Aktuale
UP nuk heq dorë nga prona te Kisha Ortodokse Serbe, presin vendim pozitiv nga Gjykata
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/01/Kisha-Ortodokse-Serbe-Prishtine.jpg)
Gjykata e shkallës së dytë në nëntorin e 2017-ës i ka dhënë të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën që e ka në pronësi në Kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Kjo pati ardhur si pasojë të mungesës së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në gjyq për pronësinë e tokës në Kampusin e UP-së.
Prej asaj kohe e deri sot, Gjykata Themelore e Prishtinës nuk ka caktuar ende seancë për kontestin pronësor në mes të Universitetit të Prishtinës si palë paditëse si dhe Kishës Ortodokse Serbe “Sveti Nikolla” dhe Komunës së Prishtinës.
Kjo seancë nuk është caktuar ende përkundër se padia është bërë rishtazi në muajin nëntor 2017 pasi njëherë ishte konsideruar e tërhequr nga UP.
Vendimi për humbjen e rastit të Universitetit të Prishtinës ndaj Kishës Ortodokse Serbe erdhi në mandatin e Rektorit të UP-së, Marjan Dema.
Ky i fundit në një intervistë për KosovaPress është shprehur optimist që do ta fitojnë tokën e Kampusit Universitar.
“Unë kam konsultuar ekspertët më të mirë që i kemi edhe brenda universitetit edhe jashtë, të cilët e kanë përgatitur lëndën dhe lënda është dërguar në gjykatë dhe po presim që të procedohet dhe besojmë që do ta fitojmë këtë kontest, por edhe nëse nuk e fitojmë, ne kurrë nuk do të ndalemi sepse kjo është pjesë e Kampusit Universitar, është në zemër të Kampusit Universitar”, deklaron Dema.
Ndërkohë kujtojmë që Kisha e pafunksionalizuar e cila u ndërtua në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviq në vitet 1990, u bë shkas i disa protestave dhe pakënaqësive, kryesisht nga studentët e Universitetit të Prishtinës.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)