Rrugët e shtruara me kalldërm, gjallëria e njerëzve, kubetë e hamameve dhe xhamive, minaret, janë panorama e Shkupit të vjetër që ka arritur t’i mbijetojë kohës dhe të ngelet „imun” ndaj ndryshimeve që shpesh here shkatërrojnë pasuritë arkitektonike. Për këtë, çarshia ngelet një ndër vendet më të frekuentuara në Shkup nga ana e vizitorëve të huaj dhe vendas.
Çarshia e Shkupit (e njohur edhe si Çarshia e vjetër e Shkupit), është një strukturë urbane ku zhvillohet ekonomia nëpër njësitë komerciale të shumënumërta, duke e bërë atë të dallojë nga indi i mbetur urbanistik i qytetit. Fjala “çarshi” rrjedh nga dy fjalë të gjuhës perse “çar” që do të thotë katër, dhe “su” që do të thotë rrugë, pra katër rrugë – kryqëzim rrugësh.
Kjo fjalë erdhi në Shkup përmes pushtuesit osman (nga pasha Jigit, ne vitin 1392) i cili solli edhe kulturën arkitektonike të sajën në vend. Çarshia, si qendër sociale, komerciale e kulturore e vendit, u themelua mbi indet urbanistike veçmë ekzistuese të Shkupit të vjetër, në anën e majtë të lumit Vardar, pranë kalasë.
Procesi modern i urbanizimit të qytetit u bë shkaktar i vendosjes së kufijve të çarshisë, tejet duke e zvogeluar atë. Këtë gjë e pësuan edhe sheshet, si qendra joformale mbledhimi, madje duke bërë që edhe të zhduken në tërësi.
Gjithsesi, një pjesë e Shkupit të atëhershëm ende ekziston, si dëshmi e një shtrese tjetër e veprimtarisë arkitektonike, duke bartur sot rëndësinë e saj historike dhe kulturore.
Çarshia ka elementet e një qyteti organik, me rrjet rrugor të pasur, që definon blloqet e parregullta dhe të shumënumërta me parcela. Mes tyre ndodhen edhe objekte me dimensione dukshëm më të mëdha, që janë pjesë e të ashtuquajturës treshe urbanistike, karakteristikë e qyteteve të kulturës islame. Këto treshe përbëhen nga hanet, hamamet dhe xhamitë.
Objekte të tilla që edhe sot qëndrojnë janë: xhamia e Mustafa Pashës, Kapan-hani, Suli hani, Kurshumli hani, hamami i Daut Pashës, Çifte hamami, e të tjera. Objekte të rëndësishme që sot nuk ekzistojnë më jane: xhamia e Ibni Pajkos, hani i Daut Pashës, xhamia Burmali, xhamia Kazanxhiler, e të tjera. (shkruar nga Faton Qerimi)./Media Ndërtimi.