Në mungesë të përfaqësuesit të Komunës ka dështuar që të mbahet seanca ndaj ish inspektorit Nexhmedin Musliu.
Nga kryetarja e trupit gjykues u bë e ditur se Komuna është në procedurën e zgjedhjes së përfaqësuesit të saj, andaj në mungesë të kushteve ligjore gjykimi u shty për datën 20 janar 2022, raporton Kallxo.com.
Rrjedha e këtij gjykimi është përcjellë me shtyrjen e vazhdueshme të seancave. Siç mëson Kallxo.com, deri më tani për arsye të ndryshme kanë dështuar që të mbahen 8 seanca gjyqësore lidhur me këtë rast.
Kështu, gjatë vitit 2020 në mungesë të të akuzuarit e në mungesë të dëshmitarit kanë dështuar të mbahen seancat e datës 27 janar, 16 korrik, 18 shtator dhe 27 tetor 2020. Më pas, gjatë vitit 2021, seancat e datës 26 janar, 3 mars, 6 prill dhe 23 shtator 2021 ishin shtyrë për mungesën e të akuzuarit, përfaqësuesit të komunës dhe anëtarit të trupit gjykues.
Musliu, akuzohet se nuk e ka inspektuar dhe nuk ka ndërmarrë veprime kundër mbindërtimit pa leje nga një investitor, i cili duke ndërtuar objektin ka tejkaluar lejen për një etazhitet.
Lidhur me akuzën në fjalë, ish inspektori ishte deklaruar i pafajshëm.
Në shqyrtimin fillestar me datë 18 tetor 2019, ai kishte deklaruar se aktakuza ishte e pakuptimtë dhe në mënyrë të pa drejtë po akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit zyrtar.
Tutje, përmes mbrojtësve të tij Gent dhe Blend Gjini ka kërkuar hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave. Mirëpo, Gjykata e Prizrenit, ka refuzuar kërkesën e tillë si të pabazuar.
Gjykimi kishte pasuar edhe me dëgjimin e ekspertëve, dëshmitarëve ku në mesin e dëshmitarëve ishte dëgjuar dhe investitori Mehmet Palushi.
Me datë 7 dhjetor 2020, Mehmet Palushi kishte theksuar se ai kishte pasur planin për ndërtimin e tri kateve, mirëpo meqë afër objektit nuk kishin ndërtime të tjera ka vazhduar ndërtimin edhe të një kati.
Në dëshminë e tij, Palushi kishte deklaruar se nga ana e inspektorëve i është dhënë një procesverbal i hartuar nga inspektorët dhe i është tërhequr vërejta në mënyrë verbale për mos vazhdimin e punimeve lidhur me objektin të cilin e ka poseduar.S
ipas aktakuzës të ngritur më 25 shtator 2019, Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas Prokurorisë nga data 21 nëntorit 2016 e në vazhdim, në Prizren, si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit./Media Ndërtimi.