Pos parkut të energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, me kapacitet 105 megavatë, i cili në fund të vitit të kaluar është finalizuar dhe tashmë gjendet në prodhim dhe projekti në Kitkë të Gjilanit, që është në prodhim tani 2 vjet, parqe të energjisë me erë mund të ndërtohen edhe në Çyçavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë.
Këto vende tashmë janë të verifikuara për mundësitë reale për të ndërtuar parqe të reja të energjisë së erës.
Pas paralajmërimeve jo të pakta nga institucionet e asociacionet kompetente energjetike ndërkombëtare, dhe veçanërisht të BE-së, se deri në vitin 2025 vendet e Ballkanit Perëndimor do të obligohen që të prezantojnë një çmim të karbonit, që do të thotë duhet vendosur një taksë për karbonin, në vendet që kanë qymyrin burimin kryesor për prodhimin e energjisë ekektrike, siç është Kosova, dhe pas objektivit të kushtëzuar që deri më 2030 të arrihet 30 përqindëshi i energjisë së rinovueshme për nevojat e vendit, Kosova kushtimisht ka nisur të preokupohet më shumë për zhillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike, shkruan buletini ekonomik.
Strategjia e Kosovës, sipas zyrtarëve të kësaj fushe, do të jetë mjaft optimiste në vendosjen e caqeve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe në rritjen e efiçiencës së energjisë në industri dhe amvisëri.
Pos Shalës dhe Kitkës, janë identifikuar me kohë si vende potencialisht të favorshme për prodhimin e energjisë elektrike në bazë të erës edhe 4 vende të tjera, e që janë Çyçavica, Zatriqi, Budakova dhe Kozhica, ku së bashku me Shalën e Bajgorës dhe Kitkën do të kishte mundësi reale të ndërtohen kapacitete prodhuese të energjisë elektrike me fuqi diku rreth 600 megavatë, shkruan Ekonomia Online.
Prodhimi i energjisë me erë, aty ku ka mundësi dhe potencial natyror, tash e tutje dhe sa më shpejtë që është e mundur, duhet të bëhet imperativ te institucionet relevante kosovare dhe te zyrtarët tanë vendimmarrës. Dhe në bazë të ekspertëve të energjetikës, Kosova ka goxha mundësi të mira për realizimin e disa projekteve të prodhimit të energjisë me erë.
Energjia e prodhuar nga era është fare e pastër
Turbinat me erë prodhojnë energji elektrike pa ndotur dhe pa degraduar fare ambientin rreth e qark vendit ku instalohen ato dhe në këtë mënyrë energjia e përfituar nga era është mjaft e rëndësishme si alternativë për më shumë energji elektrike dhe për ruajtjen e ambientit.
Shtetet e Evropës Juglindore janë obliguar ndër të tjera të ngritin efiçiencën, të shkaktojnë më pak CO2 si dhe ta përparojnë shfrytëzimin e energjive të ripërtëritshme në 20% deri në vitin 2020. Vetëm energjia e erës duhet të arrijë kapacitetin prej 150MË deri në vitin 2020.Kosova këtë kusht e arriti sivjet, pra me ndërtimin e parkut të energjisë së erës në Shalë dhe atë në Kitkë. Tani, duhet të përshpejtohen punët rreth procedurave të nevojshme për të nisur sa më shpejt ndërtimin e kapaciteteve të reja në Zatriq, në Budakovë, në Çyqavicë dhe në Kozhicë. Sa më shpejtë që të nisë realizimi i këtyre projekteve të reja, aq më mirë për Kosovën./Media Ndërtimi.