Administrata e Trump-it është duke e përshpejtuar ndërtimin e murit jugor multi-miliardësh , përkundër eskalimit rapid të pandemisë së koronavirusit.
Në fillim të kësaj jave Dogana dhe Mbrojtja e Kufijve (CBP) njoftuan për planet e ngritjes së murit më të gjatë se 150 milje, në vijën kufitare të Arizonës, New Mexico-s dhe Kalifornisë, shkruan The Guardian, transmeton Ndërtimi.info.
Kjo shpallje erdhi pak pasi Donald Trump deklaroi për emergjencë kombëtare.
Sipas të dhënave në Amerikë numri i të vdekurve nga koronavirusi është 260 persona dhe numri i të prekurve është 19,500.
Përderisa ekspertët mjekësor dhe zyrtarët lokal lusin qytetarët amerikanë të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbajnë distancën sociale, punëtorët e ndërtimit në shumë vendpunishte vazhdojnë të punojnë, të flejnë e të hanë në banesa të vogla të përbashkëta.
“Ndërtimi i murit nuk është ndikuar” ka thënë një zëdhënës i CBP-së.
Puna e ndërtimit vazhdon në shumë pjesë të Amerikës, mirëpo për murin, saldues të zotë, inxhinierë e kontraktorë zhvendosen nga shtete të largëta si Montana, Maine, Wyoming, Texas, North Dakota dhe Kentucky. Përgjatë kufijve ata punojnë së bashku, transportohen në mënyrë të organizuar, qëndrojnë në hotele e motele lokale dhe hanë së bashku në restorante para se të kthehen te famljet e tyre.
Të premten puna vazhdoi në rrethinën e San Bernardino në juglindje të Arizonës ku ndodhet një strehë e kafshëve të egra dhe një numër i kafshëve të rrezikuara po shihen si të kërcënuara nga ky projekt.
“Nuk ka asnjë shenjë të ndalimit të punës, qindra punëtorë ndërtimi nga i gjithë vendi por edhe nga Meksika vazhdojnë të punojnë në mur, duke u zhvendosur gjatë fundjavave, duke qëndruar në hotele dhe ngrënë në restorante në komunitetin tonë para se të kthehen në shtëpi dhe potencialisht ta transferojnë COVID-19-shin”, ka thënë Myles Traphagen, ekolog në Wildland Network, i cili i ka shkruar komitetit të kongresit duke i bërë thirrje për suspendim të ndërtimeve gjatë pandemisë.
Korpusi i inxhinierëve të ushtrisë nuk u përgjigj në pyetjen se a janë implementuar masat e sigurisë .
Trump kishte premtuar, gjatë fushatës presidenciale, të ndërtojë “një mur të madh e të bukur” përgjatë 2,000 miljeve të kufirit jugor (dhe të bëjë Meksikën të paguajë për të).
Që nga atëherë administrata e Trumpit u zotua që deri në fund të 2020-ës të ngrisë 450 deri 500 milje të këtij muri, me çmim prej 18.5 miliardë dollarë. Shumica dërrmuese e parave u lëshua nga departamenti i mbrojtjes i SHBA-së, gjegjësisht nga operacionet anti-drogë dhe infrastruktura ushtarake, pasi që Trumpi deklaroi për emergjencë kombëtare, e cilësuar nga shumë si e paligjshme, në shkurt të 2019-tës.
Shtesat e fundit për ndërtimin e murit erdhën pasi Departamenti i Sigurisë së Atdheut (DHS), i cili ka nën mbikëqyrje CBP-në, hoqi dorë nga një seri ligjesh federale për të përshpejtuar ndërtimin e murit.
Në mënyrë që muri i lartë 9 metra të ngritet sa më shpejtë që të jetë e mundur, The Guardian ka siguruar raporte për punëtorët që paguhen mbi normat mesatare për të punuar natën.
“DHS-ja është duke gjuajtur miliarda në një monument në mes të shkretëtirës i cili praktikisht do të ketë efekt të vogël në migracion dhe trafikim të drogës, kur tani është një kërcënim i vërtetë të cilit duhet t’ia kushtojmë të gjithë vëmendjen dhe resurset tona” ka thënë Adam Isacson, drejtor i programit të mbikëqyrje në Zyrën e Washingtonit në Amerikën Latine.
Të premten, sekretari i shtetit, Mike Pompeo, njoftoi se kufiri SHBA-Meksikë do të jetë i mbyllur për të gjitha udhëtimet jo-esenciale./Ndërtimi.info/
You must be logged in to post a comment Login