Connect with us

Aktuale

Shqipëria, bllokuesja e dytë pas Serbisë për Kosovën

Published

on

Megjithëse ka një progres në realizimin e marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri, ende shfaqen pengesa për bizneset, të cilat nuk rregullohen me këto marrëveshje. Tarifa 100 për qind nuk pati ndikim pozitiv për prodhuesit shqiptarë, derisa Shqipëria është shteti i dytë pas Serbisë që aplikon barriera tarifore dhe jo-tarifore ndaj Kosovës.

Kështu u tha në tryezën e diskutimit me temën “Potenciali tregtar Kosovë-Shqipëri: Barrierat tregtare dhe zbatimi i marrëveshjeve bilaterale”, të organizuar nga Instituti Riinvest dhe Instituti GAP.

Pothuajse në të gjithë sektorët eksportues të Kosovës ka potencial për rritje të bashkëpunimit tregtar me Shqipërinë.

Në anën tjetër janë identifikuar një mori pengesash të cilat po e pamundësojnë shfrytëzimin e këtij potenciali. Këto pengesa janë kryesisht të karakterit teknik, mirëpo në raste specifike ato shfaqen edhe në formë të barrierave tarifore.

Ndër pengesat kryesore që janë identifikuar në këtë studim përfshijnë dyfishimin e procedurave për mallrat që kalojnë transit në territorin e Shqipërisë, pengesat për skanim të mallrave në portin e Durrësit pavarësisht destinacionit final, tarifa e lartë rrugore, çmimet referente, akcizat diskriminuese, dokumentacione shtesë sanitare dhe fitosanitare.

Visar Vokrri nga Instituti Riinvest, theksoi se në dy vitet e fundit është rrit shkëmbimi tregtar Kosovë-Shqipëri, teksa shtoi se që nga shpallja e pavarësisë janë nënshkruar 13 marrëveshje në fushën e tregtisë mes dy qeverive shqiptare, por pavarësisht nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, ende mbeten të pazgjidhura një sërë pengesash dhe barriera të ndryshme tregtare.

“Pavarësisht nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve shpërfaq në vete një avancim në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, në shkëmbimet tregtare mes dy vendeve ende mbeten të pa zgjidhura një sërë pengesash të karakterit teknik apo barriera të ndryshme jo-tarifore”, tha Vokrri.

Berat Thaçi nga Instituti GAP me këtë rast tha se shumë prej problemeve me të cilat përballen bizneset, nuk mund të zgjidhen edhe me marrëveshjet e arritura ndërmjet dy qeverive shqiptare sepse nuk janë adresuar në këto marrëveshje.

Problem tjetër, sipas Thaçit, janë edhe ankesat e bizneseve të Kosovës për korrupsion në doganën e Shqipërisë.

“Shumë prej problemeve të raportuara nga bizneset në Kosovë nuk janë të adresuara përmes këtyre marrëveshjeve dhe janë probleme të brendshme të të dyja vendeve që edhe nuk mund të adresohen me marrëveshje. Shumë shpesh bizneset eksportuese nga Kosova në Shqipëri e kanë raportuar si problem korrupsionin në doganat e Shqipërisë”, thotë Thaçi.

Ndërsa, Arben Shkodra nga Bashkimi i Prodhuesve të Shqipërisë tha se është për të ardhur keq, kur dëgjojmë Shqipëria dhe Kosova kanë rreth 77 marrëveshje, 13 prej tyre janë në rrafshin tregtar dhe ka ende barriera tarifore dhe jo tarifore.

“Shumë prej marrëveshjeve qeveritë tona i bëjnë për show dhe në bazë të analizave nga tre Institutet kanë mbetur të pa zbatuara. Ne mendonim që rasti i Kosovës, dhe fenomeni që prodhoi me taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës do t’i jepte një avantazh ekonomisë prodhuese dhe eksportuese shqiptare. Unë nuk pash që kishte një ndikim aq të madh, arsye ja, sepse besoj që vazhdojmë të kemi barriera tarifore dhe jo tarifore mes nesh”, tha Shkodra.

Astrit Panxha drejtor ekzekutiv në Klubin e Prodhuesve të Kosovës tha se bizneset në Kosova dhe Shqipëri kanë bashkëpunim të mirë, por nuk janë duke u marrë parasysh kërkesat për barrierat e tyre të cilat janë paraqitur në institucionet e ndryshme, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Për kundër që ka potencial të pashfrytëzuar ndërmjet dy shteteve shqiptare, Panxha tha se ende nuk ka një fabrikë për kapital të përbashkët.

