Të zbulosh Shqipërinë, e cilësuar si perla më e fundit në aspektin turistik, nuk është aq e thjeshtë. Vendit i mungon një platformë e rifreskuar dhe interaktive mbi mënyrat e transportit publik, duke e kthyer eksplorimin në sfidë. “Monitor” mblodhi përshtypje nga turistë që kanë vizituar vendin këtë vit dhe në krye të ankesave qëndron orientimi për transportin dhe mbetjet. Mungesa e stacioneve të dukshëm të autobusëve, orareve dhe çmimeve në kohë reale, si dhe copëzimi i shumtë i informacionit sjell që shumica të kalojnë orë të tëra nëpër blogje, duke kërkuar alternativat se si të shkojnë në një destinacion. Dhe, në shumicën e rasteve, përfundojnë duke pyetur vendasit pas çdo hapi që hedhin. E gjitha kjo ndodh në një kohë kur platforma si Google, ofrojnë shërbimin falas, mjaft që të dhënat të hidhen të sakta.
Dian dhe shoqja e saj qëndruan të përhumbura në rrugë për më shumë se dy orë, teksa prisnin autobusin nga Gjirokastra në Berat.
Supozohet se duhet të prisnin në një stacion ku do të hipnin, por në rrugë nuk kishte asnjë tabelë që tregonte një të tillë. Informacioni që kishin marrë në internet nuk jepte shumë detaje dhe stacioni mund të ishte kudo.
Kur kuptuan se nuk kishin shumë mundësi për të marrë autobusin, që me shumë gjasa kishte kaluar, u detyruan të bënin autostop. Të ardhura nga Holanda për të vizituar disa ditë vendet më tërheqëse të Shqipërisë, ato vlerësojnë se të orientohesh është një sfidë e vërtetë.
Për të gjetur një destinacion, të duhet shumë kërkim në internet, por mbi të gjitha, të zbatosh atë shprehjen e famshme “Me të pyetur gjen Stambollin”, përshtatur në kontekstin turistik, “Me të pyetur zbulon Shqipërinë”.
Një nga tiparet që ato vlerësojnë si më pozitivin në gjithë këtë amulli orientimi, është dashamirësia e shqiptarëve për të ndihmuar dhe gjindja nëse kërkon ndihmë.
“Përgjithësisht ne përdorëm autobusët për të shkuar nga njëri qytet në tjetrin dhe ndonjëherë ishte kaq çorientuese se ku duhet të shkoje apo qëndroje për të marrë tjetrin. Humbëm dy herë autobusin, që ishte pasdite vonë dhe mesa duket autobusët nuk qarkullojnë gjithë kohën.
Si një udhëtar, ti do që të marrësh një autobus në mëngjes apo vonë në darkë (të paktën unë kështu preferoj). Kishim kohën të kufizuar dhe donim që ta kalonim sa më mirë.
Rruga për në Berat nga Gjirokastra ishte sfiduese, pasi duhet të ndërrosh mjet dhe të marrësh një autobus tjetër, por aty në fakt nuk ka një stacion të posaçëm.
Ne nuk jemi mësuar me këtë dhe nuk dinim se ku të qëndronim në rrugë. Në fund fare na u desh të bënim autostop, për shkak se nuk kishim asnjë mundësi tjetër. Fatmirësisht shqiptarët janë shumë miqësorë dhe të gatshëm për të të ndihmuar”, – pohon ajo për “Monitor”.
Të udhëtosh me autobusë është sfiduese, s’ka platformë që tregon kohën reale
Pjesa më e thjeshtë e udhëtimit që përmendet nga turistët është transporti nga aeroporti drejt kryeqytetit. Alternativa e preferuar, që është taksia, i çon në hotele rreth qendrës, në zona me popullaritet të mirë, por edhe AirBNB, të cilat janë gjithashtu në zona mjaft të mira, ku gjithçka mund ta arrish duke ecur.
Përveç taksive është edhe linja e autobusëve, për të cilën informacioni në internet gjendet lehtë.
“Ne mbërritëm në aeroport dhe shkuam drejt autobusëve (lexuam online se ku të shkonim). Morrëm autobusin e parë për në Tiranë dhe kjo të jem e sinqertë shkoi shumë mirë. Nuk na u desh të përdornim asnjë aplikacion.
Shumicën e informacionit që përdorëm për vendet që do të vizitonim apo ku do të hanim e kemi gjetur në blogje”, pohon Dian. Sipas saj, të gjesh restorante apo vende ku do të shkosh të kalosh kohën është e thjeshtë, nëpërmjet internetit, por transporti në vetvete është një sfidë.
“Transporti në vendin tuaj është sfidë, sidomos prej mungesës së orareve online, si dhe stacioneve ku ndalojnë autobusët gjatë udhëtimit jashtë qyteteve. Edhe në Azi, kjo është më e thjeshtë sesa te ju. Ata kanë një platformë ‘12goasia’ që ndihmon shumë” tregon ajo.
Habia e saj lidhet me faktin se Shqipëria, një vend kaq afër Europës, me modele të ndërtuara nga të tjerët që funksionojnë, ende nuk ka minimumi një platformë të unifikuar dhe bazë për transportin, teksa turizmin e ka shpërthyes./Media Ndërtimi