Politika e qeverisë për të promovuar lëvizjen e lirë në rajon – e njohur gjithashtu si “Ballkani i Hapur”, ka favorizuar rritjen e numrit të turistëvë nga Serbia në Durrës.
Familjarët që japin dhoma me qira ndjehen mirë, ndonëse e pranojnë se numri i turistëve që preferojnë shtëpitë pas linjës hekurudhore po vjen duke rënë.
Sidoqoftë, tashmë në plazhin tradicional, shumë pranë qytetit po akomodohen edhe turistë nga vendet e Ballkanit, apo vende të tjera të Lindjes dhe fitimi për këtë lloj shërbimi në hotele dhe banesa është më i lartë.
Mimoza Llaftiu, që prej 25 vitesh jep çdo verë 3-4 dhoma me qira në shtëpinë e saj, tregon për BIRN, se për të dytën herë radhazi, në banesë pushojnë nga 10 ditë anëtarët e të njejtës familje serbe.
“Kur erdhën para dy vitesh i shoqëronte një grua nga Prishtina, e cila qëndroi me ta gjatë pushimeve,” thotë Mimoza, duke vlerësuar anën ekonomike më shumë se sa kombësinë e tyre.
“Serbët kanë panë pak kërkesa dhe paguajnë mirë për qëndrimin,” shtoi ajo.
Numri më i madh i turistëve nga Serbia është akomoduar në disa nga hotelet e pjesës qendrore të plazhit.
“Vijnë me paketa pushimi 1-javore që ua ofrojnë agjensitë,” thotë Fred Spiro, në truallin e të cilit është ndërtuar hoteli ku aktualisht akomodohen turistë të huaj.
Aktualisht shumica e pushuesve janë nga Serbia, por nuk mungojnë edhe të tjerë nga Bosnja, nga Maqedonia e Veriut, si dhe nga Çekia, shkruan BIRN.
Pranë hyrjes së hotelit, dy tre pushues të huaj e përshëndesin Fredin, duke ngritur gishtin lart: Super, super!
“Edhe këta janë serbë. Flasin shumë pak anglisht, por janë të kënaqur me shërbimin,” thotë ai, i veshur me një bluzë sportive dhe me pantallona të shkurtëra.
“Këta joshen nga çmimet e lira në Durrës dhe nuk harxhojnë shumë para,” shtoi Fredi, ndërsa shtoi se serbët edhe birrën e blejnë te shumica.
Në fillim ishin të drojtur dhe dilnin shumë pak në qytet, por kur ndërrohen turnet në hotel bëhet një festë e vogël me të sapoardhurit, dhe me sa duket e mësojnë që Durrësi është mjaft i qetë, dhe ku askush nuk ka probleme.
Hoteli, pjesë e një zinxhiri turistik, ndodhet në stabilimentin “Hekurudha”, historikisht pjesa më e frekuentuar e plazhit që nga vitit 1970.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, kjo ishte hapësira turistike ku vendoseshin masivisht për pushime shqiptarët e Kosovës.
Ndonëse tashmë një pjesë e tyre i drejtohen plazheve të rinj në Shëngjin e Velipojë, si dhe në jug të vendit, kosovarët vazhdojnë të përbëjnë numrin më të madh të pushuesve në Durrës/Media Ndërtimi.