Një ekip agrologësh është duke kryer gërmime arkeologjike në Komunë së Kaçanikut, për shkak të zbulimit të strukturave të vjetra arkitektonike që dolën mbi sipërfaqe gjatë punimeve në oborrin e objektit të kësaj komune.
Arkeologët janë duke bërë gërmim me karakter kontrolli, duke bërë pastrimin e strukturave të mureve, si dhe bërjen një planimetrie të përgjithshme për të zbuluar vjetërsinë e strukturave arkitektonike.
MKRS, në një përgjigje për Kallxo.com ka bërë të ditur se gjatë gërmimeve janë gjetur edhe disa enë gjysmë të thyera dhe fragmente të tjera enësh nga qeramika.
“Aktualisht Instituti Arkeologjik është duke zhvilluar gërmime me karakter kontrolli dhe mund te themi që janë zbuluar dhe identifikuar 5 hapësira, të ndërtuara me mure shumë masive, fondamenti i të cilave është ndërtuar me gjerësi 1.5 m, me gurë dhe me lidhje të fortë nga llaç gëlqeror. Strukturat e zbuluara ndodhen shumë afër Xhamisë së Qytetit e cila është ndërtuar rreth vitit 1595” – thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Disa struktura muresh, thonë nga MKRS, që ndodhen në veri të objektit në fjalë i përkasin stacionit policor të qytetit, i cili ka qenë funksional sipas informatave që pas LDB e deri rreth vitit 1975.
“Në këtë hapësirë ishte e vendosur edhe shtëpia e shëndetit dhe zyra për lëshimin e dokumenteve, sepse në sipërfaqe pas punimeve me ekskavator kanë dalë edhe dokumente që tregojnë vitin e lëshimit 1968”- thuhet në përgjigjen e MKRS-së.
Sipas MKRS-së, një raport i hollësishëm mbi gërmimet – hulumtimet që po bëhen atje pritet të jenë gati gjatë kësaj jave.
Struktura arkitektonike janë zbuluar gjatë punimeve në parkingun e oborrit të Komunës së Kaçanikut në muajin korrik. Kallxo.com nuk ka mundur të marrë një përgjigje nga Komuna e Kaçanikut lidhur me punimet në oborrin e komunës, deri në publikimin e lajmit.
Qyteza e Kaçanikut është e vendosur në një luginë që është një pikë shumë e veçantë gjeostrategjike, e që ndodhet në udhëkalim që lidh pellgun e Shkupit me atë të Kosovës, nëpër të cilën ka kaluar një nga rrugët e rëndësishme nga Mesdheu në drejtim të Ballkanit Qendror./Media Ndërtimi