsterdam janë qytetet më të mira për këmbësorët./Media Ndërtimi

 

Continue Reading

Infrastrukturë

Vihet gurthemeli i Klinikave të Hemato-onkologjisë dhe Nefrologjisë

Published

on

Gurthemeli për ndërtimin e objektit për Klinikën e Hemato-onkologjisë dhe Klinikën e Nefrologjisë u vendos sot (02.05.2024) nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi.

Ky objekt mbi 3 mijë e 700 metra katrorë do të kushtojë rreth 4.3 milionë euro dhe sipas ministrit do të plotësojë standardet moderne e do të mundësojë ofrimin e shërbimeve të reja.

“Do të plotësojë shumë standarde moderne, të cilat tani për shkaqe të infrastrukturës së vjetër dhe të dëmtuar, klinikat përkundër angazhimit dhe përkushtimit maksimal nuk kanë mundur të jepen një pjesë e shërbimeve” – tha ai.

Vitia tha se faza e implementimit të këtij projekti është 3 vjet.

1 mijë e 100 metra të kësaj hapësire, sipas Vitisë do të jenë për pjesën diagnostike të klinikave.

Mbi 3 mijë e 700 metra katrorë, ku rreth 1 mijë e 100 metra katrorë do të jenë për pjesën diagnostike.

“1 mijë e 100 metra katrorë, dyfishim të kapaciteteve për Nefrologji dhe diku rreth 1 mijë e 600 metra katrorë për hemato-onkologjinë” – shtoi ai.

Objekti i ri, siç tha minsitri përveç se do të ofrojë shërbime të jashtëzakonshme do të krijojë edhe kushte shumë më të mira pune për profesionistët shëndetësorë.

Hemato-onkologjia merret me kanceret e gjakut dhe të indeve gjakformuese, përfshirë leukeminë. Ndërsa, Nefrologjia është degë e mjekësisë e cila diagnostikon dhe trajton sëmundjet e lidhura me veshkat.

I pyetur nga KALLXO.com për vazhdimin e ndërtimit të objektit për Klinikën Emergjente, i cili mbeti në gjysmë, Vitia tha se Organi Shqyrtues i Prokurimit ka dhënë dritën e gjelbër dhe se sivjet do të vazhdojë puna për këtë objekt.

“Më në fund është zgjidhur nyja që ka zgjatur nga viti 2015-2016 në mos gaboj. Tani ka ardhë nga OSHP vlerësimi se krejt mund të vazhdojmë dhe po pritet nënshkrimi i kontratës për të filluar punën” – tha Vitia.

Pas ndërtimit të Emergjencës së re, udhëheqësi i shëndetësisë tha se Kosova do të ketë një nga qendrat emergjente më moderne në rajon.

Për këtë projekt ishin nisur hetime edhe nga Prokuroria./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Shtëpia-muze që ruan dhimbjet e viktimave të masakrës së Poklekut

Published

on

Këpucë, pantallona, xhemperë, xhaketa, libra, fletore e sende të tjera qëndrojnë si dëshmi të krimeve të luftës në shtëpinë-muze në fshatin Poklek të Drenasit.

Ato u takojnë disa prej 53 civilëve shqiptarë, kryesisht fëmijë, gra dhe të moshuar që u vranë dhe më pas u dogjën nga forcat policore serbe më 17 prill të vitit 1999.

Shtëpia u shndërrua në muze të kujtesës së krimeve ndaj popullatës civile nëpërmjet një intervenimi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Por, dyert e këtij objekti shumicën e kohës mbesin të mbyllura në mungesë të një ciceroni që vizitorëve do t’ua rrëfente këtë ngjarje tragjike.

Në këtë shtëpi, më 17 prill të vitit 1999 u vranë 24 fëmijë të moshës nga 6-muajsh e deri në 14 vjeç.

Atë ditë u vranë bashkëshortja dhe katër fëmijët e Fadil Muqollit.

Vajza, Shehidja, ishte 14 vjeçe, ndërsa djemtë: Naseri 12 vjeç, Ylberi 10 vjeç dhe Egzoni 4 vjeç.

“Është shumë e vështirë për t’u futur aty. Për ne, familjarët, është shumë e rëndë ta vizitojmë atë vend e lëre më ta mirëmbajmë”, shprehet Muqolli.

Si për shumë vrasje e masakra të tjera në mbarë Kosovën, as për Poklekun nuk pati dënime.

Disa familjarë, përfshirë Fadilin, shpresojnë se ndonjëherë do të ketë drejtësi dhe të dënohen personat që kryen vrasjet, por shumë të tjerë e kanë humbur shpresën.

Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë mbi 13.500 persona – 76 për qind e të cilëve besohet se kanë qenë civilë.

Për më shumë se 1.600 persona të zhdukur në luftë vazhdon kërkimi./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending