Qysh në vitin 2009 kanë filluar punimet për ndërtimin e rrugës që lidh Prishtinën, Vushtrrinë dhe Mitrovicën. Mirëpo, edhe tash pas rreth 14 vjetëve, punimet rreth zgjerimit të kësaj magjistraleje, jo vetëm që nuk janë finalizuar, por edhe më tutje zyrtarët e pushtetit qëndror, autoritetet kryesore të Ministrisë së Infrastrukturës vazhdojnë të përcaktojnë afate të reja përfundimtare për ndërtimin e kësaj rruge. Sipas afateve të reja të përcaktuara së fundi, siç ka njoftuar këto ditë ministri i Infrastukturës, Liburn Aliu, përfundimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë do të zgjasë 25 muaj, pra dy e më shumë vjet. E diskutueshme mbetet edhe cilësia e punëve të deritashme në këtë magjistrale.

Disa banorë të Vushtrrisë dhe të rajonit të Mitrovicës, pronarë të automjeteve të këtyre rajoneve, sikur kanë gjetur këto ditë për të përshkuar më lehtë dhe pa ndonjë pritje e radhë të stërgjatur rrugën nacionale Prishtinë- Mitrovicë dhe anasjelltazi. Ata qarkullimin nëpër këtë magjistrale kanë zënë ta bëjnë në kohën e iftarit, kur pakësohet ndjeshëm numri i automjeteve, që gjatë ditës nuk mund t’i përballojë magjistrala, në të cilën tash e 14 vjet janë duke u zhvilluar punë rreth zgjerimit, modernizimit dhe rindërtimit të saj. Kohën e iftarit, pra udhëtarët e gjindshëm e kanë gjetur si shpëtim nga vështirësitë e panumërta që ua shkakton trafiku i superngarkuar, punimet e lëna përgjysmë në shumë vende të kësaj magjistraleje dhe nga rreziku që përditë i kërcënon ata nga aksidentet e mundshme dhe që ndodhin parreshtur.
“Në kohën kur kanë filluar punimet në këtë rrugë, vetë Fatmir Limaj atëbotë ministër i Infrastrukturës së Kosovës, ka thënë se kjo rrugë kryhet deri në vjeshtë”, është shprehur për medie një qytetar nga Mitrovica, që qarkullon përditë këtë rrugë, raporton Buletini Ekonomik.
Ai ka rrëfyer edhe për vështirësitë, vonesat dhe peripecitë e shumta, që ka përjetuar gjatë këtyre 14 vjetëve gjatë qarkullimit nëpër këtë rrugë. Ndërsa, autoritetet qeveritare, këto të tanishmet, për këtë zvarritje kaq të gjatë të zgjerimit të kësaj rruge, herë fajësojnë punëkryesit, herë problemet e shfaqura me shpronësimet e tokave që prekë rruga nacionale Prishtinë-Mitrovicë, herë ndryshimet e mëdha të çmimeve, krahasuar me fillimin e punimeve në këtë magjistrale.
Dhe, vazhdimisht duke gjetur fajtorë për dështimet në përmbushjen e afateve në kryerjen e kësaj rruge, janë përcaktuar afate të tjera të reja, të cilat, po kështu, sikundër ato të mëhershmet, së paku deri më tash, asnjëherë nuk u përmbushën dhe nuk u përmbyllën sipas përcaktimeve.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Hysen Durmishi duke folur për medie pas ndalimit të punimeve në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, që ndodhi në fillim të gushtit 2022, kishte paralajmëruar edhe për shkëputjen e marrëveshjes me kontraktorin që kishte kryer deri në këtë kohë punimet në këtë rrugë. Durmishi kishte thënë se tani duhet të bëhet kontrata me një kontraktor të ri dhe se nuk e di sa do të zgjasë, por që “rruga duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti (2022 pra) dhe jo më herët”.
“Fillimisht bëhet prerja e punimeve nga kontraktori paraprak dhe pastaj duhet bërë kontrata me kontraktorin e ri. Nuk dihet se sa do të zgjasë. Do të bëjmë përpjekje maksimale që kontraktori i ri t’i respektojë afatet kohore të parapara në kontratë. Nuk mund të përfundohet puna para ardhjes së bashkatdhetarëve, por shpresojmë që të përfundojë brenda këtij muaji”, u shpreh Durmishi në një emission televiziv, me këtë rast.
Ai tha se rruga me kontraktorin e kaluar do të duhet të përfundonte në muajin prill (2022), por që kompania nuk i ka respektuar afatet.
“Rruga është dashur të përfundojë në muajin prill por që kontraktori nuk i ka respektuar afatet dhe kjo është arsyeja pse është shkëputur kontrata. Afati është 9 muaj nga nisja e punës me kontraktorin”, tha ai.
Ndërkohë, zëvendësministri Durmishi, në fillim të shkurtit të këtij viti, (saktësisht më 9 shkurt 2023), përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se është bërë shkëputja e kontratës me kontraktorin “Pevlaku & Patishta”, i cili ishte angazhuar në projektin “Zgjerimi i rrugës nacionale “N2 Prishtinë – Mitrovicë”.
“Shkëputja e kontratës është bërë bazuar në raportin e Auditorit, me ç’rast punëdhënësi, përkitazi autoriteti kontraktues (MMPHI) dhe financuesit – bankat ndërkombëtare (SFD dhe OFID) pas shumë tentativave dhe takimeve me Kontraktorin për të gjetur zgjidhje dhe të tejkalojnë sfidat me të cilat përballeshin, Kontraktori “Pevlaku & Patishta”, nuk ka përmbushur obligimet/angazhimet e tij të përcaktuara në Minutat e Takimit, klauzola që kishin rënë dakord dhe nënshkruar më 23 Nëntor 2021, nenet e “Aneks Marrëveshjes së Kontratës” me numër MI. 10598, të nënshkruar më 23 dhjetor 2021, si dhe legalizimin e nën-kontraktorit ilegal të angazhuar që nuk lejohet sipas kontratave ndërkombëtare që janë të bazuara në FIDIC”, ka shkruar Durmishi.
Ndërsa, rruga Prishtinë – Mitrovicë, jo vetëm që nuk përfundoi në muajin prill, dhe as në fund të vitit 2022 siç deklaronte zëvendësminsitri Durmishi, por tani parashihen afate të tjera, të reja dhe jo me kohë të shkurtër.
Afatet e reja, siç ka njoftuar këto ditë ministri i Infrastukturës, Liburn Aliu, përfundimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë do të zgjasë 25 muaj, pra dy e më shumë vjet. Aliu, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se në fillim të këtij muaji (mars 2023) është publikuar Njoftimi Specifik për Prokurim për Shërbimet Konsulente për Rishikim të Dizajnit dhe Mbikëqyrjen e Punëve Ndërtimore në këtë rrugë dhe ka ftuar kompanitë që t’i dorëzojnë propozimet./Media Ndërtimi.