Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2022 çelin ekspozitën me titull “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”.
Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, përbëhet nga rreth 25 stenda, të cilat përmbajnë objektet e përzgjedhura nga pavijonet e muzeut, hapet më datë 30 Mars 2022, ora 18:00, në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Ekspozita është realizuar nga Muzeu Historik Kombëtar me mbështetjen e fotografit Fation Plaku, për realizimin e fotove të vendeve ku janë zbuluar objektet e paraqitura në ekspozitë, dhe në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës.
Muzeu Historik Kombëtar krahas objekteve të shumta, ka edhe një koleksion të pasur artefaktesh arkeologjike prej të cilave mund të përmendim: koleksionin e objekteve prehistorike; koleksionin e skulpturave; enët prej qeramike; monedhat ilire, greke e romake; objekte të shumta të zejtarëve vendas në qeramikë e metal etj., me një shtrirje të gjerë në kohë nga prehistoria, antikiteti greko – romak, periudha antike e vonë e deri në mesjetë.
Larmia e objekteve mesjetare të ekspozuara synon të ofrojë një panoramë gjithëpërfshirëse të kulturës materiale, që u formua në territorin e Shqipërisë dhe ftojnë vizitorin në një intenerar historik, duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve kryesore, që zunë vend në territorin tonë, për një periudhë që shkrihet nga Antikiteti i Vonë e deri tek periudha bizantine dhe ajo osmane.
Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” mbyllet me disa objekte ikonografike, të cilat përfshijnë një hark kohor, që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX, që njihet si periudha e artit pasbizantin.