“Ndodhemi në një periudhë që jemi duke u marrë me Serbinë dhe me tarifën 100 për qind dhe prezantimi i këtyre të gjeturave nuk është në kohën më të mirë për neve që të ulemi dhe të merremi me problemet që i kemi me Shqipërinë. Për fat të keq, pas Serbisë, në dokumentet tona, Shqipëria ka dalë që ka nivelin më të lartë të barrierave tarifore dhe jo-tarifore me Kosovën”, theksoi Panxha.

Riinvest dhe GAP kanë hartuar një studim për vlerësimin e shkallës së zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara tregtare nga Kosova dhe Shqipëria.

Ky studim përmban një vlerësim të potencialit tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë si dhe identifikimin e barrierave tregtare të cilat po e pamundësojnë shfrytëzimin e këtij potenciali.

Në mënyrë që të shfrytëzohet potenciali ekonomik për shkëmbime tregtare mes dyja vendeve, në këtë raport janë dhënë një sërë rekomandimesh. Ku, si parakusht për rritje të mëtutjeshme të shkëmbimeve të mallrave mes dy vendeve duhet të jetë prioritet forcimi i sundimit të ligjit, rritja e kapaciteteve institucionale dhe ulja e pengesave burokratike. /KP/

Aktuale

Ligji i Punës të rikthehet në agjendën legjislative

Published

on

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, ka prezantuar analizën “Ligji i ri i punës: Në mes të nevojës dhe kërkesave për ndryshim”.

Nga KDI thonë se duke iu referuar përpjekjeve të pasuksesshme të disa qeverive tash e disa vite për të avancuar marrëdhënien e punës në Kosovë,  përmes këtij punimi diskutues.

“KDI po synon të rikthejë në diskursin publik debatin për inicimin e një ligji të ri të punës, i cili e ka bazën në nevojat dhe kërkesat e punëtorëve, organizatave sindikale e OJQ, në përputhje me standardet dhe praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian, e që garanton mbrojtje më të mirë për punonjësit në Kosovë”, thuhet nga KDI.

Ligji aktual i Punës paraqet një ndër ligjet më vitale në vend duke qenë se rregullon punësimin e mbi 370 mijë punonjësve në sektorin publik e atë privat, thotë KDI-ja.

“Ndryshimi i këtij ligji ka qenë premtim i çdo qeverie që nga viti 2012, ndërkohë që drafte të ndryshme kanë arritur të bëhen edhe pjesë e agjendave legjislative. Sidoqoftë, këtë vit, qeveria aktuale ka vendosur ta tërheq këtë ligj nga agjenda legjislative pa ndonjë paralajmërim, përkundër që trendi i shkeljeve të të drejtave të punës vazhdon të jetë në rritje”, thuhet tutje nga KDI.

Albesa Humolli nga KDI ka deklaruar se ligji aktual i punës nuk ofron mbrojtje dhe siguri të mjaftueshme për punonjësit, duke i lënë ata të cenueshëm ndaj shfrytëzimit, diskriminimit dhe kushteve të pasigurta të punës. Kohëzgjatja dhe mungesa e kufizimeve sa i përket kontratave për kohë të pacaktuar, rregullimi i pushimit të lehonisë, mungesa e pushimit prindëror, mungesa e kufizimeve sa i përket orëve shtesë të punës, mungesa e kufizimeve sa i përket formalizimit të marrëdhënies së punës, çështja e rregullimi të punës me orar jo të plotë, çështja e së drejtës në pushim për punonjësit apo çështjet e tjera si rregullimi i punësimit në kohët moderne si puna hibride, puna nga shtëpia, apo puna për kompani jashtë vendit konsiderohen të jenë disa nga mangësitë e ligjit aktual të cilat asnjëherë nuk kanë arritur të adresohen.

Humolli, thekson se mangësitë e një ligjit ‘të stërvjetruar’ të punës po bien në kurrizin e punonjësve në Kosovë, të cilët ende përballen me informalitet në punësim, mungesë të kushteve për punë, mos pagesë të pushimit vjetor apo mjekësor, pagë jo të rregullt apo orar të tej zgjatur pune pa pagesë. Për më tepër edhe institucionet ligj zbatuese megjithë përpjekjet e tyre, nuk po arrijnë të mbikëqyrin zbatimin e ligjit në masë të duhur.

Sipas Humollit, ndryshimi i ligjit aktual ose iniciimi i një ligji të ri të punës është i nevojshëm marrë parasysh aspiratat e vendit për të ju bashkuar tregut evropian të punës, që nënkupton që ligji duhet të përafrohet me  kërkesat që dalin nga  17 direktivat e Bashkimit Evropian që përcaktojnë standardet minimale në fushën e rregullimit të marrëdhënies së punës.

