Bazilika e Tepes (nga turqishtja, kodër) në qytetin e Elbasanit ndodhet në ullishtat e kodrës me të njëjtin emër, mbi urën e Zaranikës në perëndim të qytetit të Elbasanit.
Një material i publikuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë flet këtë herë për bazilikën, që shtrihet në një sipërfaqe prej 600 metra katror. Është një bazilikë palokristiane e orientuar me apsidë nga lindja dhe ndërtimi i saj ka kaluar në disa faza.
Muret e saj ruhen në një lartësi të vogël mbi sipërfaqen e tokës, më së shumti si themele, dhe hera herës ka edhe pjesë muri që mungojnë. Planimetria e bazilikës në fazën e parë ishte e ndërtuar me tre nefe të formuar me dy arkada të vendosura mbi pilastra.
Nefi qëndror me përmasa 16.35 x 5.30 m është dhe më i gjerë se dy nefet e tjera. Nefet anësore janë më të ngushtë dhe kanë këto përmasa 16.35 x 2.15 m. Nefi qëndror përfundon me një absidë gjysmë rrethore. Bazilika në fazën e parë ishte një ndërtim i varfër, shtruar me dhe të ngjeshur. Kjo fazë datohet në shek. IV e.s. Në secilin prej nefeve hyhej nga një derë nga narteksi i ngushtë dhe të gjatë sa tre nefat, në anët veriore dhe jugore të të cilit janë dy dhoma të vogla me përmasa 4 x 3.2 m, të të njëjtës kohë më bazilikën e parë. Në një fazë të dytë, shek.V bazilika do të pësojë një sërë transformimesh për t’ia përshtatur më mirë përdorimit si kishë qimiteriale e Skampis-it, funksion që mund ta ketë pasur që në fillim, kjo nisur nga fakti se ishte larg qytetit.
Shtrohet me mozaik dhe bëhet ndarja e rregullt e ambienti të altarit nga naosi me një ikonostas të ngurtë që në ditët e sotme ruhet i fragmentuar. Ky ndryshim strukturor i kishës erdhi për arsye se dy varre me qemere prej tullash u bënë pjesë e nefit verior. Dy personat mendohet se janë dinjitarë të komunitetit fetar të Skampis-it.
Njëri prej varreve ka dhe një mbishkrim emrin e njërit prej peshkopëve, Stefan. Këto ndryshime bëhen në një kohë kur Skampis-i pati një zhvillim të mirë ekonomik dhe një nivel të lartë ndërtimor e artistik, gjë të cilën na e dëshmon brendia e sallës qëndrore. Dyshemeja e kishës në këtë periudhë ndahet nga rruga me pllaka guri shtufi të holla në katër panele mozaiku, dy nga dy simetrikë kryesisht me motive bimore dhe gjeometrike.
Mozaikët dallohen për një nivel të mirë realizimi. Teserat e tyre janë prej mermeri të bardha, gëlqerori në ngjyrë vjollcë, të bardhë e të zezë dhe tullash të kuqe. Në anën perëndimore të bazilikës, në një kohë më të vonë, pranë nartekstit shtohet një ekzonarteks i hapur me arkada mbi pilastra me përmasa 15 x 6.5 m. Muret e tij, si gjithë monumenti, ruhen pak dhe është i shtruar me pllaka guri gëlqeror. Nga prezenca e tre varreve, mendohet të ketë shërbyer si ambient suplementar për varrim. Secili varr mbante të varrosur nga dy persona. Më rrënimin e kishës nga tërmeti i vitit 518, kisha nuk rindërtohet më, sepse Skampis-i mendohet të ketë pasur katedralen e tij, atë të Shën Pjetrit. /KultPlus.com
You must be logged in to post a comment Login