Dy vite pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, që shkaktoi 51 viktima, duket se drejtësia ka dështuar për përgjegjësit e pasojave fatale. Nga 60 persona të arrestuar dhe të akuzuar për vepra që nga vrasja e deri te ndërtimi i paligjshëm, rezulton se deri më sot vetëm një qytetar nga Vora është dënuar nga drejtësia shqiptare “Për ndërtim të paligjshëm”. Edhe ai ka mundur t’i shpëtojë burgut, pasi dënimi i është konvertuar me shërbim prove.
Dorian Greku, 37 vjeç, natën fatale të tërmetit të 26 nëntorit humbi tre pjesëtarë të shtrenjtë të familjes: nënën, babanë dhe vëllain. Azilant në Francë, me të marrë vesh lajmin tragjik, braktisi gjithçka që kishte sakrifikuar dhe u nis drejt Thumanës, ku jetonte familja e tij. Fatkeqësisht, Pëllumb Greku, Çelike Greku dhe Sajmir Greku mbetën nën rrënoja.
Dy vite pas tragjedisë Doriani ndihet si një humbës i shumëfishtë: i goditur rëndë nga fatkeqësia natyrore, por njësoj edhe nga neglizhenca shtetërore.
Së fundmi u detyrua të shesë edhe makinën, pasi rruga drejt varrezave të Thumanës u bë e shpeshtë. Çdo ditë, sapo e merrte malli për familjarët e humbur, udhëtonte nga Tirana drejt vendit ku ata prehen në përjetësi.
“Më merr malli për çdo gjë, për familjen, për Thumanën, pasi jam rritur e jam bërë 35 vjeç në atë vend. Kam mall për komshinjtë, viktima të tjera të tërmetit, që ishin edhe shokë të mi. Nuk humbëm vetëm familjarë, humbëm shumë më shumë”, – tregon Doriani, i cili që prej tërmetit të 26 nëntorit jeton në një banesë në Shkozë, të ofruar nga shteti.
I zhgënjyer nga neglizhenca e qeverisë, ai thotë se premtimet janë shumë larg realitetit të hidhur që iu duhet të përballojnë çdo ditë familjarët e viktimave.
“Shteti nuk na ka ndihmuar për asgjë. Na ka dhënë nga një banesë sociale në Shkozë dhe ato pak shpenzime të funeralit. Kaq ishte ndihma. Megjithëse shumë u premtua nga kryeministri, Edi Rama, e kryebashkiaku, Artur Bushi, ky i fundit as pension për fëmijët s’më ka lidhur, që ma premtoi. Sot jetoj me 40 mijë lekë të reja”, – rrëfen braktisjen nga shteti Doriani për INA MEDIA-n.
Madje, inxhinierët shkojnë më tej, duke vënë theksin se amullia e ndërtimeve të pakontrolluara vazhdon, duke qenë një rrezik i vazhdueshëm për jetën e qytetarëve, sidomos në ndërtimet që ende nuk janë legalizuar.
“Çdo material kalon një cikël lodhjeje, ka marrë një goditje relativisht të madhe, atëherë duhet t`i shohim, t’i certifikojmë këto objekte, nëse kanë garanci për vazhdimin dhe përballimin e një tërmeti të ngjashëm”, – shprehet ekspertja e një laboratori materialesh, Entela Kapllani, duke iu referuar ndërtimeve pa leje që janë në proces legalizimi./Media Ndërtimi.