Zyra Kombëtare e Auditimit –ZKA ka publikuar Raportin e auditimit të pasqyrave financiare të Postës së Kosovës sh.a. për vitin e përfunduar më 31 Dhjetor 2020.
ZKA ka lëshuar “opinion të Kundërt” për pasqyrat financiare vjetore të Postës, që nënkupton që ka gjetur probleme dhe shkelje gjatë auditmit.
Sipas opinionit të Auditorit, për shkak të efekteve të çështjes së përshkruar në paragrafin “Baza për Opinion të Kundërt”, Pasqyrat Financiare të bashkangjitura nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare të Postës së Kosovës sh.a. deri me 31 dhjetor 2020, të performancës së saj financiare, si dhe rrjedhës së parasë së gatshme për vitin 2020, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF).
ZKA ka gjetur se plotësia e transaksioneve të llogarive të arkëtueshme dhe të pagueshme nuk ishte e mundur të konfirmohet, për shkak të mos zbatimit të një date specifike dhe uniforme të prerjes për korrigjimet pas datës së raportimit për të gjithë furnitorët/ klientët e postës ndërkombëtare. Rrjedhimisht ekzistojnë diferenca të theksuara ndërmjet dokumenteve burimore për transaksionet e vitit dhe atyre të prezantuara në pasqyra financiare.
“Mbivlerësimi i pasurive fikse ishte në vlerë prej 199,600 euro, për nëntë pronat e uzurpuara nga operatori publik postar i Serbisë, mbi të cilat Posta e Kosovës sh.a., nuk ka kontrollë dhe nuk realizon përfitime ekonomike. Bazuar në çështjet e ngritura për llogaritë e arkëtueshme dhe të pagueshme në lidhje me postat ndërkombëtare për diferenca ndërmjet dokumenteve burimore për transaksionet e vitit dhe atyre të prezantuara në pasqyrat financiare, vijmë në përfundim se rrjedha e parasë për aktivitetet operative nuk prezanton informacion të saktë. Përveç kësaj, mbivlerësimi i të arkëtueshmeve dhe obligimeve tatimore në shumat 76,151€ dhe 34,150€ përkatësisht, për vitin 2019, nuk ishin korrigjuar me një ri deklarim retrospektiv me rastin e hartimit të pasqyrave financiare të vitit 2020”, thuhet në dy të gjetura tjera të ZKA-së.
Shqetësim tjetër është ngritur tek mbivlerësimi i të hyrave nga qiraja, të ardhurat nga kontratat me klientët dhe shpenzimet e zhvlerësimit, me shumat përkatëse 378,012 euro, 65,172 euro, 25,571 euro, gabime këto të identifikuara në auditimin e pasqyrave financiare për vitin 2019, sipas ZKA nuk ishin korrigjuar me një ri deklarim retrospektiv dhe shpalosje përkatëse në pasqyrat financiare të vitit 2020. Këto mbivlerësime të pakorrigjuara, kanë efekt në rezultatin financiar të vitit 2019, rrjedhimisht në shumën tek zëri kontabël “Fitimet e mbajtura” në pasqyrën e ndryshimeve në ekuitet.
Nga ana tjetër, sipas të gjeturave në raport, shpalosjet e menaxhmentit lidhur me hipotezën e vijimësisë, nuk përshkruajnë në mënyrë të mjaftueshme ngjarjet apo kushtet kryesore, që mund të hedhin dyshime të rëndësishme mbi aftësinë e Kompanisë për të vazhduar në vijimësi, si dhe planet e drejtimit që trajtojnë këto ngjarje apo kushte që janë identifikuar si rezultat i auditimit si në vijim:
Humbje e mundshme e klientit kryesor të Kompanisë dhe një tregu të rëndësishëm, (rreth 53% të hyrave ishin nga ky klient dhe borxhi i pa inkasuar prej tij kishte arritur në 1,897,000 euro), për të cilin ekzistojnë pasiguri materiale që mund të hedhin dyshime të konsiderueshme në aftësinë e tij për të realizuar pasuritë e saj dhe të kryejë detyrimet e saj në rrjedhën normale të biznesit; dhe Humbjet operacionale të konsiderueshme në vazhdimësi, që për tetë vite me radhë totali kishte arritur në 20,815,411 euro, që mund të hedhin dyshime të rëndësishme mbi aftësinë e Kompanisë për të vazhduar në vijimësi.
Ky Raport i auditimit është gjeneruar për herë të parë përmes platformës elektronike për menaxhimin e auditimit (SITA). Po ashtu, këtë vit, auditori ka thënë se përdoret shablloni i ri i Raportit të auditimit, sipas metodologjisë së përditësuar për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë. Raporti përfshinë për herë të parë edhe konkluzionin e veçantë për pajtueshmëri. /Lajmi.net/