Fjalë të mëdha, por realizim i dobët! 461 mijë euro është shuma që Komuna e Gjakovës ka shpenzuar për trajtimin e një deponie në periferi të qytetit.
Janë shpenzuar para, por plehrat vazhdojnë të ekzistojnë, edhe pse kishte fjalë ‘të mëdha dhe të forta’ se do të pastrohet, trajtohet dhe rigjenerohet.
“Që 7 vjet digjet deponia te ‘Ali Ibra’, çdo vit, edhe çka është më interesant, edhe ka shtëpia ime vjen tymi”, kishte thënë kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, kur ishte pyetur në ‘Jeta në Komunë’ për djegien e mbeturinave në deponinë në lagjen ‘Ali Ibra’ të Gjakovës.
Për më tepër, deponia gjendet shumë afër një lokacioni ku jeton komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptianë.
Gjatë verës së vitit të kaluar, deponia për disa ditë rresht është djegur, duke mbuluar një pjesë të madhe të qytetit të Gjakovës nga tymi.
Pas asaj gjendje, Komuna e Gjakovës reagoi dhe siguroi një fond prej 400 mijë euro nga Ministria e Ekonomisë, për ta trajtuar dhe ‘zhdukur’ deponinë.
Deponia, është qendër transfer, ku aty grumbullohen mbeturinat nga i gjithë qyteti i Gjakovës.
Sipas një Raporti të vitit 2020 të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, në komunën e Gjakovës ekzistojnë 63 deponi ilegale, prej tyre 11 janë të vogla, 9 janë të mesme dhe 43 janë të mëdha.
Sipas të njëjtit Raport, Komuna e Gjakovës për menaxhimin e mbeturinave në vitin 2019 kishte vetëm 13 kamionë, 3 traktorë dhe 1,605 kontejnerë./Media Ndërtimi.