Afër 5 mijë qytetarë të Klinës kanë nënshkruar një peticion, i cili kundërshton ndërtimin e një fabrike të çimentos në fshatin Dollc.
Ministria e Mjedisit lëshoi pëlqimet mjedisore ndërsa Komuna e Klinës dha ‘dritën e gjelbër’ për ndërtimin e çimentores, raportohet në emisionin ‘Kallxo Përnime”.
Një fabrikë që prodhon çimento mund të nisë të ndërtohet së shpejti në fshatin Dollc të Klinës pasi Komuna që drejtohet nga Zenun Elezaj lëshoi edhe dokumentin e fundit, atë të lejes ndërtimore.
Banorët e fshatrave Gremnik, Dresnik, Dollc, por edhe fshatrave të tjerë të Klinës, po e kundërshtojnë çimentoren pasi thonë se ajo ua pamundëson jetesën në shtëpitë e tyre, që nuk janë larg lokacionit të parashikuar për ndërtim.
Në vitin 2020, qytetarët që u angazhuan për ta kundërshtuar këtë fabrikë mblodhën 4 mijë e 700 nënshkrime në një peticion në përpjeke për të kundërshtuar ndërtimin e fabrikës.
Betejën kundër çimentores ata e vazhduan edhe në Kuvendin Komunal të Klinës.
Atje gjetën përkrahje nga asamblistët të cilët nxorën vendime që shfuqizonin pëlqimet “që janë dhënë lidhur me guroret për furnizim me lëndë të parë për fabrikat e çimentos”.
Por, vendimi i kuvendarëve që daton në mars të vitit 2020 doli të jetë i kundërligjshëm sipas Ministrisë së Pushtetit Lokal.
E, pas interpretimit që MAPL i kishte bërë vendimit të Kuvendit Komunal, të cilin e konsideroi në kundërshtim me ligjin dhe që ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik të Klinës, ekzekutivi lokal kishte lëshuar lejen për ndërtimin e fabrikës në janar të këtij viti.
Ahmet Gashi, banor i fshatit Gremnik thotë se kjo nuk është përpjekja e parë për ndërtimin e fabrikave që prodhojnë çimento. Një e tillë sipas tij ishte edhe në vitin 2012. Por, edhe atëherë, sikurse tash, banorët e kundërshtuan.
“Në vitin 2019 kanë nisë të jepen pëlqimet mjedisore për gërmime…por, ka gabuar Kuvendi Komunal sepse këtu edhe në të kaluarën është kundërshtuar ndërtimi i fabrikës së çimentos edhe në vitin 2012, Komuna është përballur edhe me seanca gjyqësore ku janë fituar ato seanca. Por, këto nuk janë përfillur dhe operatori ekonomik është pajisur me pëlqime”, thotë Gashi për emisionin “Kallxo Përnime”.
Ai thotë se nga konsultimet me ekspertë, industria e çimentos konsiderohet si ndotësi i dytë në krejt botën.Shtëpitë ku banojnë qytetarët nuk janë shumë larg lokacionit të paramenduar për ndërtimin e fabrikës. Por, jeta në shtëpitë e tyre, sipas Gashit, do të vështirësohet nëse ndërtohet çimentorja./Media Ndërtimi.