Mbase po mendoni nëse keni lexuar më parë se ka një titull “Daja më i mirë në vend”, por një të tillë në një ose formë tjetër po ia vëjmë ne Asdren Spahijës, gjë që do të pajtohen pakundërshtim edhe nipi i tij, Gega.
Rrëfim nga Uran Haxha
Edhe Peja, sikur e gjithë Kosova, iu nënshtrua ndalesave për lëvizje, që erdhën nga pandemia COVID-19. Ishte ende koha kur mund të lëvizje herët në mëngjes dhe vonë në mbrëmje. Rrugën nga Kapeshnica, lagja e kapun rrëzë kodrës së qytetit matanë “Bistricës”, Asdreni e bënte përgjatë qendrës për të shkuar në afërsi të objektit të Shkollës për Personat e Verbër. Atje i jeton nipi, Gega 2-vjeçar. Herë kthehej në shtëpi, e më shumë rrinte tek ai edhe natën për t’i plotësuar një andërr.
Ndër vite i kishte shkuar ndërmend që t’ia pikturonte Gegës një ballë muri në dhomë me personazhet e filmave vizatimor të Disneyt. E kur më shumë se tash po i jepej mundësia. Kështu që ngjyrat e brushat i mori në qantë dhe filloi punën.
“Prej qysh ka lind nipi, ideja ka qenë të realizojmë një mural në dhomën e tij, por gjithmonë ka qenë një projekt që gjithmonë ka rënë në fund të listës dhe ja që kjo kohë e bëri të mundur realizimin e këtij murali dhe gjithë madhështinë e tij dhe vëmendjen e ka tek detajet, pasi që është një gërshetim i 6 filmave me personazhet dytësor të përallave si ‘Borebardha dhe shtatë xhuxhat’, ‘Piter Pan’, ‘Bambi’, ‘Sirena e vogel’, ‘Pinoku’ dhe ‘Liza ne boten e çudirave’”, tregon Asdreni, që me mjeshtri ka krijuar një përrallë tjetër me kombinimin e personazheve.
Si arkitekt, padyshim që profesionalizmi i ka hyrë në punë, pasi bukur janë të vendosur në hapësirë secili prej tyre. Ai realizoi në perfeksion muralin dhe bëri të lumtur veten dhe nipin.
Asdreni ka kryer gjithë shkollimin fillor dhe të mesëm në Pejë dhe gjithmonë ishte pjesë e aktiviteteve kulturore dhe rinore. Me një krah të fortë që i jepnin prindërit, ai pati guxim që në klasë të 8-të të realizojë muralin e parë në shkollën fillore “Vaso Pashë Shkodrani”.
“Ka qenë sfida më e madhe sepse dimensioned kanë qenë shumë të mëdha, 4X6 metra. Isha si fëmijë përball një muri që të përbinte i tëri. Ky mural vazhdon të qëndrojë ende në shkollën time”, kthehet në kohë ai.
Tash Asdreni është pranë diplomimit, por edhe punon. Karantinën po e mbush me punë për një projekt që e përshkruan me shumë emocion, por natyra e projektit nuk e lejon ta zbuloj më shumë.
“Për fatin tim jam duke punur me një projekt që jam shumë i emocionuar. Është projekti im që më ka sfiduar më së shumti deri tani fatin pata që më erdhi një ofertë që bëri të mundur këtë realizim, por s’mund të them më shumë pasi që është ‘top secret’ ky projekt dhe janë vetëm disa persona të afërt që e dijnë, është një procedurë e gjatë, por mbi të gjitha është emocionuese. Në ndërkohë jam duke realizuar një koleksion të pikturave që janë në një stil të caktuar”, shpjegon Spahija, që nuk po e ndan nga dora një fletore skicash gjatë gjithë kohës së karantinës.
Por, kujtimet janë ato që njerëzit mbajnë gjithmonë. Për arkitektin e ri pejan, kujtimet janë të ngjyrosura. Tash tregon se çka bëri në shkollë fillore, e më vonë do të tregojë se si e bëri nipin e tij të lumtur. Mbase Gega do të tregojë më me pasion se daja i tij.
Ditët gjatë pikturimit të muralit, Asdreni pedant në punë kish pak drojën e harxhimit të ngjyrave, pasi dyqanet ishin mbyllur. Por, ia doli, duke pikturuar me Gegën që i sillej nëpër këmbë shpesh. Aty ndoshta edhe ai u njoftua dhe u lidh me artin. Pse jo, të gjithë do të donin një dajë të tillë.
Biles, Asdreni tash po ndjen edhe përmbushje kur thotë në formë shakaje se “Gjithë ato vite të fëmijërisë duke u obsesionuar pas filmave Disney nuk shkuan dëm tek e fundit”.
Planet e tij për të ardhmen po ngjizen që të jenë të mëdha, e më të mëdha. Por, ai preferon të thotë se “Gjithmonë ne bëjmë plane për të ardhmen, deri sa jeta na shikon dhe qesh me planet tona”. Por, si opozitë e kësaj shprehje është edhe ajo që “Kur nuk bën një planifikim, e ardhmja nuk duket në horizonte”. Ai ka sytë tashmë tek projektet, me të cilat synon jo vetëm tregun vendor./ndertimi.info/
You must be logged in to post a comment Login