Një prej projekteve të ambicioze të premtuara nga Qeveria e Kosovës është autostrada në vlerë 150 milionë euro që do të lidhë Prizrenin me Tetovën, duke çarë Malet e Sharrit.
Kjo autostradë do të shkurtojë rrugën mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Po ashtu edhe do të lidhë segmente të tjera rrugore, nga Bullgaria, Rumania, Shqipëria dhe Greqia.
Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e shkurtit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një fjalim gjatë fushatës zgjedhore, kishte premtuar ndërtimin e autostradës Prizren-Tetovë.
Sipas tij, gjatësia e kësaj autostrade që do të kalojë përmes Maleve të Sharrit do të jetë 45 kilometra, prej të cilave 35 kilometra në Kosovë dhe 10 kilometra në Maqedoninë e Veriut, shrkuan Kallxo.com.
“Qeveria jonë do ta lidhë Prizrenin me Tetovën, do t’i lidhë dy autostrada”, kishte premtuar ai.
Projekti pritet të fillojë në vitin 2023 derisa viti 2022 do të shkojë vetëm për projektim. Në buxhetin e vitit 2022, Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë buxhet për realizimin e rrugës që lidhë Prizrenin me Tetovën.
Traseja e autostradës planifikohet të kalojë nëpër terren shumë të ashpër përmes Maleve të Sharrit. Se do të ketë vështirësi në realizimin e këtij projekti të madh e ka thënë edhe ministri i Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Tuneli do të jetë 6.4 kilometra, ku diku mbi 2 kilometra do të jenë në anën e Kosovës. Ky projekt do të realizohet me komisione të përbashkëta, mbase do të kemi kompaninë e njëjtë që do të bëjë dizajnimin dhe realizimin e tunelit. Pastaj pjesët e rrugëve që lidhen deri në tunel, mund të bëhen nga të dyja vendet veç e veç“, theksoi ai.
Aktivisti për mbrojtjen e mjedisit, Osman Krasniqi, ka thënë se autostrada do të ketë ura kalimi të vazhdimit të biodiversitetit të specieve dhe gjallesave.
“Do të mundësojë sigurisht një zhvillim të turizmit të fshatit i cili turizëm i fshatit vetvetiu do ta mbrojë natyrën e Parkut Kombëtarë të Sharrit”, ka thënë Krasniqi.
“Thuaj JO asfalltit në Sharr! Nënshkruaje këtë peticion!”, është kjo thirrja e disa aktivistëve për mbrojtjen e ambientit të cilët kanë krijuar një peticion online ku kërkohet që të mos dëmtohet njëra nga kodrat nëpër të cilën parashikohet të ndërtohet rruga që lidh Prizrenin me Tetovën.
“Ne, të gjithë aktivistët e mjedisit dhe dashamirësit e natyrës nga të dy vendet DUHET TË BASHKOHEMi dhe të ndalojmë këtë ide të çmendur që nuk ka ndikim apo çfarëdo në jetën e njerëzve, por që është rezultat i premtimeve elektorale.”, shkruan në njoftimin e peticionit.
Projekti për ndërtimin e rrugës që lidhë Prizrenin me Tetovën është paraparë të fillojë në vitin 2023.Zv.ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se projekti ende është në fazë të hershme, madje ai ka deklaruar se viti 2022 do të shkojë vetëm me fazën e projektimit.
“Për pjesën e Kosovës i kemi dy opsione, njëri që del në Reçan dhe pastaj në Prizren dhe tjetri që del në daljen jug të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe kjo është shumë e rëndësishme. Keni parasysh, kjo nuk është autostradë, është rrugë gjashtë metra gjerësia e rrugës, nuk është autostradë”, deklaroi Hysen Durmishi./Media Ndërtimi.