A ju ka ndodhur ndonjëherë të blini një pronë, të jetoni apo punoni në të. Dhe vetëm kur doni ta rindërtoni atë ta kuptoni që në fakt keni paguar mijëra euro kot, pasi tërësia e pronës është avulluar.
Kjo, në fakt, është ajo që i ka ndodhur Gazmend Bucollit nga Drenasi, i cili pagoi 161 mijë euro për një lokal që tërësinë e përgjithshme e pati vetëm në kontratën e shitblerjes, raporton Koha.net
Gazmend Bucolli vendosi ta blinte edhe një lokal, madje ngjitur me lokalin që tashmë e kishte, në Drenas.
Lokali kishte 87 metra katrorë dhe më 2010 kishte kaluar nga prona shoqërore e ish-ndërmarrjes së ëmbëlsirave Kosovarja tek Azem Bytyqi, i cili arriti ta privatizojë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për 121 mijë euro.
Por, pikërisht këtu filluan misteri dhe beteja për ta zbuluar të vërtetën e tërësisë së kësaj prone. Bazuar në një vendim nga 18 prilli 2017, lokali ka hiç më shumë se 70.8 metra katrorë.
Bucolli, në fakt, ende nuk ka arritur që këtë pronë ta vërë mbi emër të tij pikërisht shkaku i zhdukjes së këtyre metrave katrorë.
Komuna e Drenasit nuk i ka dhënë asnjë përgjigje, duke u arsyetuar se aktualisht sektori i Gjeodezisë e ka të pamundur që ta caktojë kufirin e parcelave pasi nuk ka harta kadastrale dhe se planet origjinale ishin marrë nga “okupatori” serb.
Por, në fakt, komuna del ta ketë mashtruar atë, pasi pas shqyrtimit të dokumentit është vërejtur që ajo përgjigje nga Drejtoria e Kadastrit, Gjeodezisë dhe Pronës është lëshuar në vitin 2017 e jo më 2010, siç na është prezantuar atë ditë.
Ani pse kërkesa mbante datën e 8 dhjetorit 2010 kur pronari i ri Azem Bytyqi kishte kërkuar nga Komuna e Drenasit që të përcaktonte kufirin e pronës së privatizuar, përgjigjen e kishte marrë saktësisht më 24 prill të 2017, pra 7 vjet më vonë dhe atë duke mos i sqaruar se përse i mungojnë 16 metra katrorë të lokalit.
Bucolli thotë se përgjigjen e tij e kishte kërkuar edhe në AKP, e cila i kishte thënë se gabimet mund të ishin milimetrike, por asnjëherë me metra katrorë.
AKP-ja i është përgjigjur edhe Kohavisionit, duke na njoftuar se lokali në fjalë është tenderuar në shitjen e aseteve me likuidim nr.3 dhe se sipërfaqja e lokalit ishte 61 metra katrorë lokal dhe 26 depo, apo në një total prej 87 metrave katrorë. Po ashtu, AKP-ja ka bërë të ditur se palët kanë pasur mundësinë dhe të drejtën për verifikimin, inspektimin dhe hulumtimin e të gjitha informacioneve, si në terren ashtu edhe në dokumentacion.
Por, pronari që realisht figuron në dokumentacion, Avni Bytyqi, nuk ka folur për KTV-në. Ishim dakorduar me pronarin e ri që ta takonim ne Drenas, por ai nuk erdhi me arsyetimin që është në Malin e Zi.
Milaim Ahmeti, për 24 vjet kishte punuar në atë vend dhe e di mjaft mirë se si u tjetërsua një pjesë e kësaj prone. Sipas tij, ajo është shitur te një person me emrin Ismet Elshani nga Krajkova, e shitja e pronës është bërë nga Shemsi Elezi.
Vetë Elezi e ka mohuar një gjë të tillë.
Ai ka insistuar se prona e shitur i takonte të atit të tij, se nuk ka tjetërsuar asnjë gjë dhe se posedon dokumentacion adekuat për pronësinë e tokës.
Për Kohavisionin ka refuzuar të flasë edhe Ismet Elshani, i cili bazuar në deklarimet e pronarit të ri, Bucollit, është i gatshëm të bashkëpunojë me të për t’ia kthyer lokalin nëse ai e paguan, shumë që ky e kishte dhënë kur e ka blerë atë.
Në fakt, Elshani ka një kontratë të rregullt të shitblerjes mes tij dhe Shemsi Elezit, i cili kishte qenë asamblist i PDK-së në Drenas, deri sa më 2017-n ishte edhe kandidat për kreun e komunës nga radhët e Vetëvendosjes.
Në prillin e 2006-s ai ia kishte shitur Elezit një pronë me sipërfaqe prej 0.00.62 hektarëve, me një çmim prej 17 mijë e 800 eurosh.
Por, Milaimi Ahemti thotë se kishte paralajmëruar Elezin që po shiste tokën e huaj.
Sidoqoftë, Milaim Ahemti është i bindur se përveçqë një pjesë e lokalit u tjetërsua, ai e gëzon të drejtën e atij lokali pasi thotë se e privatizoi më 1997 nga “ZitoKondita”, madje insiston se ka edhe dokumentacioni valid për këtë privatizim.
Lëndën e tij thotë se e ka në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe është i bindur se do ta fitojë.
You must be logged in to post a comment Login