Connect with us

Turizëm

Turistët “humbin” nëpër Shqipëri; Pse është kaq e vështirë të bëhen platformat e hartave të transportit publik?!

Published

on

Të zbulosh Shqipërinë, e cilësuar si perla më e fundit në aspektin turistik, nuk është aq e thjeshtë. Vendit i mungon një platformë e rifreskuar dhe interaktive mbi mënyrat e transportit publik, duke e kthyer eksplorimin në sfidë. “Monitor” mblodhi përshtypje nga turistë që kanë vizituar vendin këtë vit dhe në krye të ankesave qëndron orientimi për transportin dhe mbetjet. Mungesa e stacioneve të dukshëm të autobusëve, orareve dhe çmimeve në kohë reale, si dhe copëzimi i shumtë i informacionit sjell që shumica të kalojnë orë të tëra nëpër blogje, duke kërkuar alternativat se si të shkojnë në një destinacion. Dhe, në shumicën e rasteve, përfundojnë duke pyetur vendasit pas çdo hapi që hedhin. E gjitha kjo ndodh në një kohë kur platforma si Google, ofrojnë shërbimin falas, mjaft që të dhënat të hidhen të sakta.

Dian dhe shoqja e saj qëndruan të përhumbura në rrugë për më shumë se dy orë, teksa prisnin autobusin nga Gjirokastra në Berat.

Supozohet se duhet të prisnin në një stacion ku do të hipnin, por në rrugë nuk kishte asnjë tabelë që tregonte një të tillë. Informacioni që kishin marrë në internet nuk jepte shumë detaje dhe stacioni mund të ishte kudo.

Kur kuptuan se nuk kishin shumë mundësi për të marrë autobusin, që me shumë gjasa kishte kaluar, u detyruan të bënin autostop. Të ardhura nga Holanda për të vizituar disa ditë vendet më tërheqëse të Shqipërisë, ato vlerësojnë se të orientohesh është një sfidë e vërtetë.

Për të gjetur një destinacion, të duhet shumë kërkim në internet, por mbi të gjitha, të zbatosh atë shprehjen e famshme “Me të pyetur gjen Stambollin”, përshtatur në kontekstin turistik, “Me të pyetur zbulon Shqipërinë”.

Një nga tiparet që ato vlerësojnë si më pozitivin në gjithë këtë amulli orientimi, është dashamirësia e shqiptarëve për të ndihmuar dhe gjindja nëse kërkon ndihmë.

“Përgjithësisht ne përdorëm autobusët për të shkuar nga njëri qytet në tjetrin dhe ndonjëherë ishte kaq çorientuese se ku duhet të shkoje apo qëndroje për të marrë tjetrin. Humbëm dy herë autobusin, që ishte pasdite vonë dhe mesa duket autobusët nuk qarkullojnë gjithë kohën.

Si një udhëtar, ti do që të marrësh një autobus në mëngjes apo vonë në darkë (të paktën unë kështu preferoj). Kishim kohën të kufizuar dhe donim që ta kalonim sa më mirë.

Rruga për në Berat nga Gjirokastra ishte sfiduese, pasi duhet të ndërrosh mjet dhe të marrësh një autobus tjetër, por aty në fakt nuk ka një stacion të posaçëm.

Ne nuk jemi mësuar me këtë dhe nuk dinim se ku të qëndronim në rrugë. Në fund fare na u desh të bënim autostop, për shkak se nuk kishim asnjë mundësi tjetër. Fatmirësisht shqiptarët janë shumë miqësorë dhe të gatshëm për të të ndihmuar”, – pohon ajo për “Monitor”.

Të udhëtosh me autobusë është sfiduese, s’ka platformë që tregon kohën reale

Pjesa më e thjeshtë e udhëtimit që përmendet nga turistët është transporti nga aeroporti drejt kryeqytetit. Alternativa e preferuar, që është taksia, i çon në hotele rreth qendrës, në zona me popullaritet të mirë, por edhe AirBNB, të cilat janë gjithashtu në zona mjaft të mira, ku gjithçka mund ta arrish duke ecur.

Përveç taksive është edhe linja e autobusëve, për të cilën informacioni në internet gjendet lehtë.

“Ne mbërritëm në aeroport dhe shkuam drejt autobusëve (lexuam online se ku të shkonim). Morrëm autobusin e parë për në Tiranë dhe kjo të jem e sinqertë shkoi shumë mirë. Nuk na u desh të përdornim asnjë aplikacion.

Shumicën e informacionit që përdorëm për vendet që do të vizitonim apo ku do të hanim e kemi gjetur në blogje”, pohon Dian. Sipas saj, të gjesh restorante apo vende ku do të shkosh të kalosh kohën është e thjeshtë, nëpërmjet internetit, por transporti në vetvete është një sfidë.

“Transporti në vendin tuaj është sfidë, sidomos prej mungesës së orareve online, si dhe stacioneve ku ndalojnë autobusët gjatë udhëtimit jashtë qyteteve. Edhe në Azi, kjo është më e thjeshtë sesa te ju. Ata kanë një platformë ‘12goasia’ që ndihmon shumë” tregon ajo.

