Connect with us

Aktuale

Zyra e Auditorit hulumton mbi 1 mijë kontrata të firmosura në KEK, nisin hetimet rreth prokurimit

Published

on

Zyra Kombëtare e Auditimit ka filluar auditimin e performancës në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me temën “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020)”. Fokus kryesor i auditimit janë aktivitetet e prokurimit, përmes së cilave janë shpenzuar shuma të konsiderueshme të parave. Në fakt, KEK-u është organizata me pjesëmarrjen më të madhe në prokurim publik në Kosovë. Përmes tenderëve publik, gjatë viteve 2018-2020, KEK-u kishte lidhur 1,060 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 181.5 milion euro.

Aktivitetet e prokurimit në KEK, sikurse në çdo autoritet tjetër kontraktues, duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik, që kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi për mallra, shërbime dhe punë e arrin qëllimin e përcaktuar.

Duke qenë shoqëri aksionare 100% në pronësi të Republikës së Kosovës, aktivitetet e KEK-ut janë interes publik prandaj Zyra Kombëtare e Auditimit ka vendosur që t’i bëhet një vlerësim i përgjithshëm i performancës së KEK-ut nga aspekti i prokurimit.

Objektivi i këtij auditimi është të vlerësojë nëse gjatë viteve 2018-2020, KEK-u ka arritur objektivat e paracaktuara të prokurimit dhe nëse po, a i ka arritur duke kombinuar burimet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Fushëveprimi i auditimit të performancës përfshin kontratat e prokurimit të lidhura gjatë viteve 2018-2020 me fokus të veçantë në kontratat e lidhura përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, vlera e të cilave arrin afër 33 milion euro, që përfaqëson 18% të vlerës totale të kontratave të lidhura nga KEK-u në këtë periudhë. Nga këto, kemi përzgjedhur gjithsej 108 kontrata në vlerë 7.75 milion euro për t’i audituar. Edhe kontratat e lidhura me procedurë të hapur janë pjesë e fushëveprimit nga të cilat 55 milion euro (39 kontrata) do të auditohen. Nga to gjashtë janë kontrata për punë, 33 kontrata të tjera janë kontrata për furnizim.

Auditimi synon t’i trajtojë çështjet në vijim:

  • Identifikimin e nevojave dhe planifikimin e prokurimit;
  • Hartimin e specifikimit teknik;
  • Parashtrimin e kërkesave të përshtatshmërisë profesionale dhe teknike;
  • Menaxhimin e kontratave; dhe
  • Vlerësimin që KEK-u i ka bërë proceseve të prokurimit.

Ky auditim synon të rris llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e aktiviteteve të prokurimit publik në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe aty ku është e nevojshme të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë më efektive dhe efikase.

Aktuale

Si u falsifikuan dokumentet për shitjen e pesë parcelave në Hajvali?

Published

on

E dëmtuara V.Ç thotë se ajo nuk e kishte autorizuar të akuzuarin Sejdi Bajogu tek noterit tani i akuzuari  Sinan Visoka, për shitjen e pesë parcelave në Hajvali të Prishtinës.

“Jo nuk e kam dhënë këtë autorizim”, tha e dëmtuara V.Ç,

Në këtë rast të akuzuarit Visoka Bajogu, Muhamet Dragozhuba dhe Jonuz Zhinipotokut po akuzohen për korrupsion dhe veprat tjera penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo në cilësinë e dëshmitares tha se nuk e njihte të akuzuarin Bajogu, duke shtuar se nuk kishte qenë në zyrën e noterit Visoka dhe se asnjë akt nuk kishte nënshkruar para të njëjtit.

Paraprakisht dëshmitarja V.Ç tha se qëndron pranë deklaratave të dhëna në polici dhe prokurori lidhur me këtë çështje. Ajo shtoi se kishte 10 hektarë tokë në Hajvali së bashku me 13 ari tokë të cilat i ishin falsifikuar.

Sipas të njëjtës, pronat i kishte të trashëguara nga bashkëshorti i saj i cili ia kishte bartur asaj sa kishte qenë gjallë, duke shtuar se e kishte autorizuar vetëm Aleksandër Çolic që të mund të diskutonte me palë për shitje të parcelave dhe kontraktim të çmimit, por që sipas saj, ai nuk kishte autorizim për nënshkrim të kontratës.

Dëshmitarja V.Ç tha se e kishte kuptuar që letërnjoftimi i saj ishte falsifikuar kur ishte kontaktuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku një zyrtar e kishte telefonuar dhe i njëjti i kishte parashtruar disa pyetje dhe se letërnjoftimi i falsifikuar kishte pasur fotografi tjetër me të dhënat e saj.

Ajo po ashtu tha se të akuzuarin Zhinipotoku e njihte që kur ishte në moshë të re pasi që ishin nga vendi i njëjtë, duke shtuar se personin Enver Zhjeqi nuk e njihte duke shtuar në fund se paraqet kërkesë pasurore juridike pasi që ndihej e dëmtuar dhe se kërkonte kthimin e pronave.

