Kur më 6 qershor të vitit 2014 kishte ndodhur shpërthimi në elektrolizerin e Termocentralit “Kosova A” gjithë sytë ishin kthyer kah sektori i energjisë.
Në ditët e para pas kësaj fatkeqësie, që kishte ndodhur vetëm dy ditë para zgjedhjeve, u fol për shkaktarët e shpërthimit dhe për viktimat, e më vonë u diskutua edhe për domosdoshmërinë që të ketë investime në termocentralet e stërvjetruara dhe në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike.
Në tavolinë dolën ide të shumta për ecurinë që duhet ta ketë sektorin e energjisë, por si zakonisht gjithçka u la në harresë disa ditë më pas.
Një muaj pas këtij shpërthimi, Qeveria në detyrë e kishte nënshkruar kontratën në vlerë 600 milionë euro për ndërtimin e Autostradës Prishtinë – Shkup. Kontrata ishte nënshkruar më 1 korrik 2014, e fillimi i punimeve ishte bërë më 8 korrik apo pak kohë pasi ishin paguar faturat e fundit për autostradën Prishtinë-Vermicë.
Gjatë asaj vere, një ambasador i një shteti të fuqishëm, në një nga takimet e organizuara në Prishtinë e kishte pyetur një ministër që si është e mundur që qeveria ka vendosur t’i shpenzojë edhe 600 milionë euro në asfalt ndërkohë që është evidente që sektori i energjisë është buzë kollapsit.
Kjo ishte autostrada e dytë që po fillonte pas shpalljes së pavarësisë. Vetëm për ndërtim të autostradave, Qeveria e Kosovës kishte investuar më shumë se 1.5 miliard euro duke mos llogaritur paratë që janë investuar në magjistrale e rrugë lokale. Këto investime përveç që ishin të shtrenjta u percollën me mungesë të transparencës dhe me penalti prej 53 milionë euro që i pagoi qeveria e Kosovës në rastin e Autostradës së Shkupit.
Ndërkohë, që po e tregoja këtë vizion të qeverive të Kosovës që niste dhe përfundonte në asfalt, një nga koleget e Maqedonisë së Veriut më ndërhyri.
“Ju të paktën keni autostrada e asfalt, ne i kemi investuar qindra miliona euro në statuja”, tha ai duke iu referuar projektit të shumëpërfolur “Shkupi 2014”.
Aty e pash që ka edhe me keq. Pa dashur ta nenvlerësoj nevojën që kishte investime në ndërtim të rrugëve, duhet thënë se sasia e parave të investuara në asfalt ishte në dispropocion të madh me sektorët e tjerë, siç ishte energjetika apo edhe arsimi e shëndetësia.
Pasojat e kësaj neglizhence ne investime në energji po i shohim tani kur vendi është në krizë, njëjtë sikur jemi duke i parë pasojat e neglizhencës në investime në shëndetësi prej se kemi hyrë në pandemi dhe njëjtë sikur i shohim pasojat në arsim saherë na vijnë rezultatet e testimeve të nxënësve në PISA.
***
Fatkeqësisht, asfalti nuk është sindrom që e ka prekur vetëm Kosovën.
Njëjtë është edhe në Maqedoni të Veriut, Shqipëri e Mal të Zi. Edhe në këto shtete, ndër vite, prioritet i është dhënë asfaltit dhe projekteve të tjera prej të cilave kanë përfituar kompanitë e lidhura me politikën.
Jo rastësisht investimet janë orientuar në asfalt. Jo pse këtyre investime i ka parapri ndonjë studim fizibiliteti, por emëruësi i përbashkët i krejt këtyre është lehtësia për të keqpërdorë paranë publike në tenderët për asfalt.
Kjo më së miri tregohet me cmimet shumë të ndryshme që janë ndërtu rrugët në rajon apo me cilësinë e asfaltit në vendet e rajonit dhe me faktin që bizneset e afërta me politikën kanë përfunduar të jenë nën-kontraktorë të bizneseve të mëdha që kishin nënshkruar kontratat për ndërtim të këtyre autostradave.
Njëjtë sikur në Kosovë, edhe në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe vendet tjera të rajonit investimet e mëdha kapitale kanë një të përbashkët: ato më shumë orientohen në sektorët prej të cilëve mund të keqpërdorët më lëhtë, por edhe këto investime realizohet pa e përfshirë qytetarin.
Mungesa e transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve para se të jetësohet një projekt ka bërë që shumë prej investimeve kapitale të mos e arrijnë qëllimin për të cilin janë nisur./Media Ndërtimi.
Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit “Sfidat rajonale në luftimin e korrupsionit dhe keq-menaxhimit të investimeve publike kapitale” të implementuar nga KDI.