Habia e saj lidhet me faktin se Shqipëria, një vend kaq afër Europës, me modele të ndërtuara nga të tjerët që funksionojnë, ende nuk ka minimumi një platformë të unifikuar dhe bazë për transportin, teksa turizmin e ka shpërthyes./Media Ndërtimi

Infrastrukturë

Ulqini drejt zhvillimit të qëndrueshëm turistik

Published

on

Bregdeti i Ulqinit cilësohet si vendi më i preferuar turistik në Malin e Zi. Plazhet me një vijë bregdetare shumë të gjatë dhe me biodiveroistet të pasur ofrojnë vlera të veçanta turistike. Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, kryetari i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiqi tha se planifikimi i ndërtimit të urës mbi lumin Buna, e cila do të lidhte Ulqinin me Velipojën, do të zhvillonte turizmin ndërshtetëror duke zvogëluar distancat mes dy vendeve turistike.

Bregdeti i Ulqinit cilësohet si vendi më i preferuar turistik në Malin e Zi. Plazhet me një vijë bregdetare shumë të gjatë dhe me biodiveroistet të pasur ofrojnë vlera të veçanta turistike.

Planifikimi i ndërtimit të urës mbi lumin Buna, e cila do të lidhte Ulqinin me Velipojën, sipas kryetarit të Organizatës Turistike, Qazim Hoxhiqi, do të zhvillonte turizmin ndërshtetëror duke zvogëluar distancat mes dy vendeve turistike

“Ndërlidhja mes dy vendeve shkurton distancën në disa minuta të Plazhit të Madh që është destinacion i rëndësishëm jo vetëm për turistët në rajon por edhe më gjerë. Ura ofron mundësi më të shpejta dhe nuk ka nevojë të kalohet nëpër disa pika kufitare ku ka flukse të mëdha,” thotë zoti Hoxhiqi.

Parakusht i rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, sipas zotit Hoxhiqi është edhe vjelja e taksës, e cila në këtë komunë realizohet online duke rritur dukshëm kapacitetet e saja.

“Vitin e kaluar kemi realizuar një aplikacion online, ku jemi të parët si komunë në Malin e Zi që është në funksion. Kjo mënyrë e vjeljes së taksës, vitin e kaluar kishte një sukses të madh ku 10-15% të taksapagueseve e kanë përdorur këtë aplikacion, ndërsa këtë vit besojmë dhe punojmë për të realizuar 40-50 % të pagesave”, thotë Hoxhiqi.

Në bregdetin e Ulqinit turizmi sportiv është mjaft i popullarizuar dhe sipas zotit Hoxhiq “Plazhi i Madh” është ndër dhjetë plazhet më të mira në botë për sportin “kitesurf”.

Zoti Hoxhiqi vlerëson se falë angazhimit dhe menaxhimit bashkëkohorë, Ulqini është shndërruar në një qendër të njohur turistike duke i ndjekur gjithnjë e më shumë trendët globale të turizmit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Turizëm

“Shqipëria, Princesha e re e Lindjes”

Published

on

Kështu e quan Shqipërinë revista franceze “Paris Vous Aimes Magazine”, teksa promovon në faqet e saj destinacionet e Shqipërisë Turistike si Kanionet e Osumit, plazhin e bukur të Dhërmiut, Gjirokastrën, Butrintin, Kalanë Krujës, Liqenet e Shkodrës, e mjaft atraksione nga jugu në veri të Shqipërisë.

Shqipëria e të gjitha shijeve turistike vjen për publikun francez dhe ata që udhëtojnë përmes aeroportit Charles de Gaulle të Parisit.

Continue Reading

Turizëm

National Geographic ua rekomandon turistëve Prizrenin e Pejën: Turizmi natyror ka marrë hov

Published

on

Revista e njohur mujore amerikane, National Geographic ka publikuar sot një artikull për Kosovën. Teksti mban titullin “Si ta planifikoni një fundjavë në Kosovën jugore, ku skena më e re e aventurës në Europë po lulëzon”.

Eksploroni këtë vend ballkanik kryesisht të palavdëruar dhe skenën e tij në zhvillim të udhëtimeve aventureske, me manastire dhe minare në pragun e kanioneve të fuqishme malore në jugperëndim të vendit. Kjo është thirrja në fillim të tekstit.

Një energji rinore përshkon Kosovën. Vendi më i ri i Europës është gjithashtu shtëpia e popullsisë më të re të rajonit, me 55% nën 30 vjeç. Në 20 vjetët që nga Lufta e Kosovës e 1998 deri në 1999, e cila kulmoi me shpalljen e pavarësisë së vendit në vitin 2008, fshatrat e epokës osmane janë rindërtuar, kështjellat bizantine janë restauruar dhe turizmi natyror ka marrë hov, me aktivitete të përqendruara në vargmalet malore që Kosova ndan me fqinjët e saj ballkanikë.

Prizreni, qendra kulturore e vendit gjatë periudhës së sundimit osman (1455-1912), mbetet qyteti më simpatik i Kosovës. 90 minuta me veturë në veri, tërheqja e Peja më e vogël tërheqëse qëndron në vendndodhjen e saj rrëzë Kanionit të Rugovës. E gdhendur gjatë mijëvjeçarëve nga një akullnajë që tërhiqet, gryka ka qenë qendrore për rilindjen e qytetit si një qendër aventure.

Këto qytete të kundërta ofrojnë një shije të plotë të vendit – një nga të vetmet të Europës me shumicë myslimane – brenda mundësive të lehta të kryeqytetit, Prishtinës. Eurot shtrihen më larg këtu se kudo tjetër në Europë, dhe ndërkohë që infrastruktura turistike e Kosovës është ende në zhvillim, një rrjet i besueshëm autobusësh e bën lëvizjen të lehtë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending