Prokuroria Themelore në Pejë, në gusht të këtij vitit, ka ngritur aktakuzë ndaj Mehmet Osaj, Këshilltar i Asamblesë Komunale në Deçan, i akuzuar për vepër penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i te ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, raporton Drejtësia Sot.
Sipas aktakuzës Osaj, akuzohet se me datën 20.04.2021 në Pejë, përkatësisht në KRU – Hidrodrini, si zyrtar i lart publik, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë dhe atë nenit 8 par. 1 të Ligjit 04/L-050 dhe nenit 4 të Ligjit 04/L-228, nuk e paraqet atë brenda afatit për paraqitjen e deklaratës, në atë mënyrë që, i pandehuri Osaj, si Këshilltar i Asamblesë Komunale në Deçan, gjegjësisht zyrtar i lartë publik, nga data 01 mars deri më 31 mars 2021 obligohet që të bëjë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin paraprak për të cilën gjë është njoftuar, mirëpo i njëjti gjatë kësaj periudhe nuk e deklaron fare pasurinë dhe deklaratën e dorëzon pas kalimit të këtij afatit përkatësisht me datën 20.04.2021.
Ndërsa më aktakuzën e datës 09 shtator 2021, Prokuroria Themelore në Pejë, e ngarkon Asambelistin tjetër të Kuvendit Komunal në Deçan, Shkëlzen Hadërgjonaj, për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i te ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Hadërgjonaj, akuzohet se nga data 01 mars 2021 e gjer më datë 31 mars 2021, në Deçan, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik si Këshilltar Komunal në Komunën e Deçan, edhe pse sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose detyrimeve financiare nuk e bën një gjë të tillë, në atë mënyrë që, për periudhën e deklarimit për vitin paraprak prej datës 01.01.2020, e gjer me datë 31.12.2020, nuk paraqet deklaratën në fjalë brenda afatit për paraqitje të deklaratës por një gjë të tillë e bën me datë 25 maj 2021 të evidentuar me numër protokolli 03-5397/21, me dy muaj vonesë.
Drejtësia Sot, njofton se shqyrtimet fillestare lidhur me këto raste do të mbahen në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan. I akuzuari Osaj pritet të gjykohet me datën 18 tetor 2021 kurse Hadërgjonaj, me datën 21 tetor 2021.
Qeveria e Kosovës, ditë më parë ka shkarkuar bordin e drejtorëve të ndërmarrjes publike Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini Sh.A Pejë”.Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka arsyetuar këtë vendim.
“Natyra e të gjeturave nga hulumtimi dhe analizat e kryera në terren nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, obligojnë qeverinë të marrë masa, andaj është rekomanduar që të shkarkohet bordi për të kthyer besimin në këtë ndërmarrje”, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti./ Media Ndërtimi.