Në restorantin e tij në Perlat të Mirditës në Shqipërinë veriore, Ermal Duka ka ekspozuar veshjen mirditore që gjyshja e tij e ka veshur ditën e dasmës, 120 vjet më parë.
Ai duket se ia ka ditur vlerën përpara se veshja mirditore të shpallej “vlerë kombëtare”.
Ky vendim u miratua në dhjetor të vitit të kaluar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore të Shqipërisë, ndërsa propozimi u bë nga Unioni “Mirdita”. Pjesë e grupit për përgatitjen e dosjes ishin historianë, juristë, akademikë dhe etnologë.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, tha atëkohë se kjo veshje e mbushur me simbole mitike e kulti “e ka shoqëruar me shekuj gruan e krahinës së Mirditës”.
Mirdita është një rajon në Qarkun e Lezhës, rreth 85 kilometra në veri të Tiranës, dhe ka rreth 27.000 banorë.
Veshja mirditore 120-vjeçare tërheq turistë të huaj
Ermali thotë se prej se ka ngritur biznesin e tij, vite më parë, e ka menduar edhe ekspozimin e kësaj veshjeje, që e konsideron të shenjtë.
“Ideja e ekspozimit të veshjes ka ecur paralelisht me idenë e ndërtimit të agro-turizmit. Ekspozimi i saj është traditë e çdo mirditori në çdo hapësirë ku i jepet mundësia. E kemi të shenjtë si veshje, ka qëndruar aq autoktone sa vetë treva”, thotë Ermali për Radion Evropa e Lirë.
Etnologia shqiptare, Afërdita Onuzi, thotë se veshja mirditore ka vlera të jashtëzakonshme.
Shpallja si vlerë kombëtare ka, sipas saj, vlera jo vetëm për veshjen, por edhe për shumë objekte e dukuri që lidhen me të.
“Janë disa elemente shumë specifike, siç është ‘xhupja’ [pjesë e veshjes mirditore që përdoret në ceremoni, por edhe në dimër, pasi është e trashë] që dokumentojnë një periudhë kur kombi nisi të merrte formën e tij të plotë të organizimit të një shteti. Kjo veshje përkon me kufijtë e përhapjes së shtetit të Arbrit të shekullit XII-XIII”, thotë etnologia.
E gjithë veshja, sipas saj, ka simbole të periudhave të ndryshme, por më interesantja për të mbetet “xhupja”, apo “xhahengu”, siç i thonë mirditorët.
Interes për ta studiuar veshjen mirditore, sipas Onuzit, përbëjnë edhe teknikat e qëndisjes së saj, të qepjes me fije, me shumë ngjyra e me bizhuteri.
Ajo shfaq shpresën që kjo veshje, një ditë, të shkojë “atje ku e ka vendin” – në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, UNESCO.
Në muajin dhjetor, nën mbrojtje të UNESCO-s është futur shtegtimi i bagëtive në Shqipëri.
Pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s janë edhe: Gjirokastra, Butrinti, Berati, Liqeni i Ohrit, Lumi i Gashit në Luginën e Valbonës, si dhe xhubleta./Media Ndërtimi