KDI kërkon nga qeveria që të reflektojë në këtë drejtim dhe të fillojë dialogun social më të gjitha palët, në mënyrë që ligji i punës të rikthehet në programin legjislativ për këtë vit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Industria e ndërtimit po bëhet gjithnjë e më e varur nga zgjidhjet e teknologjisë dixhitale

Published

on

Industria e ndërtimit është bërë gjithnjë e më e varur nga zgjidhjet e teknologjisë dixhitale vitet e fundit, nga përdorimi i pajisjeve të automatizuara të ndërtimit te printimi 3D, sistemet e modelimit të informacionit të ndërtesave (BIM) dhe inteligjenca artificiale. Tori Graney e firmës ligjore shumëkombëshe Pinsent Masons eksploron rritjen e krimit të sigurisë kibernetike në industrinë e ndërtimit për shkak të teknologjisë.

Pavarësisht thjeshtimit të procesit të ndërtimit, këto përparime teknologjike kanë çuar në një rritje të rreziqeve të sigurisë kibernetike, të përforcuara më tej nga fluksi i lartë i parave dhe pagesat me vlerë të lartë brenda industrisë dhe nga fakti i thjeshtë që shumë projekte përfshijnë infrastrukturën kombëtare kritike, qoftë në Shtetet e Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar ose në të gjithë Bashkimin Evropian.

Fatkeqësisht, këta faktorë i bëjnë kriminelët kibernetikë t’i shohin bizneset e ndërtimit si objektivat kryesore të sulmeve.

Ndërsa industria e ndërtimit po dixhitalizohet gjithnjë e më shumë, sasia e të dhënave dhe informacioneve të ndjeshme që mblidhen dhe ndahen në mënyrë elektronike brenda organizatave është rritur ndjeshëm, për shembull, qofshin ato dizajne të pronarit ose të dhënat e punonjësve.

Si rezultat, pasojat e një sulmi kibernetik mund të jenë veçanërisht të rënda për firmat e ndërtimit, duke çuar potencialisht në humbje të konsiderueshme financiare, si dhe në pajtueshmëri apo edhe rreziqe sigurie.

Ndikimi i sulmeve kibernetike shtrihet edhe në dëmtimin e reputacionit, me shkelje të të dhënave që shpesh çojnë në humbjen e besimit të klientit dhe besnikërisë ndaj markës.

Kjo mund të ketë efekte afatgjata në linjën përfundimtare të një kompanie dhe përfundimisht thekson rëndësinë në rritje të gatishmërisë dhe sigurisë së fuqishme kibernetike për firmat e ndërtimit që punojnë në projekte të rëndësishme të infrastrukturës.

Rreziku kibernetik mund të jetë i vështirë për t’u kontrolluar në një kantier ndërtimi, me nënkontraktorët dhe stafin e përkohshëm që i shtojnë rrezikut ekzistues që vjen nga aftësitë teknologjike të kriminelëve kibernetikë.

Prandaj, kontraktorët duhet të shikojnë rrjetet e tyre të mbështetjes dhe rrezikut të vlerësojnë ekspozimin e tyre ndaj dobësive kibernetike, duke përfshirë atë që mund të bëjnë më shumë në terren për t’i siguruar vetes mbrojtje më të madhe dhe ku kjo mbrojtje është më e nevojshme.

Kjo përfshin shikimin e çdo hallke të zinxhirit të ndërtimit dhe kërkimin e partnerëve nënkontraktorë që të demonstrojnë praktika të shëndosha të sigurisë kibernetike në tenderat e tyre, për shembull.

Në Mbretërinë e Bashkuar, NCSC dhe Instituti i Ndërtimit të Chartered (CIOB) janë partnerizuar së fundmi për të prodhuar udhëzime praktike për të mbështetur bizneset, përfshirë SME-të, që punojnë në ndërtim, të cilat mund të përdoren si një udhëzues për zbatimin e masave të sigurisë kibernetike./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Komuna e Prizrenit organizon aksionin pranveror të mbledhjes së mbeturinave të vëllimshme

Published

on

Sektori i Mjedisit dhe Menaxhimit të mbeturinave ju njofton se nga data 1 – 7 Maj organizohet aksioni pranveror i mbledhjes së mbeturinave të vëllimshme.

Ky aksion është falas dhe është një mundësi që të kontribuoni në mbrojtjen e mjedisit të përbashkët, ndaj luteni t’i respektoni datat.

Gjatë kësaj kohe, luteni që t’i vendosni mbeturinat para shtëpisë suaj, për të siguruar shkarkimin e tyre të rregullt.

Banorët e ndërtesave të banimit kolektiv duhet t’i vendosin mbeturinat para pikës më të afërt të mbeturinave.

Këto aktivitete janë një mundësi për ta sensibilizuar komunitetin për rregullat e shkarkimit të mbeturinave dhe për të ndihmuar në ruajtjen e mjedisit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending