Florent Emini dhe bashkëshortja e tij Armenda Beqiraj kanë marrë disa kontrata nga Komuna e Vitisë.
Kompania që është në pronësi të Florent Eminit, “Geo Map” merret me hartim të projekteve për këtë komunë. Kurse, kompania “Pro & Co Group SH.P.K”, që është pronë e Armenda Beqirajt, ka marrë disa kontrata për realizim të punëve të ndryshme në këtë komunë.
Kallxo.com ka gjetur se të paktën në një rast projekti ishte hartuar nga “Geo Map”, ndërsa kontratë për realizim të punëve e kishte fituar kompania e bashkëshortes së tij, “Pro & Co Group SH.P.K”.
Florent Emini, që është edhe vëllai i ish-drejtoreshës së Kadastrit dhe Arsimit në Komunën e Vitisë, Fatbardha Emini, e ka nënshkruar një kontratë për ‘hartimin e projekteve investive (kapitale)’ me kompaninë e tij “Geo Map & News”.Grupi i kompanive “Geo Map dhe News Sh.P.K” ka qenë i vetmi operator i përgjegjshëm dhe më pas i ishte dhënë kontrata për “Hartimin e projekteve investive (kapitale) për komunën e Vitisë”.
Kallxo.com i ka analizuar kapacitetet teknike dhe profesionale të kërkuara nga komuna për këtë tender dhe rezultojnë që janë dukshëm më të larta se sa në tenderët e natyrës së njëjtë të hapur nga komunat tjera. Por, kundër njoftimit për kontratë nuk është ankuar asnjë operator ekonomik.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrim të bizneseve, pronar i kompanisë “Geo Map”, e cila ishte pjesë e konsorciumit që e ka fituar këtë kontratë, është Florent Emini.
Kjo kompania kishte marrë kontrata të ngjashme edhe viteve të kaluara.
Në vitin 2019, kompania “Geo Map” kishte nënshkruar kontratën me dy llote për ‘hartim të projekteve investive’, në vlerë totale prej 52,729.5 euro. Në atë kohë, Fatbardha Emini, motra e Florent Eminit, i cili është pronar i kompanisë “Geo Map”, ishte drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Vitisë, që udhëhiqet nga Sokol Haliti i LDK-së.
Kompania “Pro&Co Group” nuk është përgjigjur fare në pyetjet rreth lidhjeve familjare të pronares së kësaj kompanie, Armenda Beqiraj dhe pronarit të kompanisë “Geo Map”, Florent Emini. E njëjta pyetje i është ridërguar në emalin e njëjtë që është përgjigjur në pyetjet e para, mirëpo nuk janë përgjigjur.
Në përgjigjen e tyre, “Pro&Co Group” kanë thënë se për të njëjtën çështje, pra pronësinë e dy kompanive kanë pasur telashe edhe me institucione të tjera./Media Ndërtimi
You must be logged in to post a comment Login