Connect with us

Infrastrukturë

Zjarret e në fabrika, kërkohet themelimi i një fondi rezervë

Published

on

Dy zjarre të mëdha kohët e fundit kanë përfshirë dy fabrika në Kosovë. Si pasojë, shumë punëtorë kanë mbetur pa vende pune dhe janë shkaktuar miliona euro humbje. E, përfaqësues të bizneseve dhe ata nga sektori privat, e shohin të domosdoshëm themelimin e fondit rezervë nga Qeveria, për t`iu dalë në ndihmë bizneseve në raste të tilla.

Kohët e fundit në Kosovë, janë djegur dy biznese duke lënë shumë punëtorë pa punë dhe të ardhura. Shakatarët për këto ngjarje ende mbeten enigmë, ngase nuk ka një raport final se nga çka janë shkaktuar.

Në një intervistë për RTK-në, duke folur për zjarrin që ndodhi në fabrikën e plastikës në Drenas, drejtori Arian Shabani ka theksuar se mbi 100 punëtorë kanë mbetur pa punë, derisa dëmet llogariten mbi 10 milionë euro.

“Është një dëm shumë i madh që na është bërë, dhe në veçanti edhe për punëtorët, sepse është e pamundur që të gjithë ata punëtorë, një numër i madh i tyre, t’i sistemojmë diku tjetër. E tërë fabrika është e djegur”, ka thënë Shabani.

Një ngjarje e tillë, duke lënë shumë punëtorë pa punë, ka ndodhur edhe në Kërpimeh të Podujevës. Barrën e rëndë të djegies së fabrikës për kultivimin e mjedrave, e bartin edhe 170 punëtorë që kanë mbetur pa punë.

Ndërkohë, kryetari i Sektorit Privat, Jusuf Azemi, duke folur për Radio Kosovën, shtron nevojën për themelimin e një fondi rezervë për mbështetjen e bizneseve që pësojnë nga këto situata.

“Nëse vetëm në dy fabrika kemi humbje të vendeve të punës, kjo është një humbje që rrezikon ekzistencën e atyre punëtorëve. Edhe nga kjo qeveri kemi kërkuar themelimin e një fondi rezervë me një shumë simbolike, por nuk e kanë bërë. Duhet të intervenohet te këto biznese në mënyrë që të mos e humbin traditën e punës”, ka deklaruar Azemi.

Edhe Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, e konsideron humbje të madhe për ekonominë e vendit djegien e bizneseve. Por, ai thotë për Radio Kosovën se kompanitë biznesore duhet të jenë të siguruara në mënyrë që të kompensohet dëmi i tyre.

“Secili afarist duhet të dijë që shumë kompani marrin përsipër sigurimin e dëmeve dhe kompanitë duhet të jenë të siguruara. Dhe, në rast të ndonjë aksidenti, bizneset marrin dëmshpërblim nga kompanitë”, ka thënë ndër të tjera Shahini.

Sidoqoftë, lidhur me zjarret, atë në fabrikën për riciklimin e qeseve të plastikës në Parkun e Biznesit në Drenas, dhe në Podujevë, në raportet policore theksohet se përveç dëmeve materiale të konsiderueshme, nuk ka të lënduar, derisa kanë theksuar se rasti vazhdon të jetë në hetime./Media Ndërtimi

Infrastrukturë

Prokuroria Themelore në Gjakovë në aksion kundër shkatërruesve të mjedisit

Published

on

Një kamion transportues dhe një ekskavator janë sekuestruar për shkak të aktivitetit ilegal të nxjerrjes së zhavorrit përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Gjakovë, përmes një njoftimi për media, teksa ka bërë të ditur se në disa fshatra të Komunës së Rahovecit, është duke u degraduar ambienti për shkak të aktivitetit të tillë ilegal.

“Prokurori koordinator për hetimin e krimeve kundër mjedisit, Kastriot Memaj, ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’ nga neni 338 i KPRK-së. Njëkohësisht, në koordinim me policinë, janë duke u ndërmarrë veprime aktive në drejtim të kapjes së kryesve të kësaj vepre penale”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se prokuroria mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bëhet thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e këtyre dukurive./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Ura e Kukësit pritet të hapet më 1 qershor

Published

on

Segmenti tre kilometra i aksit Kukës-Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit nga mbikalimi i Gostilit deri te ura e Kukësit tashmë është hapur për qarkullimin e mjeteve.

Plot tri javë iu deshën kompanisë koncensionare për vendosjen e shtresave të stabilizantit dhe asfaltimin e njërit segment rrugor që lidh dy anët e Urës së Re me Rrugën e Kombit, ndërsa po punohet për përgatitjen për asfaltimin e segmentit tjetër rrugor në hyrje të Urës së Re.

Konstrukti metalik i urës së re mbi Drin, tashmë është pozicionuar në bazamentin përfundimtar të saj ndërsa po punohet për montimin e pjesëve dhe vendosjen e shtresave të nevojshme drejt përmbylljes së projektit dhe vënien në funksion të plotë brenda muajit qershor, e gatshme për sezonin e verës.

I gjithë trafiku i mjeteve nga Shqipëria drejt Kosovës dhe anasjelltas, përgjatë tri javëve u devijua në qytetin e Kukësit përmes tri hyrjeve dhe një dalje.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, nuk u shënuan incidente që kishin të bënin me pengesa në qarkullim për shkak të fluksit, ndërsa u arrit të mirëmenaxhohej siç duhet e me një orar të paracaktuar për mjetet e vogla dhe ato të transportit të mallrave.

Ura e Madhe lidh Rrugën e Kombit dhe dy brigjet e liqenit të Fierzës dhe konsiderohet si një nga urat me hapësirën më të madhe në Ballkan në tipologjinë e saj./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Inspektorati aksion për lirimin e hapësirave publike në Prishtinë

Published

on

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Inspektorati i Kryeqytetit po vazhdon me lirimin e hapësirave publike.

Rama përmes një postimi në ‘Facebook’, ka bërë me dije se po lirohen hapësirat që janë zënë me terrasat e lokaleve, në qendër në afërsi të “Pallatit të Rinisë”.

“Nuk lejohet uzurpimi i pronës publike! Inspektorati i Kryeqytetit po vazhdon me lirimin e hapësirave publike të cilat ishin nxënë dhe po shfrytëzoheshin si pjesë (terrasa) të lokaleve. Këto ditë një e tillë është duke u larguar në zonën qendër në afërsi të “Pallatit të Rinisë””, ka shkruar Rama./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending