Connect with us

Transport

Vendkalimi i përkohshëm kufitar detar në Ulqin do të fillojë të funksionojë më 1 korrik

Published

on

Pika kufitare detare në Ulqin do të fillojë të funksionojë më 1 korrik dhe do të jetë e hapur deri më 30 shtator, ka bërë të ditur kryetari i komunës më jugore të Malit të Zi, Omer Bajraktari.

“Lajm i mirë për turizmin detar në Ulqin. Kemi kënaqësinë t’ju informojmë se më në fund pas shumë përpjekjesh është miratuar vendimi për pikën kufitare për qarkullimin ndërkombëtar të pasagjerëve detar. Kjo do të thotë se anijet ndërkombëtare të pasagjerëve do të mund të regjistrohen në Ulqin si pikë kufitare detare. Kjo është shumë e rëndësishme sepse deri më tani kjo procedurë kryhej në qytetet fqinje”, njoftoi Bajraktari dhe theksoi se kjo nuk do të ishte e mundur pa bashkëpunimin e vetëqeverisjes lokale dhe qeverisë në nivel shtetëror.

Falënderime të veçanta i detyrojmë kryeministrit Dritan Abazoviq, si dhe ministrit të Punëve të Brendshme Filip Axhiq”, tha Bajraktari.

Vendkalimi kufitar do të fillojë të funksionojë nga 1 korriku deri më 30 shtator./Media Ndërtimi

Transport

Në kufirin Bullgari-Rumani s’ka shenja të Schengenit

Published

on

Kur Bullgaria dhe Rumania pjesërisht t’i bashkohen Zonës Schengen të Evropës të dielën, më 31 mars, pas mbi një dekadë negociatash, qindra shoferë të rraskapitur sikurse Anton Antonov, nuk do të kenë shumë arsye për të festuar pasi që kontrollet kufitare tokësore nuk do të zhduken.

Ky shofer bullgar, 48 vjeç, dhe shoferë të tjerë do të vazhdojnë të përballen me pritje të gjata në pikëkalimin e ngarkuar kufitar Vidin-Kalafat, që ndan dy shtetet e Ballkanit, e të cilat mund të udhëtojnë vetëm nga ajri dhe deti për në shtetet e Schengenit.

“Në këtë pikëkalim, gjithmonë pritja është minimum shtatë apo tetë orë” para se kamionistët të mund të kalojnë lumin Danub përmes urës “Evropa e Re”, tha Antonov për AFP-në në agim pasi e kaloi natën duke fjetur në kamionin e tij, pasi po priste në kolonën e gjatë prej një kilometra në anën bullgare të kufirit, shkruan Radio Evropa e Lirë

Shpresa që Bullgaria dhe Rumania – shtete anëtare të Bashkimit Evropian – të anëtarësohen plotësisht në Schengen u shuan nga Austria, e cila vetëm dhjetorin e vitit të kaluar zbuti qëndrimin, duke lejuar që këto dy shtete të kenë lëvizje të lirë në këtë zonë nga ajri dhe deti, duke nisur nga 31 marsi.

Kroacia, e cila i është bashkuar BE-së pas Rumanisë dhe Bullgarisë, i mposhti këto dy shtete në këtë drejtim pasi në janar të vitit 2023 u bë anëtarja e 27-të e Schengenit.

E krijuar më 1985, zona për lëvizjen pa viza përfshin 23 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, përshirë Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin.

Austria vazhdon të kundërshtojë zgjerimin e plotë të Schengenit në Bullgari dhe Rumani edhe pse nuk ndan një kufi tokësor me këto dy shtete. Vjena druan se migrantët që hyjnë në këto dy shtete do të mundeshin që më pas të udhëtonin të papenguar dhe të aplikonin për azil në shtetet tjera./Media Ndërtimi

Continue Reading

Transport

Linjat e autobusëve të Trafikut Urban edhe në Google Maps

Published

on

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar të enjten për një ndryshim pozitiv në transportin publik.

Rama ka bërë të ditur se në Google Maps tashmë është inkuadruar mundësia që si mjet udhëtimi të përdoret transporti publik për të shkuar në destinacionin e kërkuar.

“Një tjetër ndryshim pozitiv në transportin publik! Jam i lumtur të ndaj me ju një arritje të re e cila do të përmirësojë përvojën tuaj me transportin publik. Kemi inkuadruar në Google Maps, mundësinë që si mjet udhëtimi të përdorni transportin publik për të shkuar në destinacionin e kërkuar”, ka shkruar Rama në Facebook.

Pra, në Google Maps janë përfshirë linjat e autobusëve të Trafiku Urban në Prishtinë.

Sipas Ramës, kjo do t’i ndihmojnë udhëtarët që të gjejnë oraret dhe ndaljet e fundit të transportit publik në kryeqytet.

“Mësoni se cila linjë e autobusit është më afër ardhjes dhe më e shpejtë për destinacionin që do të shkoni. Kuptoni se sa minuta bëni për të shkuar në këmbë, sa me transport publik deri në destinacionin tuaj.Bashkohuni në rrugëtimin tonë drejt një transporti publik më efikas, më të qëndrueshëm dhe më të lehtë për të gjithë qytetarët!”, ka theksuar Rama./Media Ndërtimi

Continue Reading

Transport

Të mitur e pa kontrata, sektori i shpërndarjes së ushqimit dominohet nga informaliteti ekonomik

Published

on

Sektori i shpërndarjes së ushqimit, ngjashëm me sektorë tjerë në Kosovë vuan nga informaliteti ekonomik. Edhe pse nuk ka statistika të sakta për shkallën e informalitetit, raportet e ndryshme dhe analiza nga institucione të pavarura, sugjerojnë se tregu informal dhe i paligjshëm përbën rreth 30% të Produktit të Brendshëm Bruto, që paraqet vlerën e të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në një ekonomi gjatë një periudhe të caktuar.

