Rreth dy muaj pas aksionit që solli arrestimin e 58 punonjësve të policisë në dy anët e kufirit, tregtarët në pikën kufitare të Morinës thonë se janë lehtësuar nga taksa e ryshfetit, por burokracitë në lëvizje mbeten të mëdha.
Rreth dy muaj pas arrestimeve masive të punonjësve të policive kufitare të Shqipërisë dhe Kosovës në Morinë, tregtarët në të dy anët e kufirit thonë se janë çliruar nga një tarifë fikse ryshfeti.
Më parë, ata paguanin 1 mijë lekë ose 10 euro sa herë kamionët kalonin andej dhe këtej kufirit sa për të shmangur telashet, shkruan Reporter.al
“Policët më parë për të bërë presion për para, na nxirrnin pengesa deri edhe te gomat e automjeteve ku thonin se janë të konsumuara, por tani jo. Një polic i ri që shërbente në kufi më tha me shaka se e kishte marrë malli të shihte qoftë edhe një 200-lekëshe,” thotë Albert Mata, bashkëpronar i kompanisë “Valdrin”.
Version të njëjtë pohon edhe Kudusi Dedja, bashkëpronar i kompanisë Lindi-AL që thotë se pagesa ishte gati e zyrtarizuar për secilin kamion që kalonte kufitin. “Tani kjo nuk po ndodh aktualisht,” thotë biznesmeni.
Ndryshimi duket se ka të bëjë me arrestimin, ndalimin dhe pezullimin e 58 punonjësve të policive kufitare në të dy krahët më 8 prill. Arrestimet u kryen pas një hetimi një vjeçar të Strukturës së Posaçme, SPAK në Shqipëri dhe Prokurorisë Speciale në Kosovë. Punonjësit e policisë po hetohen për shpërdorim detyrë dhe korrupsion dhe sipas njoftimit për shtyp të SPAK, në dosje janë 312 episode të veprimeve korruptive të oficerëve që shërbenin në pikë-kalimit të përbashkët kufitar Morin-Vermicë.
Arrestimet në Shqipëri u konfirmuan nga gjykata. Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi 17 masa sigurie me burg, 14 masa arresti në shtëpi dhe 3 pezullime nga detyra. Në Kosovë, ku veç 26 të arrestuarve të prillit ishin ndaluar më herët edhe një grup tjetër oficerësh, shumica po hetohen në gjendje të lirë.
Ngjarja u përjetua si shokuese për punonjësit e tjerë të doganës.
Kryetari i Degës së Doganës së Morinit, Bardhyl Dervishi i tha BIRN se arrestimet e kishin tronditur.
“Situata është normale, pavarësisht goditjes psikologjike që morëm ku IPK-ja e Kosovës (Inspektoriati Policor i Kosvës) bëri arrestimin e policëve dhe parakaluan me pranga në duar, duke na lënë një shije te keqe,” tha Dervishi.
Albert Xhemali, pronar i një servisi automjetesh në Kukës, i cili importonte makina nga Kosova thotë se ishte gjithmonë i detyruar të paguante ryshfet, ndonëse mund të mos kishte probleme.
“Duhej patjetër të paguaje te policia që kjo e fundit t’i jepte “OK” automjetit për të hyrë në Shqipëri dhe për të vazhduar më pas procedurat me doganën. Kjo për fat nuk po ndodh tani,”tha Xhemali.
Aksioni antikorrupsion i ka lehtësuar bizneset nga detyrimi për të paguar ryshfet në pikat e kalimit kufitar, por ata që tregtojnë mes dy vendeve thonë se kjo është vetëm një pjesë e problemeve që hasin.
Burokracitë, faturat e paunifikuara dhe probleme të tjera e bëjnë të vështirë tregtinë mes dy vendeve, edhe pse prej vitesh politikanë në të dy krahët kanë premtuar deri dhe heqje të kufirit dhe një mori lehtësish që kanë mbetur në letër.
“Më lehtë e kam të bëj tregti me Kinën se sa me Kosovën. Terminalet private në Kosovë janë me 40 euro. Në ndonjë rast ka zvarritje dhe mund të qëndrosh edhe më shumë se koha e përcaktuar dhe mund të shkojë edhe dyfishi, pra 80 euro,” thotë Albert Mata, bashkëpronar në kompaninë “Valdrin”.
Tregtari thotë se përtej premtimeve nga politika, problemet janë shtuar.
“Kërkojmë unifikim faturash me Kosovën,” tha Mata, si një prej masave që ai beson se do të lehtësonte qarkullimin e mallrave./Media Ndërtimi