Pamja e jashtme e Kullës së Sylejman Vokshit në Gjakovë tregon se monumenti është në rrezik. Pos kësaj, rrezikon edhe njërin prej pronarëve që banon në ndërtesë, e edhe ata që jetojnë në objektin që është i ngjitur për monumentin.
Ndërtesa e shekullit XVIII është rrethuar krejtësisht me ndërtesa dhe nuk shihet nga Çarshia e Madhe, apo ndonjë pjesë tjetër e qytetit.
Objekti banesor që kishte nisur të ndërtohej në shkurt të këtij viti tashmë numëron shtatë kate, pos bazës. Gjendet rreth 10 metra larg “Mejtepit Ruzhdije”, po ashtu monument i mbrojtur, e nja 30 metra prej Kullës.
Asokohe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kishte manipuluar me dokumente për t’i hapur rrugë shumëkatëshes.
Naser Kalaveshi, që është rrobaqepës me profesion, është një nga bashkëpronarët i cili jeton në Kullë. Mund të shfrytëzojë vetëm katin e parë, pasi i dyti paraqet rrezik.
Kati i sipërm që dikur i kishte shërbyer Sylejman Vokshit – i cili njihet si Gjenerali i Lidhjes së Prizrenit – për të pritur mysafirët, po ashtu është në gjendje të rëndë, raporton KOHA.
Prej aty ku Vokshi mund të ketë parë Kullën e Avdullah Pashë Drenit e varrin e Mehmet Ali Pashë Maxharrit, tash mund të shihen vetëm shumëkatëshet.
Kalaveshi ngurron të flasë për gjendjen e ndërtesës. Thotë se ajo flet vetë.
Bashkëpronarja Valbona Kalaveshi me bindje thotë se monumenti është në shitje. Posedon shumë shkresa. Ndër vite u është drejtuar të gjitha institucioneve të nivelit qendror e atij lokal.
Më 2014, pronarët e kishin nxjerrë monumentin në shitje. Më 2015, kur Komuna udhëhiqej nga Mimoza Kusari-Lila, kishte shpronësuar parcelën e Kullës bashkë me disa të tjera përreth.
Komuna e Gjakovës, e udhëhequr nga kryetari Ardian Gjini, nëpërmjet një vendimi të ri në mars të vitit të kaluar, e kishte rrëzuar atë paraprak. Kishte hequr dorë nga parcelat përreth.
Ministria e Kulturës kishte heshtur përballë shumëkatëshes së re, ndërtimi i së cilës ishte mundësuar nga institucioni i saj vartës, IKMM-ja. Për sivjet janë ndarë mjete për të nisur restaurimi i Kullës.
Pronarët janë në pritje të ndërhyrjes së shtetit. Ata kanë thënë se nuk janë të njoftuar për planet e Ministrisë së Kulturës. Kanë treguar se një prej ndërtuesve të njohur në Gjakovë u ka ofruar 400 mijë euro për t’ia shitur Kullën bashkë me parcelën prej 7-arësh. Sipas tyre, u janë ofruar 200 mijë euro para të gatshme, e në vlerë të pjesës tjetër të marrin banesa.
You must be logged in to post a comment Login