Gjithçka kishte filluar me dekorimin e një dollapi të vogël librash, pas kësaj hapësirat ishin zgjeruar e kërkonin detajet më të përzgjedhura t’i mbushnin ato. Kështu e kishte filluar punën e tij si dizajner enterieri në New York, Rinor Raqi. E derisa për shumicën angazhimi në një punë të tillë ka ardhë pas shkollimit në një shkollë dizajni, kjo nuk ka ndodhë edhe me artistin nga Kosova.
Raqi shpjegon se duke qenë se e sheh vetën si artist krijues, mënyra më e mirë për ta shprehur kreativitetin e tij ishte zgjedhja e një profesioni të tillë, një punë ku mund të shprehësh gjithë frymëzimin e marrë nga natyra, format e ndryshme e ngjyrat. Gjëra që sipas Rraqit e kishin tërhequr që nga fëmijëria.
“Hapi i parë për mua ishte kur hyra në botën e arkitekturës dhe dizajnimit të orendive dhe në të vërtetë vetëm hyra duke provuar që të sjell visionet e mia në jetë. Kam filluar me një projekt të vogël, si dekorimi i një dollapi të librave dhe prej aty puna u transformua në dekorimin e apartamenteve dhe ndërtesave. Nuk kam qenë kurrë në shkollë për dizajn dhe nuk kam punuar kurrë për ndonjë studio të interierit. Por për disa njerëz, të shkuarit në shkollë të dizajnit apo të bërit praktikë, ndihmon shumë. Është e rëndësishme që të ndërtosh një portfolio para se të punosh me klientë më të mëdhenj”, tregon ai.
Për të gjithë përkushtimin në punë, ai thotë se ka një shpërblim. Përveç kënaqësisë që të sjell fakti i një familjeje që i shijon të gjitha dekoret e shtëpisë, e duke e ditur që është dora jote në çdo detaj e qosh, shprehja e kënaqur e fytyrës nga klientëve të tij është shpërblimi më i bukur.
Por, për të ardhur deri te ky rezultat, Raqi ka disa vështirësi. Fillimisht ndryshimi në matje nga Evropa në Amerikë, mandej ndërlikimet e mundshme gjatë transportimit të mobilieve.
“Çdo projekt ka vështirësitë e tij, por vështirësia personale e imja në fillim, ishte matja sepse janë ndryshe nga matjet ne Europë, por një tjetër që është mjaft e zakonshme dhe të cilën nuk mund ta kontrollosh 100%, janë vonesat e mobilieve të cilat mund të ndryshojnë krejtësisht kornizën e kohës dhe kur importohen mund të dëmtohen përgjatë rrugës dhe duhet të gjesh një mënyrë tjetër që të sjellësh në jetë dizajnin tënd”, tregon ai.
I rritur jashtë Kosovës, i rrethuar nga kultura e pasur e Vjenës, mori gjithë atë që i duhej për të bërë punën e tij më së miri, pas zhvendosjes së tij në New York. Atje puna e tij lulëzoi, duke e bërë faktor në projekte të shumta. Nga të gjitha ato që përfshijnë rrugët më të famshme të New Yorkut ai e veçon njëren.
Çdo projekt e marr me shumë seriozitet po duhet të them se projekti im më i madh ishtë kur përfundova një ndërtesë të tërë në New York afër Times Square, nga kulmi deri tek zemra e ndërtesës, holli i saj“
Studioja e tij “Rinor Desing” dha shumë në projekte të shumta luksoze në gjithë New York-un. Charlie West, New York, NY; Franklin Aven., New York, NY; 90 Morton St., New York, NY; Nomad, New York, NY; Dahlia Upper West Side, New York, NY; The Cereza, New York, NY; The Getty Residences, New York, NY, ishin vetëm disa nga projektet e saj.
Dizajneri ka një një këshillë për të gjithë të rinjët që e kanë pasion për këtë fushë, por që mbase nuk do të kenë mundësi të kenë patjetër një zyrë. Për të e rëndësishme është përzgjedhja stilit.
“Besoj që para se të hapni zyrën tuaj, provoni të keni punuar në disa projekte, kështu që mund ta shihni cili është stili juaj i punës dhe a jeni duke e shijuar atë. Është e rëndësishme që të besoni në vizionin tuaj dhe të krijoni stilin tuaj të firmës, kështu ju do të gjeni gjithmonë klientët tuaj, të cilët do të vlerësojnë gjithcka që ju bëni. Gjithashtu nuk ju duhet ta keni një zyrë të madhe në fillim, në kohën tonë, mund të përfundosh shumë punë me një “Mack Book” dhe të shpërndani dizajnet dhe idetë tuaja në internet. Organizimi dhe planifikimi është çelës për çdo zyrë“, thotë Raqi.
Me gjithë se suksesi i tij është i madh, ai ka ende një ëndërr. Kjo ëndërr do të bëhet realitet vetëm kur të krijojë dhe të dizajnojë diçka në vendin tij, që siç thotë ai është shumë i dashur për të. /Ndertimi.info
You must be logged in to post a comment Login