Aktuale
Vetëvendosje: Lejet ndërtimore në Ferizaj në kundërshtim me planet urbane
Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar pushtetin komunal të Ferizajt se lejet ndërtimore pas datës 21 shtator të vitit 2017 janë dhënë në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe udhëzimet administrative.
Sipas këtij subjekti, planet rregulluese urbane të Ferizajt janë në fuqi, dhe se vendimi i Kuvendit të Ferizajt nuk thotë se planet rregulluese janë shfuqizuar.
Gjatë periudhës së fundit kohore Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Ferizajt ka lëshuar së paku pesë leje ndërtimore për banesa kolektive duke mos i përfillur ligjet në fuqi dhe planet rregulluese urbane. Rreth kësaj çështjeje, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nëpërmjet një përgjigje dërguar VV-së, ka pranuar urgjencën për përgjigje me nr. Protokolli 2265/18 me datë 06.06.2018 lidhur me pikën e IV nënpikën 3 të vendimit të Kuvendit të Komunës së Ferizajt 01. Nr. 147 të datës 25 shtator të vitit 2017, shkruan sot Koha Ditore.
“Departamenti ligjor e jep këtë sqarim, sepse sipas dispozitave të nenit 26 paragrafi 7 të ligjit për planifikimin hapësinor nr.04 /L-174 shprehimisht thuhet se dokumentet ekzistuese të planifikimit hapësinor të cilat janë të miratuara mbeten në fuqi derisa të harmonizohen me dispozitat e këtij ligji. Pra, në këtë rast, në pikën IV nënpikën 3 të Vendimit të Kuvendit të Komunës së Ferizajt Nr. 147 të datës 25 shtator të vitit 2017 nuk ceket se planet rregulluese urbane janë shfuqizuar”, thuhet në përgjigjen e MMPHS-së dërguar Vetëvendosjes, një kopje të së cilës e ka siguruar edhe “Koha Ditore”.