Rasti i njohur si “Toka”, në të cilin pretendohet se më shumë se 50 persona kanë bashkëpunuar për të përvetësuar prona shtetërore te personat fizik dhe duke shkaktuar dëm të madh buxhetit të shtetit, cilësohet si një ndër rastet më të mëdha që e ka iniciuar drejtësia pas shpalljes së pavarësisë e tutje.
Në këtë rast për krim të organizuar, korrupsion, shpërlarje të parave e vepra të tjera penale janë akuzuar Azem Syla, Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Ramadan Uka, Arton Vila, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Sabedin Haxhiu, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Ilaz Syla, Mustafë Haliti, Hajrullah Berisha, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni, Shqipe Maxhuni, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlija, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi, në mesin e të cilëve edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, që sipas Prokurorisë Speciale, ka qenë edhe udhëheqës i këtij grupi kriminal, raporton ‘BetimipërDrejtësi’
Azem Syla dhe të tjerët dyshohet se e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës për 30 milionë euro.
Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale si: Krim të organizuar, Keqpërdorim i pozitës zyrtare, Pastrim i parave, Marrje të mitos, Mashtrim i rëndë, Mashtrim në detyrë, Nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, Legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe Evazion fiskal.
Zvarritjet e rastit nga drejtësia kosovare
Edhe pas kalimit të Rastit “Toka” tek vendorët, kjo lëndë ende është në procedurë dhe pa epilog.
Gjatë vitit 2018, është mbajtur vetëm 1 (një) seancë gjyqësore ku të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm ndërsa nëntë seanca të tjera kanë dështuar të mbahen.
Pas shumë dështimeve për të filluar shqyrtimi gjyqësor, përsëri më 29 qershor 2018 nuk kishte arritur të mbahet ky gjykim për shkak të mungesës së akuzuarve Shaban Sylës, Ilaz Sylës, Shqipe Maxhuni dhe Ndue Palushi, kurse seancat e 11 dhe 12 korrikut 2018 ishin anuluar për shkak të grevës së punëtorëve administrativ të gjykatave dhe prokurorive.
Për të shtatën herë kishte dështuar të mbahet gjykimi i këtij rasti me rastin e mungesës së prokurorit special, Abdurrahim Islami dhe dy nga të akuzuarit, Ilaz Syla dhe Mustafë Haliti./Media Ndërtimi.