Paraprakisht në këtë seancë është dhënë fjala hyrëse, ku prokurori Zef Prendrecaj tha se në këtë shqyrtim gjyqësore pas administrimit të provave do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Ndërsa, e dëmtuara V.Ç tha se mbështet fjalën hyrëse të prokurorit Prendrecaj, duke theksuar se ajo nuk i kishte dhënë autorizim askujt përveç Aleksandër Çolic dhe se të tjerat autorizime janë të dokumente të falsifikuara.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Visoka, avokati Hajzer Salihu në fjalën e tij hyrëse tha se pas analizimit të provave të ofruara nga prokuroria do të vërtetohet se të njëjtat nuk kanë bazë ligjore dhe me to nuk do të vërtetohet se i mbrojturi i tij kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuari Bajogu, avokati Murat Demolli në fjalën e tij hyrëse tha se në këtë shqyrtim do të vërtetohet se i mbrojturi i tij ishte i pafajshëm dhe ishte vet i mashtruar në këtë rast.

Në anën tjetër edhe mbrojtësi i të akuzuarit Dragozhuba avokati Liman Musa në fjalën e tij hyrëse tha se është i bindur se nuk do të vërtetohet aktakuza e prokurorisë në asnjërën nga pikat pasi që asnjë nga elementet e figurës penale nuk ishte përmbushur që i mbrojturi i tij të akuzohet për veprat të cilat i binin në barrë.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Zhinipotoku, avokati Asdren Bytyqi në fjalën hyrëse tha nga analizimi i aktakuzës prokuroria nuk kishte arritur që të arsyetonte  përfshirjen e të mbrojturit të tij në kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohet.

Në këto rrethana seanca u ndërpre, ndërsa seanca e radhës pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve tjerë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar me 29 dhjetor të 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i pandehuri Sinan Visoka akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të pandehurit Sejdi Bajogu, Muhamet Dragozhuba dhe Jonuz Zhinipotoku akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, dhe po ashtu Sejdi Bajogu dhe Muhamet Dragozhuba akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale “Mashtrimi”.

Aktakuza thotë se, pandehuri Sinan Visoka, në cilësi të personit zyrtar-noter në Komunën e Podujevës, duke mos e përmbushur detyrën zyrtare, i njëjti më 27 korrik 2020, përpilon aktin noterial mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara si: Draft certifikatën e pronës të V.Ç pa numër të protokollit e cila ka qenë e vulosur ashtu që, e ka ditur se draft certifikata nuk vuloset, nuk nënshkruhet nga personi zyrtar, po ashtu si bazë e ka marr edhe kopjen e planit të fotokopjuar, ku noteri është dashur të refuzoj punën, mirëpo i njëjti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Noterinë të cilat veprime kanë pasur për qëllim dëmtimin e personit të tretë, në këtë rast të dëmtuarës V.Ç.

Tutje thuhet se, me këtë autorizim të datës 27 korrik 2020, me të cilën kinse V.Ç e autorizon të pandehurin Sejdi Bajogu për shitjen e disa parcelave të cilat gjinden në fshatin Hajvali në Prishtinë, këtë veprim i pandehuri Sinan Visoka e ka kryer duke e ditur se dokumentet nuk janë në origjinal, ka nxjerr akt noterial-autorizim, me çka është dëmtuar pronarja e parcelave V.Ç. /Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Digjet shumëkatëshja në Prishtinë

Published

on

Një objekt shumëkatëshe në lagjen “Pejton” në Prishtinë është përfshirë nga zjarri të martën në mëngjes, raporton Ekonomia Online. Në vendin e ngjarjes janë parë ekipet e zjarrfikësve dhe janë duke bërë përpjekje që të lokalizojnë zjarrin.

Ndërtesa ende nuk ishte funksionalizuar dhe pritet të bëhet hotel.

Shkaqet e këtij zjarri ende nuk dihen. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe policia./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Komuna e Prishtinës: Për çështje sigurie të moshuarit janë zhvendosur në hotel

Published

on

Pas zjarrit që ka përfshirë një pjesë të objektit të Shtëpisë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, për shkaqe sigurisë të moshuarit janë zhvendosur në hotel.

Kështu ka njoftuar Komuna e Prishtinës në Facebook.

Sipas njoftimit, të njëjti janë zhvendosur nga aty deri sa të bëhet pastrimi i objektit.

“Pas incidentit të zjarrit i cili ndodhi në Shtëpinë e të Moshuarve, ku fatmirësisht nuk pati të lënduar, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama bashkë me nënkryetaren Jehona Lushaku dhe ekipën përkatëse të drejtorëve vizituan vendin e ngjarjes dhe pas konsultimeve me ekipën e urgjencës mjekësore, zjarrfikësve dhe ekipës për siguri dhe emergjenca u mor vendim që të moshuarit për çështje sigurie, derisa të bëhet pastrimi i objektit, të zhvendosen në hotel”-thuhet në njoftim të publikuar më 19.02.2024Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka vizituar objektin që është përfshirë nga zjarri sonte më 19.02.2024.

Rama në një prononcim para mediave tha se zjarri e ka përfshirë një dhomë, dhe se gjendja aktualisht është stabile.

“Të gjithë banorët janë të sigurtë, janë evakuuar. Zjarri ka dalë prej një dhome. Tash do të shohim se përse ka ndodhur ai zjarr, çka e ka shkaktu. Ekipet mjekësore janë këtu, për t’i shiku nëse ka nevojë dikush për trajtim mjekësor. Për momentin gjendja është stabile” – tha Rama.Policia e ka konfirmuar rastin për Kallxo.com duke shtuar se në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin

.Sipas organeve të rendit nuk ka ndonjë person të lënduar./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending