Aktuale
Vdiq arkitekti i ndërtesave të Trump-it, Costas Kondylis
Arkitekti i njohur Costas Kondylis ka ndërruar jetë në moshën 78 vjeçare. Gjatë veprimtarisë së tij krijoi dhjetëra projekte, që qëndrojnë akoma të ngritura në horizontin e New Yorkut.
Kondylis ishte një arkitekt, disenjator dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Donald Trump. Për rrethanat e vdekjes së të cilit, akoma nuk ka ndonjë të dhënë konkrete.
Edhe pse relativisht i panjohur, përgjatë gjithë karrierës së tij ai ka projektuar rreth 86 ndërtesa dhe ka bashkëpunuar në planet e Trumpit, për dizajnimin e “Trump World Tower”, që gjendet në Manhatan, për renovimin e “Western Bildings” dhe kullës në hotelin internacional të Presidentit, tek Columbos Circle, për të cilin ka bashkëpunuar me Philip Johnson, shkruan “Architect”, transmeton Ndërtimi.info.
“Ai ka projektuar ndoshta më shumë objekte të Manhatanit se çdo arkitekt tjetër i gjallë, por emri i tij nuk është i njohur për shkak se apartamentet, ose më saktësisht komplekset e larta të ndërtesave të pasluftës, nuk njihen shumë si arkitekturë”, kështu deklaroi Karrie Jacobs nga “Architect”, në një artikull për një revistë në New York.
I lindur nga prindër grekë dhe i shkolluar në Universitetin e Gjenevës, e më vonë edhe në atë të Kolumbisë, Kondylis filloi karrierën e tij të arkitekturës në “Davis Brody & Associates”, e njohur tani si Davis Brody Bond. Në vitin 1989, ai themeloi “Costas Kondylis and Partners”, me qendër në New York. Firma u shpërbë në vitin 2008 dhe arkitekti hapi menjëherë më pas “Kondylis Desing”.
I njohur, e ndonjëherë i kritikuar, si arkitekt që dizajnonte projekte shume të larta, Kondylis u prezantua për herë të parë tek Trump, në vitin 1984, pasi presidenti po e konsideronte si mundësi punësimin e tij për projektimin e ndërtesës Manhatan Place, në New York.
Nëpërmjet një dokumentari të vitit 2016, të prodhuar nga The Real Deal, tregohet se si Kondylis zhvilloi takim e parë me Presidentin Donald Trump, që më pas i ndryshoi rrjedhën e jetës së tij përgjithmonë.
Mes viteve 2000 dhe 2007, Kondylis ka projektuar 65 ndërtesa. Sipas The Real Deal, Kondylis vdiq në shtëpinë e tij në praninë e dy vajzave të tij, por akoma nuk ka informacione rreth arsyes së vdekjes.