Sipas raportit të vitit 2023 të Departamentit të Shtetit për klimën e investimeve, për Kosovë, informaliteti mbizotëron në sektorët kyç si bujqësia, ndërtimi dhe shitja me pakicë. Po ashtu, në raport theksohet se shpesh marrëveshjet joformale dhe verbale kanë më shumë peshë se kontratat formale për shkak të ritmit të ngadaltë të procedurave ligjore.

Pa kontratë punon edhe Anesi, prej nga burojnë plot vështirësi, që lidhen sidomos me rrezikun e përditshëm të punës në rrugë. “Fatmirësisht nuk kam pasur ndonjë aksident a diçka”, thotë Anesi, me shpresën që shpejt do të mund ta gjejë një punë tjetër, më të sigurt e me kontratë.

Por, Fatjon Fetahun, në punën e tij si shpërndarës ushqimi e la edhe fati, në të cilin mbështetej edhe ai, si Anesi. Kur kishte pësuar aksident në punë, pos lëndimit, mbi supe i ranë edhe shpenzimet e trajtimit.

“Vetë i pata kry shpenzimet te mjeku”, thotë 21-vjeçari, i cili po ashtu s’kishte kontratë pune. “Vetë i kam kry me ilaqe me krejt. Normal nuk është ndjenjë e mirë me u rrëzu prej motorri. Tani masi m’kaloi, familja nuk m’lanë me vazhdu këtë punë”.

Kolegu tjetër i Anesit dhe Fatjonit, Armendi, 17-vjeçar ka filluar punë së fundmi si shpërndarës i ushqimit në një kafiteri dhe restorant te “Santea” në kryeqytet.

Kur flet për kontratën, Armendi thotë: “Nuk kam kontratë sepse jam i mitur. Rrogën e marrë kesh”. Për punën ku i kalon tetë orë të ditës, brenda së cilës i bën rreth 40 kilometra, paguhet 350 euro në muaj.

Të tre pa kontrata, Armendi, Fatjoni e Anesi, përballen përditë me rrezikun dy-rrotëshit.

Pos mungesës së kontratës, në rastin e Anesit e Armendit ndërthuret edhe çështja e moshës — Anesi, që ka nisur punën si i mitur e Armendi tash 17 vjeç — punojnë një lloj pune që për moshën e tyre konsiderohet si punë me rrezik. Në bazë të Ligjit të Punës, personat prej moshës 15 deri në 18-vjeçare mund të punësohen vetëm për punë të lehta që nuk paraqesin rrezik për shëndetin, zhvillimin, sigurinë apo moralin e tyre.

Puna pa kontratë i përbashkon moshatarët e tyre nëpër Kosovë. Në anketën e fuqisë punëtore për tre-mujorin e tretë të vitit 2022, realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), 16.1 % e fuqisë punëtore të grupmoshës 15-24 vjeçare janë të punësuar, derisa 21.1% e tyre punojnë pa kontrata.

I riu Armendi, i cili e kishte lënë në gjysmë shkollimin e mesëm për t’iu përkushtuar punëve, angazhohet mesatarisht 48 deri në 50 orë në javë dhe punë të tilla me orar të ngjashëm thotë se kryen nga mosha 12-vjeçare, për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

“Nuk kisha punu për 350 euro kurrë, por po duhet. Unë punoj prej 12 vjet, së pari kam punu ndërtimtari, kam punu si shankist, kam la kerre në autolarje, kam punu me hamburgera në Hajvali, e qisi punë”, thotë Armendi, i cili tregon se në vendin ku punon tani, ka edhe më të rinj se ai.

Kolegë nën moshën 18-vjeçare ka edhe Anesi. “Po more, nji punëtor e kanë 16 vjeç, n’klasë X a XI, ai punon ma shumë ndërrimin e tretë [ndërrimin e pasdites]”, thotë me lehtësi ai.

Për ekspertin e sigurisë dhe shëndetit në punë, i angazhuar në kompaninë për siguri dhe shëndet në punë “HSK”, Naim Bajraktari, puna në këtë moshë me orar të plotë nuk mund të lejohet. “Nuk mund të punojë punë të kategorisë që punon një i rritur”, thotë Bajraktari, teksa shton se pos vozitjes në vete, presioni i kohës për ta dërguar ushqimin sa më shpejt te klienti shton pasiguritë në punë.

Ligji i Punës pos që thotë se orari i punës për personat nën 18 vjeç nuk mund të jetë mbi 30 orë në javë, ndalon tërësisht punën e natës për të miturit. Ndërkaq, edhe Udhëzimi Administrativ për Parandalimin dhe Ndalimin e Formave të Rrezikshme të Punës së Fëmijëve ndalon punën e fëmijëve gjatë natës sepse cilësohet si punë që shkakton dëme fizike e psiqike.

Kurse Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, shprehimisht parandalon të gjitha format, të cilat cenojnë mirërritjen e fëmijëve dhe parasheh të gjithë kuadrin institucional për mbrojtjen e fëmijëve në rrezik nga punët e rënda.

Foto: Dina Hajrullahu

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenueshme në tregun e punës”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, ATRC ose BIRN Kosovo.

Continue Reading

Trending