Sipas Fondacionit Kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Kosovo), në Kosovë, nga viti 2018 deri më 2021, janë shkatërruar tërësisht nëntë objekte, që kanë qenë të vendosura në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme 2020-2021.
Sipas këtij fondacioni, dhjetëra objekte të tjera që përfaqësojnë vlera të rëndësishme arkitekturore, janë në prag të shkatërrimit, raporton Radio Evropa e Lirë.
Në Kosovë ekziston edhe një listë e aseteve të Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përhershme, e cila përmban 23 asete – në mesin e tyre: Manastiri i Deçanit, Manastiri i Graçanicës, Patrikana e Pejës, Kalaja e Prizrenit e Xhamia e Sinan Pashës.
Radio Evropa e Lirë ka vizituar disa prej këtyre objekteve në qytete të ndryshme të Kosovës, e që, sipas njohësve të trashëgimisë kulturore, “i kanë ditët e numëruara”.
Problemi kryesor në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, sipas Sali Shoshit, qëndron te mosplanifikimi i investimeve për restaurim.
“Shteti, në momentin që vendos të futë në listë për mbrojtje [një objekt]… aty përfundon historia. Ato ndërtesa, pastaj, mbesin në mëshirën e kohës”, thotë Shoshi.
Trashëgimia kulturore në Kosovë mbrohet me ligj dhe dëmtimi është i dënueshëm me Kodin Penal.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës nuk i është përgjigjur interesimit të Radio Evropa e Lirë për më shumë informacione në lidhje me këtë temë.
Kosova, pavarësisht përpjekjeve, nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO./Media Ndërtimi.