Inspektorati i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit gjatë së enjtes ka inspektuar punimet e hidrocentralit në fshatin Biti e Poshtme në komunën e Shtërpcës.
Ky aktivitet ka për qëllim shqyrtimin e të gjitha dokumenteve dhe licencave të këtyre bizneseve, ndërkohë pritet brenda pak ditësh të merrej një vendim konkret. Banorët e fshatit Biti e Poshtme po vazhdojnë të protestojnë duke e kundërshtuar futjen e lumit Lepenc nëpër gypa me arsyetim se po dëmtohen mijëra hektarë të parcelave bujqësore. Së bashku me inspektoratin në vendin e ngjarjes ka dalë edhe zëvendësministri në ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit Avni Zogiani. Ai ka thënë se ka rekomanduar inspektoratin për t’i shqyrtuar të gjitha dokumentet dhe licencat e hidrocentraleve, ndërkohë do të merrej një vendim konkret.
“Ka pasur lajme se kemi marrë një vendim për ndërprerjen e punimeve të hidrocentraleve, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Thjesht është kërkuar nga inspektorati që të dalin në terren dhe ta verifikojnë komplet situatën sepse nuk mund të marrim vendim pa e kuptuar saktë se çfarë po ndodh. Ne i kemi thirr edhe inspektoratin për ujëra dhe të ndërtimit në terren, mirëpo ende nuk ka ndonjë vendim sepse është një rrugë e gjatë deri në marrjen e një vendimi konkret. Ne po flasim për një projekt i cili ka ecur bajagi shumë dhe nuk e kemi të lehtë për të vendosur”, ka thënë Zogiani.
Ai ka bërë me dije se tash e tutje inspektorati mundet t’i pezullojë punimet por, siç tha ai, “nuk mund të paragjykojnë asgjë aktualisht”.
“Avokati i Popullit e pati dhënë një version në një kontest tjetër, ndërkaq ne momentalisht jemi duke i studiuar të gjitha rrethanat duke i parë dokumentet e hidrocentraleve dhe gjendjen fizike. Pra ky proces është në fazën e vlerësimit, andaj do të shohim ndërkohë se çfarë vendimesh po merr inspektorati”, ka thënë Zogiani.
Në anën tjetër banorët e fshatit Biti e Poshtme të komunës së Shtërpcës kanë thënë se janë të shqetësuar se si ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit nuk po arrin t’i ndërprenë punimet e hidrocentralit derisa licencat e tyre janë lëshuar në mënyrë të kundërligjshme, ndërkaq punimet po vazhdojnë në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e lumenjve.
“Jemi shumë të shqetësuar sepse kemi pritur që inspektorati i ministrisë t’i pezulloi punimet e hidrocentralit derisa të shqyrtohen të gjitha dokumentet, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Me vendosja e lumit nëpër gypa, banorëve po i dëmtohen mijëra hektar të tokës bujqësore, ndërkohë po humbet lumi i cili është pasuria jonë natyrore”, ka thënë Agron Rushiti banor nga fshati Biti e Poshtme.
Sipas tij, inspektorati e ka mjaftë të lehtë marrjen e një vendimi pasi që hidrocentrali është duke u ndërtuar pa pëlqimin e banorëve.
“Debati publik për këtë hidrocentral është mbajtur në komunën e Kaçanikut gjë që fillimisht është në kundërshtim me ligjin, pastaj licencat janë dhënë në kundërshtim me ligjin për ujërat dhe në kundërshtim me ligjet tjera. Po ashtu vendosja e lumit nëpër gypa është në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës por edhe në kundërshtim me standardet evropiane. Ndërkohë sa herë që kemi të reshura të shiut ujërat po depërtojnë nëpër oborre të shtëpive sepse shtrati i lumit është degraduar tërësish. Po ashtu inspektorati e ka prapë të lehtë për t’i pezulluar këto punime sepse edhe Avokati i Popullit pati kërkuar të vendosej një masë e përkohshme ndaj hidrocentraleve në Shtërpcë”, ka thënë Rushiti.
Në anën tjetër i kontaktuar nga “Koha Ditore”, Ilir Morina, kryeshef në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka thënë se vazhdimisht ky institucion ka qenë kundër hidrocentrale për shkak të dëmtimeve të mëdha që po ndodhin brenda zonave të mbrojtura.
“Raportet e agjencisë së mjedisit ia kemi dërguar ministrit sepse asnjëherë në të kaluarën nuk jemi pyetur për hidrocentrale. Agjencia prej 2016-s me shkrim përmes protokollit i kemi dërguar ministrave se jemi kundër hidrocentraleve për shkak të dëmeve të mëdha që shkaktohen. Pra, Agjencia e Mjedisit ka reaguar vazhdimisht kundër hidrocentraleve sidomos në zonat e mbrojtura në parqet kombëtare”, ka thënë Morina.
Ndërkohë ekspertët e këtij institucioni gjatë vjetëve të fundit kanë bërë edhe analiza rreth ndërtimit të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura. Ndërkaq, në fund të vitit të kaluar një analizë e tillë i është dërguar ish ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në të cilën midis të tjerash thuhet se biodiversiteti është themelorë për jetën në tokë dhe për vetë mbijetesën e njeriut ku përfshihen të gjitha llojet biologjike me përmbajtjen e tyre gjenetike si dhe ekosistemet e ndryshme ku ato jetojnë dhe përmbushin funksionimin normal të sistemeve natyrore dhe të vetë jetës.
“Me trendin aktual të zhvillimit ekonomik, biodiversiteti po kërcënohet seriozisht, përfshirë këtu shumë lloje të rëndësishme për mbijetesën e njeriut. Zhdukja e ndonjërit prej këtyre përbërësve mund të jetë me pasoja të rënda për të gjithë ekosistemin e po ashtu edhe për vetë njeriun”, thuhet midis të tjerash në analizën e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës të cilën e ka siguruar “Koha Ditore”.
You must be logged in to post a comment Login