Connect with us

Aktuale

Katarina Palushaj, urbanistja që po magjeps me portrete të skicuara në kohë karantine

Published

on

Një “notification” nga rrjeti social “Instagram” i kishte ardhë Katarinës në telefon në një ditë nga ditët e shumta karantinoze. Ajo kishte marrë një nominim që të skiconte ndonjë karrige të dizajnervë të famshëm botëror. Këtu filloi gjithçka, që ekrani i vogël i telefonit të vezhgatet nga gishti i saj për të krijuar portrete të skicuara.

Rrëfim nga Uran Haxha

Katarina Palushaj është arkitekte që punon si zyrtare urbane në UN-Habitat. Ajo ka përfunduar fakulteti në Prishtinë dhe gjithmonë përkrah pjesës së detyrueshme akademike, i është bashkuar aktiviteteve, projekteve e shkollave verore. Në kohën kur u vendos që të mbahej distanca sociale dhe gjithë rregullat tjera që do të ndihmonin në parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit COVID-19, ajo filloi edhe të punojë nga shtëpia, e bindur që ky është kontributi më i mirë për shoqërinë.

Fillimisht ishte një ndjenjë shumë e cuditshme, me dukej si kohë lufte me supermarket e zbrazura prej produkteve, dezinfektimi mostakimi me shoqërinë, e me ndejtë larg prindërve për dy javët e para. Edhepse në ditët e para ka qenë më vështirë, mbyllja brenda murëve të shtëpisë, ka qenë e vetmja mënyrë që une e kam jap kontributin tim në shoqëri”, thotë Katarina.

Mirëpo, ditën brenda karantinës ajo e ka bërë atraktive me portretet e skicuara, që gjithçka e realizon me “MarkUp” të iPhone-t të saj. Kur nisi t’i postonte këto portrete, kërkesat e mbuluan dhe tash nuk i zë as një faqe A4 e mbushur me ta. Secili kishte dëshirë ta ketë një portret të tillë. Edhe unë po që po shkruaj këtë rrëfim, s’mund ta fsheh dëshirën për një të tillë. Janë portretë tërheqës, janë ndryshe.

Idea për portrete të personalizume ka ardhë prej shoqnisë time të ngushtë që kanë kërku me i skicu portretet e tyre. Mandej ka pasë kërkesa prej shoqnisë, e edhe prej personave të tjerë që më kanë shkru nëse mundem me ja u realizu portretet e tyre. Pasi portretet i realizoj në kohën time të lirë, ende i kam dy faqe me emra të personave që më kanë kërku me i skicu, e në atë listë kam edhe familjar dhe shoqni të ngushtë që më kanë thanë kam prit që ma bon ma herët”, rrëfen Kati, si e thërrasin shoqëria apo ai rreth që tashmë ka një portret të saj.

 

Dita në karantinë ka qenë një sfidë për të gjithë. Shumë psikologë e sociologë kanë bërë punime tashmë për të treguar si janë adaptuar njerëzit. Gjithçka ndodhi shpejtë. Si arkitekte urbaniste, ajo punë ka planifikimin. Kështu veproi edhe më kohën e saj.

Mua personalisht më ka ndihmu mbajtja e rutinës time të zakonshme, me u zgju herët, me i kry punët sipas orarit të punës dhe prapë në fund të ditës me pi kafen me shoqet ose motrat e mia, vetëm se tash virtualisht. Me mbylljen në shtëpi kam pasë kohë ma shumë me e jep dorën e fundit disa projekteve që nuk i kam përfundu plotësisht, me përgatitë ushqim, me i përfundu disa libra dhe disa seriave në Netflix haha”, tregon e qeshet sepse ndoshta kaq shumë seri nuk kishte menduar t’i shihte për kaq kohë, e aq më pak në këtë kohë.

Ajo po shfrytëzon këtë kohë edhe për ngritje profesionale duke ndjek kurse online, e duke mësuar edhe gjuhën serbo-kroate, zatën të jep përshtypjen se hulumtimin e do. Me një gjuhë të tillë gjithë dokumentet e vjetra të planifikimit do të mund t’i lexojë e në rajon do të mund të hulumtojë gjithashtu.

Kur e pytet për planet profesionale e artistike, për atë se sa ka reflektuar, ajo nuk dha thjeshtë një përgjigje. Dha diçka që tingëllon më shumë se kaq, pa çka po e shkoqisim të plotë si citat.

Të gjitha aktivitetet dhe planet që i kam planifiku për këtë periudhë më janë postpone ose anuluar, si cdo njeriu tjetër po supozoj. Ka qenë kohë e mirë me reflektu për të përkohshmen, që cdo gjë është e përkohëshme edhe ne duhet me u adaptu sipas rrethanave, qofshin në profesionale apo personalen. Ne po jetojmë në një të ardhme “pa të ardhme”, afatshkurtë po mendoj, deri në lajmërimin e rradhës. Në këtë periudhë e kemi mundësinë me i bo gjërat në mënyrën që i shijojmë, me punu prej 8 të natës e jo prej 8 të mengjesit, me ushtru në mengjes e jo kur kthehesh prej punës, e me kalu kohë e me u ndëgju me ma të dashturit tonë që shpesh jeta dinamike nuk na mundëson. Tendenca me krahasu veten para, në dhe pas periudhës historike të COVID-19, si periudhë reflektimi dhe vetkritike me një pasiguri se cka sjellë dita e nesërmen, ka ndiku që me i rimendu vendimet e planet e bëra e me ju jep prioritet atyre që kanë më shumë rëndësi. E këto skica portretesh kanë qenë reflektim i kësaj periudhe, pasionit tem me vizatu/skicu dhe dashninë ndaj njerëzve që i skicoj. Një ide që më ka ardhë në këto momente reflektimi është me i ekspozu të gjitha punimet gjatë kësaj faze”, thotë Katarina, që na bën që edhe ne ta shohim ndryshe kohën e kaluar.

Kur shohim punën e Katarinës, e e shohim pak profilin e saj digjital në rrjete sociale, shohim që ajo dhe arti bashkjetojnë gjatë. Ajo ka shpërthyer më parë edhe më pasionin e saj për fotografinë, ku në platformën “EyeEm” ka shitur fotografitë e saj edhe për revista me nam botëror, si Vouge, edicioni i Britanisë së Madhe.

Ndoshta keni mundur të e mendoni këtë mbiemër si të njohur, Palushaj. Po, është Katarina motra e Leonidit, piktorit që ka bërë një ashensor të Lakrishtës, më të bukurin në vend. Duket se arti qysh herët në kohë është ulur këmbëkryq në pragun e Palushajve./ndertimi.info/

Aktuale

Mbi 70 biznese promovohen në panairin “Pan Expo Group-Kosova 2024”

Published

on

Është hapur Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Pan Expo Group-Kosova 2024”, në Prishtina Mall, për herë të parë në Kosovë, ku po marrin pjesë mbi 70 biznese nga vendi, rajoni dhe më gjerë.

Qëllimi i këtij panairi është që kompanitë pjesëmarrëse të ndajnë eksperiencën e tyre me njëra- tjetrën, të mund të shpalosin ofertat e tyre, si dhe të tërheqin klientë dhe bashkëpunëtorë rinj.

Përveç kësaj, qëllim tjetër i këtij organizimi është promovimi i ndërmarrësisë, inovacionit si dhe edukimit të gjeneratave të reja për iniciativën e lirë në biznes.

Organizimi i këtij panairi u vlerësua shumë i rëndësishëm edhe nga vetë bizneset pjesëmarrëse, për çka edhe u shprehën të kënaqur me mundësinë e dhënë për të promovuar produktet dhe shërbimet e tyre.

Drejtoresha e “Pan Expo Group”, Elisa Stefa tha se pavarësisht sfidave të kaluara për organizmin e një panairi të tillë, është e kënaqur me pjesëmarrjen, kualitetin dhe cilësinë e bizneseve. Ajo tregoi se në këtë panair po marrin pjesë biznese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe vende të tjera jashtë rajonit.

Panairi “Pan Expo Group-Kosova 2024” do të jetë i hapur deri më datën 19 maj. Përgjatë ditëve të panairit do të ketë showroom-e, prezantime live, seminare, aktivitete dhe konferenca./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Ish-drejtori i Njësisë së Auditimit në Ministrinë e Infrastrukturës akuzohet se bëri raport në favor të “Sallahu” SH.P.K

Published

on

Drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Begzad Musliu dhe ish-pronari i kompanisë “Sallahu” SH.P.K, Naim Sallahu, kanë dalë para Gjykatës së Prishtinës më 16.05.2024 për t’u përballur me akuzat që u ngarkohen.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Begzat Musliu në nëntor të vitit 2020 i kishte tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., që sipas prokurorisë është e ndaluar me ligj.

Në seancën e 16.05.2024 janë dëgjuar Hysen Merovci, Shaban Krasniqi dhe Mexhide Behluli të cilët ishin propozuar si dëshmitarë për t’u dëgjuar nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve.

Mexhide Behluli e cila ishe ftuar të dëshmojë në rolin e zyrtares ligjore në Ministri të Infrastrukturës tha se nuk i kujtohej se ka qenë në takimin në të cilin ishte diskutuar nga sekretari i kësaj ministrie dhe udhëheqësit të divizionit lidhur me kërkesën për futjen e kompanisë “Sallahu” SH.P.K, në listën e zezë.

“Nuk më kujtohet që kam qenë pjesë e këtij takimi” – tha Mexhide Behluli gjatë dëshmisë së saj në gjykatë.

Ajo mohoi të jetë në dijeni se ka pasur një kërkesë nga Vlamire Bllaca për ta futur në listën e zezë të Organit Shqyrtues të Prokurimit, kompaninë e “Sallahu” SH.P.K.

Mexhidi tha se fushë-veprimtaria e saj ishte të jetë si pikë kontakti mes avokaturës shtetërore dhe MI në lidhje me lëndët Gjyqësore në të cilat MI ishte palë e paditur.

Pas Behlulit, dëshmoi Hysen Merovcit, i cili kishte qenë udhëheqës i divizionit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Për dallim nga Behluli, dëshmitari Merovci tha se është mbajtur një takim me sekretarin e MI, Izedin Bytyqin për të diskutuar lidhur me kërkesën e Valmire Bllacën për ta futur në listë të zezë të kompanisë “Sallahu” SH.P.K.

“Sekretari i MI Izedin Bytyqi më ka kërkuar mua në cilësinë e udhëheqësit të divizionit të projektit edhe kjo çika e departamentit ligjor, Mexhide në takim me zyrën e sekretarit në lidhje me një ankesë që është bërë nga Operatori Ekonomik ‘Sallahu’, e ka lyp mendimin tonë, në lidhje me vlerësimin e një tenderi për ndërtimin e urës M9 Pejë – Kuqisht” – tha Merovci.

Në fund është dëgjuar edhe dëshmitari Shaban Krasniqi i cili ishte gjeodet në kompaninë “Sallahu” SH.P.K.

Me të përfunduar faza e dëgjimit të dëshmitarëve, gjyqtari Avni Syla njoftoi të pranishmit në sallë se meqë nuk ka asnjë propozim për plotësimin e provave, do të kalohet në fazën e dhënies së mbrojtjes nga të akuzuarit.

Ky rast po gjykohet nga gjykatësit Avni Syla, kryetar i trupit gjykues, Alban Ajvazi dhe Sulltane Hoti – anëtarë. Aktakuza përfaqësohet nga prokurori i krimeve të rënda, Bashkim Zeqaj.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Begzad Musliu, në nëntor të vitit 2020 i kishte tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., gjë që është e ndaluar me ligj.

Auditimi i lëndës së prokurimit është bërë për projektin me emrin “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9, segmenti Pejë – Kuqishtë me lokacionin Drelaj”./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Publikohet platforma digjitale për historinë e Prishtinës

Published

on

Historia qindravjeçare e Prishtinës tash e tutje do të mund të njihet edhe përmes platformës digjitale “Prishtina në histori”.

E krijuar nga “Trembelat”, kjo platformë prezanton qindra dokumente origjinale për Prishtinën, që nga shekulli i 13-të.

Përmes një komunikate për media, “Trembelat” kanë bërë të ditur se platforma digjitale (qerthulli) “Prishtina në histori” përmbledh një grumbull digjital të teksteve, hartave, gravurave, fotografive dhe punimeve rreth historisë së qytetit të Prishtinës që kapin kohën prej fundit të shekullit 13-të deri në vitete e para të shekullit 20-të.

Në Arkivin e Prishtinës, pjesë e Komunës së Prishtinës, rishtazi janë sjellë rreth 38,598 dokumente osmane, të cilat dokumentojnë historinë e Prishtinës prej shekullit të 15-të deri në shekullin 20-të, shumica prej tyre, siç thuhet në komunikatë janë krejt të pastudiuara dhe të panjohura për publikun.

Në anën tjetër, po sipas komunikatës, shumë studime të cilat janë bërë bazuar në arkivat e Romës, Venedikut dhe Dubrovnikut mbesin në sirtarë të bibliotekave dhe njihen vetëm prej një grupi të vogël specialistësh.

“Këto të dhëna, por dhe të tjera që kanë të bëjnë me të kaluarën e Prishtinë, nga arkiva, biblioteka e koleksione janë mbledhur dhe do të vazhdojnë të mblidhen në fazat e tjera të këtij projekti (Prishtina në histori)”- thuhet në komunikatën e ‘Trembelave”.

Po siaps komunikatës, në mesin e materialeve të botuara janë edhe rreth 100 dokumente origjinale të përkthyera, si shtesë për tekstet e shkruara enkas, e artikuj të rëndësishëm nga e kaluara që meritojnë të lexohen më gjerësisht, pjesa më e madhe e tyre, sic thuhet më tej në komunikatë, janë botuar në këtë fazë fillestare.

Platforma është iniciativë e “Trembelave” me siglën botuese “Varg” e mbështetur financiarisht nga Komuna e Prishtinës, në partneritet të ngushtë edhe me Arkivin e Prishtinës, të cilët edhe kanë mundësuar qasjen në dokumentet nga arkivat osmane, që në vitin 2018 janë sjellë në kopje digjitale te ky arkiv./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending