Dokumentet e siguruara nga BIRN nga dy procedime penale hedhin dritë mbi përfshirjen e një personazhi të krimit të organizuar në një skemë masive të përvetësimit të pronave në bregdet përmes falsifikimit të dokumenteve dhe korruptimit të zyrtarëve vendorë.
Gjiri i Lalzit shtrihet në një vijë bregdetare prej 35 kilometrash në bregdetin e Adriatikut, i kufizuar nga Kepi i Rodonit në veri dhe Bishti i Pallës në jug. Afërsia me kryeqytetin – me distancë prej vetëm 36 kilometrash, e ka bërë këtë zonë të lakmuar për ndërtimin e komplekseve turistike rezidenciale dhe vilave të kushtueshme për elitën politike dhe ekonomike të vendit më të varfër të rajonit.
Për shkak të zhvillimit të vrullshëm në vitet e fundit, Gjiri i Lalzit ka ngjallur gjithashtu interesin e krimit të organizuar.
Dikur tokë shtetërore me një brez të gjerë pishash buzë detit, kjo pjesë e bregdetit ka prodhuar konflikte të shpeshta pronësie dhe hetime të njëpasnjëshme ndaj zyrtarëve lokalë të hipotekës dhe institucioneve të tjera.
Telefoni i Muharremit u sekuestrua në kuadër të hetimeve për zbardhjen e atentatit të ndodhur në vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit” më 1 nëntor 2019, ku humbi jetën Andi Maloku dhe mbijetuan pa dëmtime të rënda ai dhe prokurori Arian Ndoja.
Aparati telefonik iu nënshtrua ekspertimit dy javë pas atentatit, prej nga u përftuan foto, përgjime në video dhe dokumente të ndryshme pronësie – kryesisht në fshatrat e bregdetit të Lalzit.
Mbi bazën e këtyre materialeve, SPAK regjistroi procedimin penal nr. 235 në shtator të vitit 2020 për veprat penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “korrupsionit aktiv…”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
Katërmbëdhjetë pasuri prej mijëra metrash katrorë tokë në bregdetin e Gjirit të Lalzit u vendosën nën sekuestro, pasi rezultoi se ishin regjistruar në regjistrat kadastralë përmes dokumenteve të falsifikuara.
Një vendim i 6 nëntorit 2021 të Gjykatës së Posaçme për lejim kontrolli banesash tregon se SPAK po verifikonte ish-kreun e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës, Bedri Luku për regjistrimin e parcelave të përfituara përmes dokumenteve të falsifikuara.
Nën hetim u vendosën gjithashtu gjashtë persona të tjera që kishin kryer transaksione me këto prona, një pjesë e të cilëve lidhje të Muharremit.
“Nga hetimet ka rezultuar se disa nga shtetasit e përfshirë në falsifikimin, regjistrimin apo kanë kryer transaksione me pasuritë në fjalë janë edhe shtetasit Bedri Luku me detyrë ish-regjistrues i ZVRPP Durrës,” citohen dyshimet e SPAK në dokumentin e gjykatës.
Sipas hetimeve, skema kriminale është realizuar përmes ndërhyrjeve falsifikuese në Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi, në ndërhyrjet falsifikuese në Regjistrin e Regjistrimit të Pasurive të Palujtshme apo falsifikimin e komunikimeve shkresore mes Qarkut dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Gjatë hetimit është këqyrur volumi 4 i regjistrit hipotekor që përfshin zonën kadastrale me numër 2375 në Lalëz, nga ku rezultoi se “pasuritë e mësipërme paraqisnin probleme në regjistrimin e tyre”. Prokuroria e Posaçme dyshon se falsifikimet janë mundësuar përmes bashkëpunimit të zyrtarëve në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
“…kanë bërë të mundur që këto pasuri, të cilat duhet të ishin në pronësi të shtetit, të kalojnë në emër të grupit të strukturuar kriminal që fshihet pas këtyre regjistrimeve dhe falsifikimeve,” thuhet në dokument.
Bedri Luku, drejtues i ZVRPP Durrës deri në vitin 2013 mohoi akuzat në një bisedë telefonike me BIRN dhe la të kuptohej se firma e tij ishte falsifikuar.
“Nuk jam thirrur prej një viti nga Prokuroria dhe nuk ka asnjë akuzë të ngritur ndaj meje,” deklaroi ai./Media Ndërtimi.